Ibn Tejmije (1263 – 1328)

Studimet i kreu para vitit të njëzet të jetës, kurse pas vdekjes së babait (1282) e ndërroi atë si profesor të së drejtës islame hanbelite. Çdo të premte ex cathedra ka ligjëruar Kur’anin. Pasi që shkëlqyeshëm e ka njohur mësimin kur’anor, Hadithin, të drejtën, teologjinë e të tjera, e mbrojti traditën e shëndoshë të periudhës së hershme islame me argumentet që deri atëherë ishin të panjohura, edhe pse bazoheshin në Kur’an dhe Hadith; ndërkaq, liria gjatë polemikave i solli atij shumë armiqë ndër ithtarët e shkollave tjera besimdrejte. Në vitin 1292 u nis për haxhillëk në Mekke. Në Kairo në vitin 1299 u përgjigj në pyetjen mbi cilësitë e Zotit të dërguar nga Hamma në Siri; Kjo përgjigje nuk u pëlqeu dijetarëve shafiitë, ndaj e kthyen opinionin publik kundër tij, që do t’i kushtojë me vendin e profesorit. Prapëseprapë, po atë vit, e vendosën të rekomandojë luftën (xhihadin) kundër Mongolëve, e po me këtë synim vitin vijues u nisë edhe në Kairo. Në këtë cilësi prezentoi në fitoren ndaj Mongolëve në Shabab afër Damaskut. Në vitin 1305 ka zhvilluar luftë kundër njerëzve nga Xhebel Kasrevani në Siri, ndër të cilët ishin edhe ismailitët, nusajritët, hakimitët, që besuan në pagabueshmërinë e Ali ibn Ebi Talibit, deri sa Shokët (As’habët) i konsideronin jobesimtarë, dhe të cilët as nuk janë falur as nuk kanë agjëruar; në vitin 1306 – 1307 u nisë për në Kairo së bashku me kadiun shafiit; aty, pas pesë seancave të kolegjiumit të gjyqtarëve dhe bujarëve në kabinetin e Sulltanit për pritje, qe akuzuar për shkak të antropomorfizmit dhe u gjykua me burg në kështjellë së bashku me dy vëllezërit e tij, ku e kaloi një vit e gjysmë të jetës; në vitin 1308 sërish është marrë në pyetje në lidhje me veprën që e patë shkruar kundër itihaditëve, por dëshmitë që i patë sjellur menjëherë i çarmatosën armiqtë e tij. Iu lejua të kthehet në Damask, por tashmë pas konakut të parë u kthye prapa në Kairo, dhe për shkaqe politike sërish u dënua me burg, këtë herë të kadiut, ku kaloi një vit e gjysmë, duke e shfrytëzuar kohën që të burgosurit t’i mësojë me parimet islame. Pas disa ditëve të kaluara në liri, është burgosur në kështjellë në Aleksandri, ku i kaloi tetë muajt vijues. U kthye në Kairo, ku u bë profesor në shkollën që e themeloi Sulltan Nasiri, ndonëse refuzoi t’i japë këtij fetvanë që do t’i lejonte t’u hakmerret armiqëve të vet.

Në shkurt të vitit 1313 Ibn Tejmijje u autorizua ta përcjellë ushtrinë që lëvizte drejt Sirisë, dhe pas mungesës prej shtatë vite e shtatë javë nëpër Jerusalem u kthye në Damask. Këtu i mori detyrat e profesorit. Në gusht të vitit 1318 Sulltani ia ndaloi të jepë fetva për betimet mbi divorcin …; për këtë çështje ai vetes më shumë herë i dha lirinë që nuk e lejuan juristët nga tri shkollat tjera besimdrejte, të cilët konsiderojnë që, nëse dikush ashtu betohet, edhe pse është i obliguar ta plotësojë kontratën, megjithatë i pason dënimi sipas bindjes së gjyqtarëve.

Pasi refuzoi ta kryejë këtë urdhëresë, është dënuar me burg në kështjellë në Damask, në gusht të vitit 1320. Pas pesë muaj e 18 ditëve sërish u gjetë në liri. Sërish iu përvesh veprimtarive të mëhershme deri sa armiqtë sipas urdhërit të Sulltanit një natë (korrik 1326) e burgosën në kështjellën e Damaskut, kurse shkaku ishte fetvaja mbi vizitimin e varreve të të shenjtëve dhe të dërguarit që e patë dhënë në vitin 1310. I qe ndarë dhoma në të cilën, me ndihmën e vëllait, filloi në shkrimin e komentit të Kur’anit, pastaj pamfletit kundër shpifsëve të vet dhe vëllime të tëra për çështjet për shkak të të cilëve ka vuajtur në burg. Por, kur armiqtë e tij mësuan se shkruan vepra të tilla, ia morën librat, letrat dhe ngjyrën. Kjo për të ishte goditje e madhe dhe ndonëse kërkonte ngushëllim në lutje dhe këndim-lexim të Kur’anit, megjithatë u sëmurë dhe pas njëzet ditësh vdiq, në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës më 26-27 shtator 1328. Populli i Damaskut, që e ka çmuar fortë, i organizoi varrim madhështor; konside-rohet se në varrimin e tij në varrezat e sufinjve kanë asistuar 200.000 meshkuj dhe 15.000 femra. Fjalimin e përmortshëm e hartoi Ibn El-Verdi.

Edhe pse i takonte shkollës hanbelite, Ibn Tejmije nuk ka ndjekur verbërisht mendimet e saj, por veten e ka konsideruar muxhtehid në medhheb. Biografi i tij El-Mer’iu thekson një varg mospajtimesh të Ibn Tejmijjes me taklidin, e madje edhe me ixhmain. Në shumicën e veprave ai ndjek, sipas mendimit të tij, shkronjën e Kur’anit dhe të hadithit, por nuk konside-ron se është e gabueshme të përdoret kijasi, d.m.th. përsiatja sipas analogjisë, kur janë në pyetje shkrimet e tij polemizuese.

Pasi ishte kundërshtar i rreptë i risive (bid’a) u vërsul kundrejt respektimit të shenjtorëve dhe kundrejt pelegrinimit të varreve; a nuk ka thënë Pejgamberi a. s.: “Duhet të vizitohen vetëm tri xhami: xhamia e shenjtë në Mekke, ajo në Jerusalem dhe xhamia ime.” Madje edhe udhëtimi, qëllimi i vetëm i të cilit është vizita varrit të Pejgamberit, tashmë është akt i mosdëgjimit. E nga ana tjetër, ai, duke ndjekur mendimin e Esh-Sha’biut dhe Ibrahim En-Nahaiut, konsideronte se vizita varrit të ndonjë muslimani është e paligjshme vetëm nëse duhet për këtë të udhëtohet dhe nëse kryhet në ndonjë ditë të përhershme. Me këto kufizime, ai madje konsideronte se këto vizita paraqesin detyrë tra-dicionale.

Antropomorfisti i përbetuar, Ibn Tejmije, teks-tualisht ka komentuar të gjitha fragmentet e Kur’anit dhe të traditave që flasin për Hyjninë. Ai ka qenë deri në atë masë i përshkuar me botëkuptimin e tillë sa njëherë nga minberi i xhamisë në Damask ka thënë: “Zoti zbret nga qiejt në tokë pikërisht ashtu sikur unë tash zbres poshtë.” – dhe ai zbriti përgjatë shkallëve të minberit.

Edhe me fjalë edhe me pendë Ibn Tejmijje luftoi kundër të gjitha sekteve islame: harixhitëve, murxhi-tëve, rafiditëve, kaderitëve, mu’tezilitëve, xhemitëve, keramitëve, esh’aritëve e kështu me radhë. Sipas fjalëve të tij, mësimi i El-Esh’ariut është vetëm lidhje e pikëpamjeve të xhehmitëve, nexharitëve, diraritëve etj. Veçan ka pasur vërejtje në mësimin e El-Esh’ariut mbi paracaktimin (kader), mbi cilësitë hyjnore (esma’), mbi dispozitat (ahkam) dhe mbi kryerjen e kërcënimeve etj.

Në shumë mendime ka shprehur mospajtim me juristët udhëheqës. Për shembull: 1) ka hedhur poshtë praktikën e taklidit, sipas të cilës burri ka mundur ta martojë gruan që ka bërë tri herë divorc, pasi që ajo, në ndërkohë, është martuar për njeriun që do të pajtohet që menjëherë të heq dorë nga ajo; 2) refuzimi i gruas nuk ishte i plotëfuqishëm nëse refuzimi erdhi gjatë kohës së pastrimit mujor; 3) lejohet pagimi i tatimit që nuk është i paraparë me të drejtën hyjnore, e ai që i paguan lirohet nga zekati; 4) mendimi kundrejt ixhmait nuk do të thotë pabesim dhe jofe.

Ibn Tejmije ka marrë guxim t’i atakojë njerëzit lavdia dhe autoriteti i të cilëve kanë qenë të njohur në botën islame: nga minberi i xhamisë El-Xhebel në Es-Salihij ka deklaruar se Omer Ibn el-Hattabi ka bërë shumë gabime. Ka deklaruar po ashtu se Ali Ibn Ebi Talibi ka bërë treqind gabime. Ashpër e ka sulmuar El-Gazaliun, Muhjidin Ibn El-Arebiun, Umer ibn El-Faridin dhe sufinjtë përgjithësisht. Sa i përket El-Gazaliut, i ka atakuar pikëpamjet e tij filozofike të ekspozuara në veprën El-Munkidhu min’ed-dalal dhe në veprën Ihja, që përmban numër të madh të haditheve jo të drejta. “Sufinjt dhe mutekel-liminët janë nga rrafshi i njëjtë”, ka deklaruar ai. Ibn Tejmije me rreptësi të madhe e ka sulmuar filozofinë greke dhe përfaqësue-sit e saj muslimanë, veçan Ibn Sinain dhe Ibn Seb’inin.

Pasi që Islami është dërguar të zëvendësojë judaizmin dhe kristianizmin, është e kuptueshme që Ibn Tejmije do të sulmojë edhe njërin edhe tjetrin. I ka akuzuar hebraikët dhe kristianët se kanë ndërruar domethënien e një numri të caktuar fjalësh në librat e veta të shenjta, kurse ka shkruar edhe pamflete kundër mirëmbajtjes dhe ndërtimit të sinagogave dhe veçan kishave.

Dijetarët islamë nuk pajtohen në aspekt të be-simdrejtësisë së Ibn Tejmijes. Ndër ata që, më së paku, e konsiderojnë besimshtrembër, ceken këta emra: Ibn Batuta, Ibn Haxher el-Hejthemi, Tekijjuddin Es-Subki dhe i biri i tij Abdu’l-vehhabi, Izuddin Ibn Xhema’a, Ebu Hajan edh-Dhahiri el-Endelusi etj. Ndërkaq, më shumë janë ata që e lavdërojnë se ata që e qortojnë: nxënësi i tij Ibn Kajjim el-Xhevziu, edh-Dhehebiu, Ibn Kudame, es-Sarsari es-Safi, Ibn el-Verdi, Ibrahim el-Kurani, Ali el-Kari el-Hereviu, Mahmud el-Alusi etj. Këto dallime në vlerësim të Ibn Tejmijes shtrihen deri në ditët e sotme …

Na është e njohur se themeluesi i vehabizmit ishte i lidhur me dijetarët hanbelitë nga Damasku dhe se ka përdorur punimet e tyre, veçan ato të Ibn Tejmijes dhe të nxënësit të tij Ibn Kajjim el-Xhevziut. Principet e mësimit të ri pikërisht janë ato për të cilat ka luftuar teologu i madh hanbelit tërë jetën. Edhe grupi reformist egjiptian i Muhammed Abduhusë thellë i ka respektuar veprat e Ibn Tejmijes.[1]

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Nga: Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevë, 1990, fq. 260 – 261.
Për Ibn Tejmijen kemi analiza nga më të ndryshmet: nga ata që e refuzojnë deri te ata që e lartësojnë. Pa pretendim se ky shkrim do ta ofrojë fjalën e fundit, konsiderojmë se është neutral dhe mund të ndihmojë për angazhime edhe më konstruktive. (NI).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme