Shënimi i përkthyesit Muntasir Zaman
Fragmenti i mëposhtëm eksploron teorinë ligjore (Usul 'ul-Fikh) të Imam Muhammed ibn El-Hasan Esh-Shejbaniut (vd. 189 h.), një pionier i shkollës hanefite dhe ndihmësi kryesor i eponimit të saj[2], në dritën e polemikës së tij historike kundër medinasve, El-Huxhxheh ʿala Ehl 'il-Medineh.[3] Duke pasur parasysh lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me Imam Malikun dhe ndikimin e saj të mëvonshëm në shkrimet e Imam Shafiut, El-Huxhxheh është një burim me vlerë të jashtëzakonshme për studimet ndër-medhhebore. Fakti që katër shkollat juridike janë të lidhura ngushtë si në ligjet e tyre themelore ashtu edhe në ato periferike nuk kërkon prezantim.[4] Shejh Zahid El-Kevtheri vë në dukje se këto shkolla, të cilat në shërbimet e tyre ndaj fesë janë si një familje, pajtohen në tre të katërtat e vendimeve ligjore.[5] Roli thelbësor i Shejbaniut në urëzimin e shkollave kryesore juridike i bën veprat e tij një pikënisje të frytshme në kuptimin e zhvillimit të - dhe shkëmbimit akademik ndërmjet - shkollave juridike më të dalluara.[6] Për më tepër, një studim i veprave të juristëve gjatë periudhës formative të Islamit është thelbësor për të vlerësuar mendimin ligjor dhe metodologjinë që shërben si gurë-themeli i jurisprudencës së mëvonshme islame.
Ky fragment është pjesë e një hulumtimi më të gjerë nga autori, një profesor i lartë në Dar 'ul-Hadith El-Hasenijjeh në Rabat, Marok, rreth shkëmbimeve të hershme akademike mes figurave të ndritura si Imamët Malik, Lejth ibn Sa'd, Shejbaniu dhe Shafi'iu (Allahu i pastë mëshiruar). Libri i Dr. Naxhi Leminit i titulluar "Ma bejne Malik ve 'l-Lejth ve Muhammed ibn El-Hasan Esh-Shejbani" është një lexim i domosdoshëm për çdo student serioz të sheriatit islam. Gjatë përkthimit kemi marrë lirinë [e përshtatjes] dhe pasazhet janë shkurtuar për të lejuar një lexim më të lehtë.
(Përfundon shënimi i M.Z.)
Përmbledhje e El-Huxhxhetu ala ehl'il-Medineh
Imam Muhammed ibn El-Hasan Esh-Shejbaniu e shkroi El-Huxhxhen si një përgënjeshtrim ose kundërshtim (redd) ndaj medinasve, veçanërisht ndaj kryejuristit të tyre, Imam Malik ibn Enes. Ai analizon çështjet më thelbësore ligjore - rreth 400 në numër - ku dijetarët medinas nuk pajtohen me mentorin e tij Imam Ebu Hanifen. Ai kryesisht mbështet mentorin e tij. Një ekzaminim i afërt i El-Huxhxhes zbulon se Shejbaniu studioi me dijetarë tjerë medinas krahas Malikut, duke zotëruar teoritë e tyre ligjore dhe metodologjitë e deduksionit, duke debatuar dhe kundërshtuar ata në çështjet ku ata nuk pajtoheshin me mentorin e tij Ebu Hanifen. Por pjesa më e madhe e qëndrimit të tij në Medinë u kalua në rrethin e studimit të Malikut, duke qenë se ai ishte juristi i tyre kryesor.
El-Muvettaʾ ishte ndër librat që Shejbaniu dha mësim (ligjëroi) pas kthimit të tij në Irak. Ibn Hibban në Ed-Duafa shënon se Shejbaniu ishte "i pari që kundërshtoi medinasit dhe mbështeti mentorin e tij, d.m.th. Nu'manin (Ebu Hanifen)."[7] Ibn Ebi Hatimi transmeton një dialog midis Shejbaniut dhe Shafiut që sugjeron se qëllimi i të parit me frazën "medinasit" është vetëm Malik ibn Enesi, jo të gjithë medinasit.[8] Megjithatë, kushdo që shqyrton El-Huxhxhen do të kuptojë se Shejbaniu ka për qëllim juristët medinas në përgjithësi, siç dëshmohet, mes tjerash, nga pasazhi i mëposhtëm:
Medinasit deklarojnë: "Udhëtari mund t'u japë mes'h mesteve (huffejn) pa kufizim kohor. Sipas mendimit tonë, nuk ka një kohë të caktuar për t'i dhënë mes'h mesteve për sa kohë që dikush është udhëtar." Por ata nuk pajtohen në lidhje me banorin vendas. Disa nga medinasit, si Maliku, deklarojnë: "Vendasi nuk mund t'u japë mes'h mesteve." Medinasë të tjerë thonë: "Udhëtari dhe vendasi kanë të njëjtin rregull: atyre u lejohet t'u japin mes'h mesteve pa kufizim kohor." Ky ishte mendimi i Abdulaziz [ibn Ebi Hazim Selemes] dhe të tjerëve. Malik ibn Enesi e ka pasur dikur këtë mendim, por më pas u kthye në mendimin se vendasi nuk mund t'u japë mes'h mesteve.[9]
Sidoqoftë, Imam Maliku është i adresuari kryesor i El-Huxhxhes sepse ai ishte juristi udhëheqës i Medinës dhe Shejbaniu ishte studenti i tij i drejtpërdrejtë dhe një transmetues i Muvaṭta-së së tij; ai e përmend shprehimisht emrin e Malikut gjatë gjithë librit. Ai thotë, për shembull, "Juristi i tyre kryesor, Malik ibn Enes, mendon se...".[10] Ndonjëherë, Shejbaniu kundërshton edhe ata të Hixhazit në disa vendime, duke pasur parasysh me këtë mekasit, ndër të cilët është Imam Shafiu dhe të tjerë.[11]
Mënyra e Veprimit (Modus Operandi) e Shejbaniut në El-Huxhxheh
Teksa paraqet çështjet ligjore, Shejbaniu nuk përvetëson një stil njëlloj të vazhdueshëm. Ai e fillon një kapitull duke cituar pikëpamjen e Ebu Hanifes dhe më pas pikëpamjen e medinasve, pasuar nga provat mbështetëse për të parin. Ndonjëherë, ai citon pikëpamjen e Ebu Hanifes, dhe më pas atë të medinasve dhe pastaj analizon në mënyrë kritike pikëpamjen e tyre dhe provat mbështetëse përpara se të paraqesë provat e Ebu Hanifes. Herë të tjera, ai citon pikëpamjen e Ebu Hanifes krahas një ekspozimi të përgjithshëm të provave të tij mbështetëse dhe pastaj opinionin e medinasve krahas një ekspozimi dhe analize të përgjithshme të provave të tyre, duke përfunduar me mbështetjen për pikëpamjen e Ebu Hanifes. Ndonjëherë, ai paraqet kundërshtime ndaj pozicionit të mësuesit të tij dhe u përgjigjet atyre. Në rregulla të caktuara, ai mban anën e medinasve, dhe në të tjera, ai nuk pajtohet as me Ebu Hanifen as me medinasit fare, duke mbajtur një pikëpamje të pavarur. Kjo dëshmon sinqeritetin dhe qëllimin e tij fisnik.
Rëndësia e El-Huxhxhes
El-Huxhxheh thellohet në një sërë diskutimesh të rëndësishme mbi historinë e formimit të ligjit.
Së pari, disa pasazhe tregojnë se ka pasur mosmarrëveshje thelbësore juridike dhe teorike midis irakianëve dhe medinasve. Për shembull, ai deklaron: "Ndër kritikat e tyre ndaj irakianëve, medinasit thonë: "Ne nuk e njohim shkurorëzimin e parevokueshëm përveçse në rastin e ndarjes me kompensim (hulʿ).""[12]
Së dyti, El-Huxhxheh është një vepër formative në fushën e polemikës dhe debateve juridike dhe teorike. Për shembull, ai deklaron:
Kur një person e shkurorëzon gruan e tij në mënyrë të parevokueshme tre herë, e cila më pas martohet me një burrë tjetër pas përfundimit të periudhës së saj të pritjes dhe e konsumon martesën ndërsa është me menstruacione dhe më pas divorcohet, Ebu Hanife pohon se asaj i lejohet të rimartohet me burrin e parë sepse burri i dytë kishte marrëdhënie me të ndërsa ajo ishte gruaja e tij. Medinasit deklarojnë se asaj nuk i lejohet të rimartohet me burrin e parë sepse burri i dytë e konsumoi martesën gjatë periudhës menstruale të gruas.
Më pas ai shkruan:
A besoni se ky konsumim e bën të detyrueshme periudhën e pritjes dhe pagesën e plotë të mehrit? Ata përgjigjen pozitivisht. U thuhet atyre: "Si e bën të detyrueshme këtë por nuk i lejon asaj të rimartohet me burrin e parë? Cila është pikëpamja juaj për një burrë që i bën dhihar (krahasim të gruas me një mahrem) gruas së tij përpara konsumimit; a është e përshtatshme që ai të ketë marrëdhënie me të përpara se të bëj kompensim? Ata përgjigjen negativisht. Atyre u thuhet: "Nëse ai ka marrëdhënie me të dhe pastaj e divorcon dhe pastaj përfundon periudha e saj e pritjes, a i lejohet asaj të rimartohet me burrin e parë që e shkurorëzoi atë në mënyrë të parevokueshme? Nëse përgjigjeni se nuk e lejon të rimartohet me burrin e parë, atëherë kjo nuk duhet të jetë problematike sipas dijetarëve. Por nëse thoni se e lejon atë të rimartohet me burrin e parë, atëherë keni braktisur qëndrimin tuaj fillestar….".[13]
Shkurtimisht, ai u demonstron bashkëbiseduesve të tij sesi ata në mënyrë arbitrare i bashkojnë çështjet e ndryshme dhe i ndajnë ato identike.
Së treti, El-Huxhxheh është një nga burimet më të hershme për debatet ndër-medhhebore. Në një vend, ai thotë: "Pikëpamja e Ebu Hanifes është e saktë, dhe kjo është pikëpamja e irakianëve." Më pas ai jep prova mbështetëse për atë pikëpamje dhe shpjegon dobësinë e pikëpamjes së bashkëbiseduesit.
Së katërti, El-Huxhxheh është një nga veprat më të hershme mbi teorinë ligjore dhe nomenklaturën e hadithit. Ajo paraqet një sërë maksimash dhe parimesh ligjore që u bënë subjekt i debateve të mëvonshme. Më poshtë janë disa shembuj.
- Siguria (jekin) nuk duhet të braktiset për supozimin/dyshimin (dhann). Nëse supozimi ndiqet në çështje [ku ekziston siguria], vendimi nuk do të ishte i vlefshëm.[14]
- Nuk ka hapësirë për arsyetim analogjik në prani të lajmeve të transmetuara; i pari (kijasi) duhet t'i nënshtrohet të dytit.[15]
- Ai që bën analogji bazuar në Sunet dhe në lajmet e transmetuara duhet ta bëjë këtë mbi Sunetin për sa kohë që nuk ekziston ndonjë lajm i transmetuar në fusha ku ekzistojnë transmetime për raste të ngjashme.[16]
- Nëse ka transmetues që të dy janë të besueshëm dhe të saktë në transmetimin e tyre, transmetimi i atij që thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s., preferohet mbi atë që thotë: "Unë nuk e dëgjova atë."[17]
- Kur juristët theksojnë një çështje, merrni mendimin më të kujdesshëm kur ka hadithe kontradiktore mbi këtë temë.[18]
- Çdo ndarje e iniciuar nga një grua nuk konsiderohet fare si talak (shkurorëzim).[19]
- I obliguari ligjërisht (mukel-lef) do ta kompensojë të ngjashmen e asaj që i ishte bërë e detyrueshme.[20]
Vlen të përmendet se juristët dhe autorët e mëvonshëm hanefi citojnë maksima që Shejbaniu nuk i përmendi kurrë, pavarësisht nevojës së kontekstit për ta bërë këtë. Për shembull, gjatë hedhjes poshtë të hadithit të Busrës (Allahu qoftë i kënaqur me të) mbi domosdoshmërinë e marrjes së abdestit (vudu) pas prekjes së pjesëve intime, dijetarët hanefi citojnë maksimën e mëposhtme: lajmet e izoluara (ahad) në lidhje me sprovat e përgjithshme do të refuzohen; prekja e pjesës intime është një sprovë e përgjithshme, dhe për rrjedhojë, kërkohet një hadith mutevatir ose meshhur. Shejbaniu e shqyrtoi këtë hadith ndërsa diskutonte vendimin në fjalë, por ai nuk e hodhi poshtë atë bazuar në maksimën e lartpërmendur. Përkundrazi, ai e hodhi poshtë sepse shumë sahabë nuk vepruan sipas tij dhe për shkak të pranisë së një hadithi kontradiktor, të cilin ai e transmetoi përmes një zinxhiri të cunguar (mursel/munkaṭiʿ), ku Pejgamberi s.a.v.s. pyetet për marrjen e abdesit pas prekjes së pjesëve intime, për të cilën ai u përgjigj: "A nuk është ajo vetëm një nga pjesët e trupit tënd?" dhe ai nuk e konsideroi abdestin të nevojshëm. Më pas ai përmend atë që mund të përmblidhet si në vijim: një hadith - edhe duke pranuar vërtetësinë e zinxhirit (isnad) të tij - që bie ndesh me prova më të forta do të refuzohet.[21] Kjo tregon se shumë nga parimet që hanefijtë e mëvonshëm i përmendin në librat mbi teorinë ligjore dhe jurisprudencën janë, në fakt, të nxjerra nga vendimet e Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij, është e pasaktë t'ua atribuosh këto parime atyre (Ebu Hanifes etj.) si të tyret.
Këta janë shembuj në shkencat e teorisë ligjore dhe nomenklaturës së hadithit. Ka gjithashtu shembuj të panumërt të terminologjive. Shafi'u artikuloi shumë prej tyre dhe nëpërmjet tij ato bënë rrugën e tyre në shkencat e jurisprudencës, teorisë ligjore dhe nomenklaturës së hadithit. Më poshtë janë disa nga këto terminologji: muhtelef 'ul-hadith, mushkil 'ul-athar, el-hadith dhe el-athar, la kijas meʿa 'l-athar, el-ahdh bi 'th-thikkah (marrja e pikëpamjes më të kujdesshme), el-hadith 'ul-ma'ruf el-meshhur, evthak 'ul-ehadith, er-ravi eth-thikkah, es-sunneh dhe el-vaxhib.
El-Huxhxheh gjithashtu thekson disa nga parimet e medinasve.[22] Fakti që El-Huxhxheh i artikulon këto parime është me vlerë të jashtëzakonshme për arsye të shumta. Së pari, Shejbaniu është një jurist i kualifikuar i cili është i njohur mirë me parimet e atyre nga të cilët ai transmeton. Për më tepër, parimet që Shejbaniu transmeton nuk janë mbledhur në asnjë vepër të pavarur. Gjatë ushtrimit të ixhtihadit, juristët aplikonin maksima dhe parime të vendosura të cilat ata nuk i dokumentonin në një libër të pavarur.
Kundërshtimet kryesore të Shejbaniut
Në përgjithësi, kritika më e rëndësishme e Shejbaniut kundër medinasve, veçanërisht Malikut, mund të përmblidhet në dy pika:
(i) Medinasit i hedhin poshtë lajmet e transmetuara (athar/ehadith);
(ii) Ata bashkojnë çështje të ndryshme dhe ndajnë çështje identike.
Më konkretisht, ai kritikon shkujdesin e tyre për mospërputhjen; dështimin për të mbështetur analogjinë që rezulton nga pikëpamjet e tyre; përdorimin e dijes medinase duke përjashtuar dijen e rajoneve të tjera; përzgjedhjen arbitrare pa asnjë lajm të transmetuar mbështetës ose deduksion të konsideruar; mbajtjen e anës së analogjisë kundër lajmeve të transmetuara në një temë të caktuar; dhe marrjen e pikëpamjes së një Pasuesi (tabi'in) kundrejt opinionit të një Pasuesi që është një jurist më i kualifikuar.
Bazat e Shejbaniut për Preferencë
Është e qartë nga ajo që u përmend sipër se kritika e Shejbaniut ndaj medinasve nuk rridhte nga një ndryshim jetik metodologjik në deduksion, sepse të dyja palët përdorin precedentin, praktikën dhe diskrecionin juridik (istihsan) kur analogjia nuk është një mundësi e përshtatshme. Kritika e tij vërtitet rreth asaj se sa njëra palë preferon disa hadithe dhe lajme pas-pejgamberike mbi të tjerat ose forma të caktuara të analogjisë dhe diskrecionit juridik mbi të tjerat. Më poshtë janë bazat e Shejbaniut për të preferuar një pikëpamje mbi tjetrën.
Ai preferon lajmin e juristit më të kualifikuar dhe hadithin më autentik (sipas vlerësimit të tij, natyrisht)[23], mendimit që përkrahet nga shumica e dijetarëve dhe që ka vazhdimësi në praktikën e mëhershme,[24] praktikën Kufane,[25] hadithet dhe lajmet që janë të njohura gjerësisht midis Kufanëve dhe kritikën ndaj haditheve të paraqitura nga medinasit,[26] atë që është konsensuale dhe e njohur në ligj kur provat në të dyja anët janë po aq bindëse,[27] dhe pikëpamjen më të kujdesshme kur ka transmetime kontradiktore.[28]
Për të qenë i drejtë, kritika e Shejbaniut ndaj medinasve u motivua nga zelli akademik, jo fanatizmi ndaj medhhebit, siç dëshmohet nga mospajtimi i tij i herëpashershëm me Ebu Hanifen dhe mbështetja për medinasit bazuar në forcën e argumentit të tyre.[29] Në raste të caktuara, ai madje nuk pajtohet me asnjërën palë, duke mbajtur në mënyrë të pavarur pikëpamjen që ai e konsideron më autoritative.[30]
Përktheu në shqip: Fatih Ibrahimi
[1] Përkthyer në anglisht: Muntasir Zaman. [Dr. Naxhi Lemin, Ma bejne Malik ve 'l-Lejth ve Muhammed ibn 'il-Hasan Esh-Shejbani, fq. 70-83.]
[2] Për një biografi të shkurtër por koncize të Shejbaniut, shikoni Bulug'ul-Emani fi Sirat 'il-Imam Muhammed ibn 'il-Hasan Esh-Shejbani të Imam Zahid El-Kevtheriut.
[3] Për një studim të metodologjisë së Shejbaniut në veprën e tij më të famshme, El-Aṣl, shihni Boynukalin, hyrje në El-Aṣl, fq. 176. Mbi recensionin e Shejbaniut të El-Muvaṭṭaʾit, shikoni Volkan, A New Historical Model and Periodization of the Sunnah of the Prophet and His Companions (disertacion i pabotuar), fq. 283-297.
[4] Dr. Umar Abdullah ofron një analogji të bukur mbi ngjashmëritë midis katër shkollave ligjore. Ai shkruan: "Në realitet, nuk kishte asnjë dallim të thellë midis Shafi'ut dhe Imamëve të tjerë në lidhje me Islamin si një fe e ligjeve. Të gjithë ata e shikonin Islamin si një strukturë gjithëpërfshirëse të rregullave kuptimplota dhe një legjislacioni qëllimplotë. Secili do të kishte rënë dakord se e vërteta dhe përsosmëria e tij përfundimtare shfaqen në "dizajnin e tij thelbësisht legjislativ." Por ata nuk u pajtuan për endësin dhe vegjën (tezgjahun), fillin dhe thurjen. Ebu Hanife dhe Shafiu i drejtuan burimet e tyre në hierarki vertikale. Maliku dhe Ibn Hanbeli i ndërthurën ato në sinergji horizontale. Katër mjeshtrit dallonin në numrin dhe natyrën e rrotullave të fijeve tekstuale dhe jo-tekstuale që përdornin, dhe ata përdorën drugëzën (mjetin) e arsyes në mënyra të ndryshme. Maliku dhe Ebu Hanife e interpretuan arsyetimin ligjor në një mënyrë që sodiste qëllimin dhe dizajnin përfundimtar siç kërkohet në mënyrë të nënkuptuar në burimet e saj. Shafiu dhe Ibn Hanbeli iu përmbajtën rreptësisht modelit të vendosur të vetë shpalljes siç tregohet shprehimisht në tekste." Shih Abdullah, Malik and Medina, fq. 152.
[5] El-Kevtheri, Mekalat 'ul-Kevtheri, fq. 122.
[6] Shih, për shembull, Ed-Desuki, El-Imam Muhammad ibn El-Hasan Esh-Shejbani ve atharuhu fi 'l-Fikh 'il-Islamij, fq. 366-72.
[7] Ibn Hiban, El-Mexhruhin, vëll. 2, fq. 276.
[8] Er-Razi, Adab 'ul-Shafiʿi ve Menakibuhu, fq. 164-66.
[9] Esh-Shejbani, El-Huxheh, vëll. 1, fq. 23-24. Gjithashtu shih po aty, fq. 378
[10] Shih, për shembull, Po aty, fq. 229.
[11] Shih, për shembull, Po aty, fq. 352 (me fusnotat).
[12] Po aty, vëll. 4, fq. 38.
[13] Po aty, fq. 104.
[14] Po aty, fq. 97.
[15] Po aty, vëll. 1, fq. 204.
[16] Po aty, fq. 45.
[17] Po aty, fq. 226.
[18] Po aty, fq. 186-87.
[19] Po aty, vëll. 4, fq. 20.
[20] Po aty, vëll. 1, fq. 179.
[21] Po aty, fq. 60-64.
[22] Po aty, fq. 24.
[23] Po aty, fq. 225-26.
[24] Po aty, fq. 315.
[25] Po aty, fq. 7.
[26] Po aty, fq. 220.
[27] Po aty, fq. 319, 326, 327, 341.
[28] Po aty, fq. 166, 266, 182, 187, 230.
[29] Po aty, fq. 334-35.
[30] Po aty, fq. 310.
