NË KËRKIM TË NJË MODELI

Por jo! Njerëz të mirë ka pasur dhe ka gjithmonë. Ata duhen kërkuar, duhen vlerësuar, duhen marrë për shembull, duhen kujtuar se janë pak, sidomos sot...
Njeriu i mirë është argumenti më fortë që flet për Zotin. Pranë këtyre njerëzve sikur ndihesh më i qetë, më i sigurt, më krenar. Ata nuk nxitohen kur të tjerët humbin toruan, nuk bëhen “të vegjël” kur të tjerët bëhen “cinikë”, nuk tundohen kur të tjerët marrin të tatëpjetën duke shkelur çdo parim e moral. Ata janë të veçantë sikur të mos jetonin aspak për veten e tyre por për të tjerët... Këta janë argumenti më i madh i Zotit, Ai i udhëzon dhe i lartëson...
Ata janë krenarë se në krye udhëhiqen nga njerëz edhe më të mirë, madje shumë më të mirë e këta janë të dërguarit e Zotit. Të gjithë u lodhën për të njëjtin mision: të lartësojmë shpirtin dhe mendjen e njeriut, të rrisim standardet e krijesës madhështore me emrin “njeri”, ta bëjmë atë të meritojë statusin e nderit “mëkëmbës i Zotit në tokë” . Këtë mision ia kaluan njëri-tjetrit me besnikërinë më të madhe derisa radha i erdhi atij që e kurorëzoi me sukses, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Pejgamberi Muhammed – një dhuratë e veçantë

Të shikosh një lule të bukur në mes të një kopshti nuk është ndonjë habi, por të shikosh një lule të freskët në mes të një shkretëtire, kjo me të vërtetë është një mrekulli. E Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk ishte thjesht një lule, por një kopsht më vete, me lule e me pemë, nën hijen dhe aromën e të cilave do të ketë gjithmonë vend për të gjithë ata që janë lodhur nga mundi dhe shkretëtirat e kësaj jete.
Lexoni jetën e tij dhe do të shikoni se ai i ka jetuar gati të gjitha rolet që mund të bëjë një njeri. Me një fëmijëri prej jetimi, me një djalëri prej punëtori, me një rini prej tregtari e pastaj një komandant strateg, një diplomat i rrallë, një politikan besnik... një shok zemërgjerë, një bashkëshort model, një prind i suksesshëm e një gjysh i rrallë. Kush nga njerëzit ka pasur mundësi t’i bëjë të gjitha këta role e në të gjitha të ketë arritur sukses të paparë?!
Shikoni jetën e tij dhe do të gjeni se ai i ka përjetuar gati të gjitha “shijet” që jeta i ofron njeriut. Përjetoi vetminë e një jetimi por dhe shoqërinë e mijëra e mijëra besimtarëve që e donin më shumë se sytë e ballit, presionin social nga njerëzit e afërt, por dhe mbështetjen e plotë nga të gjitha fiset e Gadishullit Arabik, lumturinë dhe humbjen e fëmijëve, pasurinë dhe varfërinë, fitoren dhe dështimin…Ai u kishte shitur plaçkë tregtarëve të vegjël, sikundër u kishte shkruar letra perandorëve dhe sunduesve më të fuqishëm të tokës duke i ftuar të pranonin fenë islame, por ai gjithmonë mbeti konstant, i pandikuar, sikur kishte ardhur të jetojë për të tjerët dhe jo për veten e tij. Është mjaft e qartë të mendosh që i njëjti njeri që udhëhoqi luftën e Bedrit dhe që më vonë sundoi mbi një segment të tërë të universit, do të përgjunjej në dyshemenë e shtëpisë së tij, në mënyrë që nipërit e tij t’i hipnin mbi shpinë dhe të luanin me të. Vetëm një pejgamber mund të arrijë këtë përsosje të madhështisë dhe përulësisë, pushtetit dhe shpirtmadhësisë, por fakti që ai ia arriti kësaj, nxjerr në pah sesa i madh mund të jetë njeriu vetëm sikur ta dijë se cili është.
Tek ai gjen shembull jetimi, punëtori i thjeshtë, tregtari besnik, prindi dhe bashkëshorti i mirë, politikani dhe diplomati, gjen shembull ai që dëshiron të jetë i mirë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun” (El-Ahzab: 21)

Ç’bëri Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]?

Është e vërtetë se çarja e hënës, uji që i gufonte nëpër duar, ushqimi i pakët që i mjaftonte një ushtrie etj., ishin mrekulli të tij, por jo më të mëdhatë. Mrekullia e tij më e madhe ishte reforma me njeriun.
Ai gjeti para vetes njerëz të ashpër, të vrazhdë, të rritur nën erërat e shkretëtirës dhe ata i bëri të butë,të thjeshtë e të ndjeshëm aq sa kur ju kujtohej Zoti, sytë u rridhnin rrëke me lotë.
Edhe pse vetë nuk dinte shkrim e lexim, ai me një urdhër kuranor “Lexo në emër të Zotit tënd që të krijoi“, arriti të bëjë një revolucion të mirfilltë shkencor, ndikimet e të cilit arritën dhe në Europë duke i dhënë asaj një zhvillim që e çoi me dhjetëra e qindra vite përpara.
Ai dhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në miliarda pasues që e ndjekin, në miliona të rinj që mbushin xhamitë për çdo ditë, në sa e sa njerëz që fjalët e tij i mësojnë përmendësh dhe i kanë udhëzues në çdo hap të jetës. . . Kush është pra ai person që përveç tij mund të ndikojë kaq fuqishëm në zemrat e të gjithë këtyre njerëzve?!
Ai gjeti mbretër që e konsideronin veten për “zotër“ e njerëzit për “robër“ të tyre, gjeti prijës fetarë që parajsën e Zotit e kishin shitur që në tokë pjesë - pjesë, gjeti njerëz që kishin luftuar ndaj njëri –tjetrit për qindra vite me rradhë sepse deveja e njërit fis ia paskësh kaluar asaj të fisit tjetër. . . e të gjitha këta probleme i zgjidhi në pak vite në një formë të habitshme. U mësoi këtyre njerëzve thjeshtësinë njerëzore shpeshherë të pabesueshme për ditët tona, u mësoi se parajsa është mall i shtrenjtë por secili mund ta fitojë me punë të sinqertë, u mësoi se ç’do të thotë fjala “vëlla“. . .
Ai ishte reformator, por nga ata që dinë se dera e reformës është tek mendja dhe zemra e njeriut, prandaj ai arriti të hyjë thellë,“brenda njeriut“, në ndryshim nga shumë të tjerë që kanë mbetur dhe kanë për të mbetur “jashtë“ sepse nuk kanë gjetur derën e ndryshimit.
Reforma e tij mund të japë dhe ka për të dhënë rezultat edhe sot, në shekullin e 21-të, sepse edhe njerëzit e sotëm kanë mendje, shpirt e zemër, sado që të zhvillohen e të shkojnë përpara. Ai bëri reformë shpirtërore dhe kjo reformë është më e vështira por më afatgjata.

A mundet që Muhammedi të ketë qenë thjesht një pretendues ?

“Ku keni parë që një njeri mashtrues të themelojë një fe të habitshme. . . Ai nuk mundet të ndërtojë një shtëpi me tulla. . . Sepse nqs ai nuk i njeh vetitë e dheut, gëlqeres dhe çimentos që do të përdorë nuk ka për të ndërtuar kurrë një shtëpi por një rrënojë që pritet të rrëzohet nga dita në ditë. Por si ka mundësi që ky njeri (Muhammedi a. s) ndërtoi një fe që vazhdon të qëndrojë e palëvizshme për 14 shekuj, e ndjekur nga miliona e miliona njerëz?!
Nuk është mashtrues ai, por ata, mohuesit e tij, që zbukurojnë gënjeshtrat e tyre për të mashtruar popuj dhe kombe ”
Unë e dua Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] , për mendimet e tij të pastra e të thjeshta, larg sforcimit dhe artificialitetit. Ky djalosh shkretëtire nuk fliste për atë që nuk e dinte, nuk ishte mendjemadh por as edhe i përgjunjur vetëm se para Zotit të tij kur falej në rrobën e arrnuar, siç e krijoi dhe e deshi vetë Ai “
Tomas Karlil (1795-1881) “Heronjtë”
Muslimanët kurrë nuk harrojnë të kujtojnë se profeti a. s gjithnjë buzëqeshte dhe kishte një rrezatim lumturie dhe gëzimi që përhapej nga fytyra e tij, gjë që sigurisht nuk përjashtonte edhe “zemërimin e përmbajtur profetik” kur ai përballej me ata që kundërshtonin të vërtetën. Por ajo që spikat më shumë është se në shpirtin e tij ekzistonin krenaria dhe butësia, forca dhe pastërtia e shkretëtirës, flladi i këndshëm dhe aroma e një kopshti trëndafilash. Ai e transformoi botën dhe përmbushi obligimin më të vështirë, nën vuajtje të pabesueshme, por gjithmonë I shoqëruar me butësinë dhe shpirtmadhësinë që i karakterizon miqtë e Zotit.
Me të vërtetë tek ai ishin përsosur virtytet.
Ky ishte njeriu përpara të cilit engjëjt u urdhëruan të përgjunjeshin (Xhibrili a. s kur ulet para tij si nxënës). Kjo është arsyeja përse Zoti dhe engjëjt e lëvdojnë dhe e begatojnë atë dhe ata që besuan janë të obliguar ta lëvdojnë dhe urojnë atë dhe pse jetën e tyre duhet ta modelojnë sipas shembullit të tij.

Dhe në fund me një lutje…

O Zot, në këto ditë kur e mira po ndrydhet, kur të mirët nuk po orientohen dot, kur modeli i mirë po na mungon shumë…na mundëso të marrim për model më të mirin e njerëzve, më të thjeshtin e njerëzve, më të edukuarin e njerëzve…atë që vetë Ti e solle shembullin e mirë të të gjithë njerëzve… Amin

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme