Biografia e Imam Nuruddin Es-Sabunit

Shumë pak dimë nga burimet, që referojnë jetën e Imam Nurud-din Es-Sabunit, përveç emrit të tij, datës së vdekjes, dhe se ai i ka shkruar librat “El-Hidajetu” dhe “El-Bidajetu” në shkencën e Usulid-dinit – bazave të besimit islam.

Në librin “El-Xhevahiru’l-Mudij-jeti fi tabekati’l-hanefij-jeti” e autorit Ibn Ebi’l-Vefa El-Kurejshi El-Hanefij El-Misrij, i vdekur në vitin 775 h./ 1373 m, i cili është i pari që ka përgatitur “Tabekatu’l hanefij-jeti”, lexojmë për biografinë e Sabunit:

“Ahmed bin Muhamed bin Bekr Es-Sabuni, Ebu Muhamed Muhamed me pseudonimin Nurud-din. Imam dhe autor i veprës “El-Bidajetu fi usulid-din”. Ka vdekur, në kohën e namazit të akshamit në natën e ditës së mërkurë, më 16 sefer të vitit 580 h./1184 m. Është varrosur në varrezat “El-Kud-datu’s-seb’atu” në Buhara. Fikhun e ka mësuar nga dielli i Imamëve, Muhamed El-Kerderij, Allahu i mëshiroftë.”[1]

Ndërsa autori i librit “A’lamu’l-ahjari min fukahai medh’hebin-Nu’man El-Muhtari” rreth biografisë së Sabunit thotë:

“Dijetari i madh, Imami Nurud-din Ahmed bin Muhamed bin Ebu Bekr Es-Sabuni, autor i veprës “El-Hidajetu fi Usulid-din” ka vdekur në kohën e namazit të akshamit të natës së ditës së mërkurë, më 16 sefer të vitit 580 h. dhe është varrosur në varrezat “El-Kud-datu’s-seb’atu”[2]

Po ashtu në librin “Tabekatu’s-sun-nij-jeti fi teraxhimi’l-hanefij-jeti” e Tekijud-din Ahmed bin Abdul Kadir Et-Temimij, rreth biografisë së Sabunit, autori sjell këtë të dhënë:  Ahmed bin Muhamed bin Ebi Bekr Es-Sabuni Ebu Muhamed me pseudonimin Nurud-d-in. Jurisprudencën e ka mësuar nga dielli i imamëve, El-Kerderij. Vdiq në kohën e namazit të akshamit në natën e 16 të muajit sefer të vitit 580 h.. Është varrosur në varrezat “El-Kud-datu’s-seb’atu”. Ai është autori i librit “El-Kifajetu fi Usulid-din” dhe po ashtu i librit “El-Bidajetu fi usulid-din”.[3]

Ndërkaq, Refi’ud-din Esh-Shirvatij, autor i librit “Tabekatu as’habi’l-imami’l-a’dhami Ebi Hanifete En-Nu’man”, e vendos Sabunin në shkallën e njëmbëdhjetë, dhe nuk na ofron asgjë tjetër, përpos që thotë se emri i tij është “Nurud-din Es-Sabuni”.[4]

Kjo është pothuajse e tërë ajo që njohim nga historiografët e medh’hebit hanefij, rreth Imam Sabunit. Por, kjo nuk do të thotë se Imam Sabuni nuk e ka merituar një kujdes më të madh nga historiografët, aq sa të përmendet vetëm emri, data e vdekjes dhe titujt e veprave të tij, mirëpo historiografët e hanefizmit, zakonisht kështu kanë shkruar për dijetarët dhe imamët e tyre. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Imam Maturidiun. Në biografitë e tyre rreth jetës së Imam Ebu Mensur El-Maturidiut, imam dhe dijetar i madh i tyre në Ilmul Kelam, themelues i shkollës maturidite të ehlu’s-sunnetit ve’l-xhematit në Buhara, Samarkand dhe në të gjitha vendet e Transoksanisë (?? ???? ?????)[5], nuk bëhet asgjë më tepër, përpos aq sa paraqitet në biografitë e tyre ndaj Imam Sabunit.

Mirëpo, ne e njohim atë prej diskutimeve të Fahrud-din Er-Rraziut në vendet e Transoksanisë me hanefito - maturidinjtë, se Nurud-din Es-Sabuni apo En-Nuru Es-Sabuni (siç e kishte dëshirë ta quante Rraziu), e kishte mësuar shkencën e Kelamit nga libri “Tebsiretu’l-edil-leti” i dijetarit të madh Ebi’l-Muin En-Nesefij (vdiq 508 h./1114), ku Sabuni printe në deshifrimin e shprehjeve të Rraziut. Ai ishte autoritet i Kelamit dhe Usulit në popull. Me Rraziun kishte diskutuar në tri çështje prej çështjeve më të rëndësishme të shkencës së Kelamit, rreth të cilave ishin zhvilluar polemika të nxehta ndërmjet maturidinjve dhe esh’arinjve. Ato janë: çështja e të shikuarit në Allahun (????? ??????), çështjet e krijimit dhe të krijuarës (????? ??????? ? ??????) dhe çështja e vazhdimësisë (????? ??????). Një vëlla i Sabunit e kishte ftuar Rraziun dhe shokët e tij në shtëpinë e vet, ku ishte zhvilluar një diskutim i ngjeshur, ndërmjet Rraziut dhe Sabunit në meselen “el-buka”[6]

Në “diskutimin” e pestë,[7] lexojmë konfirmimin e Sabunit rreth studimit të shkencës së Kelamit përmes veprës “Tebsiretu’l-edil-leti” të Ebil Muin En-Nesefij, gjersa i drejtohet Rraziut, duke i thënë: “o ti njeri, unë e kam lexuar librin “Tebsiretu’l-edil-leti” të Ebil Muin En-Nesefij dhe jam i bindur se nuk i duhet shtuar asgjë këtij libri sa i përket shqyrtimit dhe studimit në hollësi…”[8]

Sipas mendimit tonë, Sabuni realisht është në këtë realitet të i’tikadit (besimit) dhe kushdo që e lexon “Et-Tebsiretu” të Nesefiut, e nuk zgjerohet më shumë, në të vërtetë është bashkëshoqërues i Sabunit në kontekst të orientimit besimor. Gjersa Imam Ebu Mensur El-Maturidij në librin e tij “Kitabut-tevhid”, ishte ai që zhvilloi shkencë nga “akideja” e Ebu Hanifesë, dhe se kelamologët hanefij në vendet e Transoksanisë pas Maturidiut u quajtën me pseudonimin maturidinjtë (El-maturidijjetu). Në anën tjetër është Ebul Muin En-Nesefij me “Tebsirin” e tij, i cili simbolizon frymën e medh’hebit të Maturidiut, deri në atë shkallë, sa që me emrin e tij mund t’i identifikojmë maturidinjtë, sikurse, që tek esh’arinjtë janë: imam Bakilaniu dhe Gazaliu.

Pra, Sabuni, shkencën e Kelamit e ka mësuar nga librat e imamëve të medh’hebit maturidij. Ndërsa pozitën e tij në shkencën e Kelamit mund ta kuptojmë (sqarojmë) përmes diskutimeve të tij me Fahrud-din Er-Rraziun.

Në diskutimin e dytë, lexojmë: “në qytetin Buhara ka qenë një njeri, të cilit i thoshin En-Nur Es-Sabuni, Allahu e mëshiroftë, i cili pretendonte se është autoritet i Kelamit dhe Usulit në popull.”[9] Dhe duket se këtë pretendim, ai e justifikonte.

Ndaj, nga njëra anë e gjejmë Rraziun, i cili veçohet në tri diskutimet nga katër sosh në shkencën e Kelamit, në të cilat ka hasur rezistencë të theksuar në Buhara[10] (ku jetonte Sabuni), e nga ana tjetër, Rraziu nuk e përmend ndonjë dijetar tjetër nga kelamologët e Transioksanisë, me të cilët ka diskutuar, përpos Sabunit. Rraziu ka folur në Buhara për meselen e obligimit me detyrime, për atë që nuk ka mundësi (????? ??????? ??? ?? ????) dhe ka debatuar me një grup dijetarësh të saj, duke mos përmendur asnjë emër prej tyre.[11]

Me një rast e kundërshton edhe gjykatësin e qytetit të Gazenit në meselenë e “tekvinit” dhe “mukevvenit”, përsëri pa përmendur ndonjë emër[12]. Ndërsa në një diskutim tjetër thotë: “medh’hebi i banorëve të Transoksanisë është se Allahu posedon cilësinë e të folurit, me një të folur pa fillim (????), që ekziston nga Vetvetiu i Qenies, i pastër nga çdo formë e shkronjave dhe e tingujve, ashtu sikurse është medh’hebi i Esh’ariut, përveçqë Esh’ariu thotë: ai të folur në të vërtetë mund të dëgjohet, ndërsa Ebu Mensur El-Maturidiu dhe pasuesit e tij nga vendet e Transoksanisë thonë: ndalohet që ai të folur të jetë i dëgjueshëm (??????). Andaj, ata bënë diskutim me mua në këtë mesele.”[13]

Ja pra, kur emri i Sabunit është emri i vetëm i cili frekuenton në diskutimet e Rraziut me dijetarët e Transoksanisë në çështjet e shkencës së Kelamit, dhe kur shumica e diskutimeve të Rraziut në meseletë e Kelamit zhvillohen me Sabunin, atëherë nuk ka dyshim që, secila nga këto dëshmon për pozitën e Sabunit në shkencën e Kelamit dhe se ai është nga dijetarët më të njohur të kohës së tij, në vendet e Transoksanisë.

Ndërkaq, sa i përket cilësive negative, të cilat Rraziu ia mvesh Sabunit në diskutimet e tij, obligohemi që, ato t’i shikojmë me një kritikë të ashpër, sepse Rraziu përdor një mburrje kundrejt secilit, që e ka kundërshtuar atë, qoftë jurist, filozof, kelamist, apo të tjerë, duke përdorur një sarkazëm, tallje dhe ironi. Ndërsa diskutimet e tij shpalosin fare qartë animin e Rraziut kah kryelartësia, mendjemadhësia, egoja për dukje dhe dominim.[14]

Për shembull, Rraziu e përshkruan Er-Rrida En-Nisaburin, njërin nga juristët e një vendi të Transoksanisë, në njërin prej debateve të tij, kur thotë: “Sa i përket qytetit të Buharasë, kur arrita atje, bisedova me një grup (xhemat). Herën e parë bisedova me Er-Rrida En-Nisaburin, i cili ishte një njeri me ide të drejta, larg nga hilet (devijimi), përveçqë ishte i trashë në të kuptuar, i dobët në të menduar, që kishte nevojë të mendojë shumë për të arritur pak.”[15] Në fund të diskutimit me të, thotë: “për këtë mbaroi diskutimi, u ndërprenë armiqësitë dhe filluan gjuhët me falënderim dhe glorifikim.”[16] Domethënë, me falënderim dhe glorifikim ndaj Rraziut.

Ndërsa gjykatësin (kadinë) e Gazenit e cilëson, duke thënë: “pas kësaj ndodhie, pas disa viteve u vendos që unë të transferohem në qytetin e Gazenit, gjykatës i të cilit ishte një njeri shumë ziliqar i madh, që bënte shumë punë e kishte pak dije.”[17] Në fund të diskutimit shton: “pasi ia transmetova këtë argument në formën më të qartë dhe te të pranishmit u duk plotësia e fuqisë sime, gjykatësi filloi të belbëzojë, meqë nuk mundi të sillte asnjë fjalë të mençur, sepse ai ishte i cekët në shprehje, i cekët në të kuptuar dhe në arritje.”[18]

Diskutimin tjetër me Kadi En-Nisaburin, e përfundon duke thënë: “përfundoi meseleja, filluan njerëzit me lavdërim, falënderim dhe respekt. Të vjetrit u kthyen kah unë. Allahut i takon mirësia dhe nderimi.”[19]

Ndërsa Ferid El-Gilaniun e përshkruan duke thënë: “pasi që shkova në Samarkand, i cili kishte arritur një famë të madhe nga El-Ferid El-Gilanij r.h., betohem që, ai ishte një person me ide të drejta, me talent të mirë, mirëpo kishte pak njohuri dhe ishte larg nga meditimi dhe stili i debatit…”[20]

Për shkak të këtij qëndrimi të Rraziut, kolegët e tij prej esh’arinjve, të cilët i përmend në diskutimet e tij, madje edhe ata të cilët gëzonin një respekt të lartë te banorët e Transoksanisë, sikurse ishte Gazaliu dhe Shehristani, nuk i jepnin selam, për shkak të ofendimeve dhe nënçmimeve të tij.[21]

Këto janë arsyet që na bëjnë t’i shikojmë cilësimet e Rraziut ndaj Sabunit me dyshime dhe rezervë. Duket se Rraziu ishte kureshtar që të paraqesë Sabunin si të pafuqishëm, inferior dhe konfuz. Në njërin prej diskutimeve të tij thotë: “Pasi i drejtova këtë bisedë atij personi të humbur, konfuz, e të frikësuar nga hutia, nuk gjeti absolutisht mënyrë për të më demantuar, përfundoi me një paqartësi dhe heshtje në pikat më të thjeshta.”[22]

Në një diskutim tjetër me të, thotë: “kur ia transmetova atij këtë fjalim, i erdhi shumë vështirë që ta kuptojë, ndërsa unë, e kam përgatitur atë me një lehtësi. Ai u ndal në të, e pasi u ndal, e kaploi një nervozizëm dhe turbullirë.”[23]

Rraziu na flet neve se Sabuni gjoja në fund të njërit nga diskutimet me të, i ka thënë: “tash, ndërsa e pashë dhe e kuptova ligjërimin tënd, e kuptova se nëse unë dëshiroj të ndalem në këtë shkencë (Kelam), kam nevojë të filloj nga e para dhe ta mësoj këtë shkencë ashtu si kur e mëson fillestari, mirëpo unë jam në moshë të vjetër dhe nuk e kam këtë mundësi. Prandaj, kërkoj prej teje të mos e përhapësh cektësinë time në këtë shkencë.”[24]

Këto cilësi, të cilat Rraziu ia ngjesh Sabunit dhe dijetarëve të tjerë të vendeve të Transoksanisë, e japin efektin e kundërt në të kuptuarit tonë ndaj personalitetit të Rraziut dhe dëftojnë kundër tij më shumë sesa ndaj atyre, të cilët i ka kundërshtuar ai. Ndoshta cinizmi i Rraziut në diskutimet e tij, tallja me ta, si dhe nënçmimi i tyre, kthehen në personalitetin e tij, labil dhe të ndryshueshëm, dhe se ato me të cilat ai i cilëson ata, janë vetja e tij, përderisa e thotë vetë:[25]

- Ankohem te Allahu nga krijimi, që më ndryshon mua

-  Dhe e shlyen dritën nga mendja dhe feja ime

- Një ngrohtësi në ndërgjegjen e zemrës është arbitrazh

- Që shfaqet e zhvillohet e më humbë mua, e më lë të kënaqur.

 

Shkrimet e Sabunit:

Historiografët e Sabunit nuk përmendin ndonjë tjetër përpos librit “El-Kifajetu fi’l-Hidajeti” dhe “El-Bidajetu mine’l-Kifajeti fi’l-hidajeti fi usulid-din”.[26] Libri “El-Bidajetu” ashtu siç bëhet e qartë nga titulli i saj dhe prej burimeve të autorit është shkurtesë e librit “El-Kifajetu”.



[1] Botimi i ‘Dairetu’l-mearifin-nidhamijjeti’, Hajdar Abad, Indi, botimi i parë, 1332 h., vëll. I, fq. 124.

[2] El-Kufevij, Mahmud bin Sulejman El-Hanefij, vdiq më 990/1582. Dorëshkrimi i ‘daru’l-kutubi’, Kajro, nr. 84, tarih, m.

[3] Dorëshkrimi i “daru’l-kutubi” në Kairo, nr. 55, vëll. I, fleta 98.

[4] Dorëshkrimi i “daru’l-kutubi” në Kairo, nr. 843, histori, fleta 3.

[5]Transoksania” ose në gjuhën arabe “ma verau’n-nehr”, quhet pjesa e Azisë së Mesme, ku disa vende i përfshin Republika e Uzbekistanit, si dhe pjesa jug - perëndimore e Kazakistanit. Domethënë, pjesa ndërmjet lumit Xhejhun dhe Sejhun. Europianët, këtë pjesë e kanë quajtur Transoksania, që është përkthim në latinishte. Pjesë e Transoksanisa janë shumë qytete të mëdha si: Samarkandi, Buharaja, Tashkandi, Havarizmi, etj.. Po ashtu nga këto venda kanë dalë shumë dijetarë të mëdhenjë, si: Havarizmi, Farabiu, Buhariu, Termidhiu, Ibni Sina, Xhurxhani, etj. (shih: fjalën ?? ???? ????? , në: http://ar.wikipedia.org/wiki). (Përkthyesi).

[6] “Munadharatu Fahrid-din Er-Rrazi”, fq. 14-20, 22, 24, me vërtetim shkencor të dr. Hulejf, botimi i Bejrutit, ‘darush-shirk’, 1966.

[7] Me frazën ‘Diskutimi i pestë’, autori (Fet’hullah Hulejf) referon diskutimet e Fahrudin Er-Rraziut, sipas librit të tij “Munadharatu Fahrid-din er-Rrazi” op. cit. (Përkthyesi).

[8] “Munadharat…”, po aty, fq. 23, 24.

[9] “Munadharat…”, po aty, fq. 14.

[10] “Munadharat…”, po aty, fq. 14-20, 22, 24.

[11] “Munadharat…”, po aty, fq. 51-52.

[12] “Munadharat…”, po aty, fq. 21-22.

[13] “Munadharat…”, po aty, fq. 53.

[14] Shih librin tonë: Kholeif, “A study on Fakhr Al-Din Al Razi”, pp. 20-21, Bairut dar a’ mashriq, 1996.

[15] “Munadharat…”, po aty, fq. 7.

[16] “Munadharat…”, po aty, fq. 14.

[17] “Munadharat…”, po aty, fq. 21.

[18] “Munadharat…”, po aty, fq. 22

[19] “Munadharat…”, po aty, fq. 59.

[20] “Munadharat…”, po aty, fq. 59.

[21] “Munadharat…”, po aty, fq. 39, 40, 41, 43, 45, 46, 47.

[22] “Munadharat…”, po aty, fq. 17.

[23] “Munadharat…”, po aty, fq. 20

[24] “Munadharat…”, po aty, fq. 24.

[25] Shih librin tonë: Kholeif, “A study on Fakhr Al-Din Al Razi”, pp. 20.

[26] Dijetari i njohur i Kelamit në Republikën e Turqisë, prof. dr. Bekir Topaloglu, i cili edhe e ka përpunuar këtë vepër të Sabunit, në pjesën ku flet mbi veprat e Imam Sabunit, përmend që prej veprave të tij ekzistuese është edhe: “El-Munteka min ismeti’l-enbijai” (shih: Nured-din Es-Sabuni “Maturidiyye Akaidi” me përpunim të prof.dr. Bekir Topaloglu, Ankara, 1998, fq. 27 - përkthyesi).

 

Perktheu nga arabishtja: Mr. Orhan Bislimaj

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme