Eskatologjia islamike ka të bëjë me interpretimin e paralajmërimeve në lidhje me “Fundin e Kohës”, duke përfshirë ato në lidhje me trazirat shoqërore, ekonomike dhe politike. Në përgjithësi, postmoderniteti është një gjendje e karakterizuar nga humbja e sigurisë dhe koherencës epistemike dhe narrative. Nuk duhet shumë mprehtësi për të zbuluar lidhjen midis postmodernitetit dhe një ndjenje në rritje të shqetësimit. Në të kundërt, mësimet islamike janë të ankoruara në spiritualitet dhe ofrojnë një mënyrë për të lundruar në dimensionet apokaliptike të ndryshimit të klimës dhe pandemisë aktuale COVID-19. Mendimi i thellë për situatën tonë aktuale nënvizon se ne jetojmë në kohë interesante. Në mënyrë që të shikojmë përtej histerikave, duhet të shqyrtojmë me kujdes eskatologjinë islamike dhe mënyrën se si ajo deshifron me sukses kuptimin pas postmodernitetit.
Postmoderniteti dhe simptomat e tij shoqërohen me eskatologji më të gjerë islamike. Në thelb, shfaqja e modernitetit dhe tani postmoderniteti destabilizoi mizanin (ekuilibrin). Projekti i Iluminizmit, i cili filloi në Perëndim dhe u eksportua me forcë në pjesën tjetër të botës, thekson kapitalizmin dhe mundësinë e rritjes së pafund ekonomike dhe përparimit njerëzor. Si pasojë, kjo ka çuar në shkatërrim të gjerë mjedisor siç pasqyrohet në perspektivën e ndryshimit të klimës. Për aq sa ambientalizmi e sheh fillimin e modernizmit si etikisht katastrofik dhe ka rezerva serioze me projektin e Iluminizmit, ai lidhet mirë me shqetësimet eskatologjike islamike. Për shembull, Kur'ani parashikon me saktësi ndikimin e civilizimit njerëzor në planet. Kur'ani shprehet se si korrupsioni do të përhapet në një shkallë të gjerë dhe thekson se si ky do të jetë produkti përfundimtar i lakmisë njerëzore.[1] Si rezultat, mësimet islamike nxjerrin në pah natyrën e dëmshme të konsensusit postmodern si dhe mitin e përparimit i cili mbështet modernitetin e lëngshëm. Sidoqoftë, shumë ide iluministe në lidhje me përparimin njerëzor po sfidohen nga pandemia dhe shkalla e katastrofës mjedisore që është shumë e madhe për t'u ndalur lehtë.
Prandaj, çdo besim se, pandemia COVID-19 do të jetë zgjidhja e ngrohjes globale është naive dhe e rrezikshme.[2]
Islami jo vetëm që paraqet një pamje të qartë të paradigmës aktuale dhe problemeve që lindin nga reketimi mjedisor, por gjithashtu përcakton udhëzime të rrepta. Pejgamberi Muhamed s.a.s. theksoi se si një civilizim i qëndrueshëm islamik duhet të frenojë konsumin e dukshëm, shpyllëzimet dhe harxhimin e ujit.[3] Në një masë të konsiderueshme, ky kuptim përfshin rimendimin e paradigmës aktuale dhe propozimin e zgjidhjeve të guximshme për ngërçin aktual. Problemet aktuale mjedisore si shiu acid dhe smogu interpretohen si shenja të Fundit të Kohës.[4] Për shembull, "shiu do të jetë acid ose djegës" (në: Taberaniu, Hakimi). Duke theksuar vlerat e para-iluminizmit si lidhja midis besimit dhe politikës, Islami thekson idetë e kujdestarisë dhe përgjegjësisë njerëzore. Prandaj, ka prova të qarta se si njerëz është detyra jonë të kujdesemi për këtë Tokë.[5] Kjo mund të jetë një thirrje frymëzuese për veprim. Fondacioni Islam për Ekologjinë dhe Shkencën e Mjedisit ka siguruar një plan të suksesshëm të asaj se si duket zhvillimi i qëndrueshëm dhe demonstron se si të kufizohen efektet e këqija ekologjike të sistemit ekonomik kapitalist.
Për më tepër, eskatologjia islame është e lidhur ngushtë me shqetësimet morale që rrethojnë postmodernitetin dhe teknologjinë. Muhamedi s.a.s. parashikoi hapa të pabesueshëm në përparimin teknologjik, si dhe ndryshimin e përhapur shoqëror: njerëzit do të jenë aq të lidhur me këtë botë, do të ngrenë ndërtesa të mëdha dhe do të refuzojnë fenë e Allahut.[6] Prandaj, Muhamedi s.a.s parashikoi zhvillimin e rrokaqiejve në Arabi krahas konsumerizmit dhe materializmit. Këto zhvillime shoqërohen me pasiguri postmoderne, pasi perceptimi ynë për kohën ka ndryshuar për shkak të natyrës së lidhur dhe të shpejtë të realitetit tonë të tanishëm.[7] Si pasojë, pavarësisht progresit të konsiderueshëm material, jeta e përditshme vuan pasi humbet ritmin, kuptimin dhe të mirën e përgjithshme.
Postmoderniteti dhe eskatologjia islame mbivendosen pasi të dyat kanë të bëjnë me dobësimin e umetit (bashkësisë) muslimane. Muhamedi s.a.s paralajmëroi se si disa muslimanë do të ndjekin verbërisht shembullin e qëndrimit të tyre fetar.[8] I Dërguari s.a.s. tha: Dita e gjykimit nuk do të vijë derisa Umeti im të miratojë atë që paraardhësit e shekujve të fundit miratuan, saktësisht dhe verbërisht. [El-Buhari]. Një udhëzim i tillë pejgamberik duket i duhur për shkak të trashëgimisë së anglicizimit të detyruar, kolonializmit dhe modernitetit në botën muslimane. Në një nivel më të thellë të të analizuarit, kjo demonstrohet nga mënyra se si të kolonizuarit priren të përvetësojnë idenë e inferioritetit të tyre dhe në fund të fundit vijnë të imitojnë shtypësit e tyre.[9] Pjesa më e madhe e kësaj ka të bëjë me internalizimin e standardeve koloniale dhe përdorimin e gjerë të detyrimit dhe propagandës. Trashëgimia socio-politike e kësaj mund të shihet në qëndrueshmërinë e idealeve eurocentrike brenda sferave intelektuale, politike dhe gjeopolitike. Për më tepër, zbatimi i ideologjisë eurocentrike varet nga zhvillimi i institucioneve koloniale. Kjo mund të demonstrohet nga presioni mbi shtetet muslimane në Jugun Global, për të krijuar institucione politike të cilat sillen në mënyrë të ngjashme me institucionet politike në Veri, të cilët ndjekin një kornizë moderniste evropiane të institucioneve të pranueshme politike.[10]
Në përgjithësi, iluminizmi dhe postmoderniteti sinjalizojnë Fundin e Kohës (Ditën e Kijametit). Ato ofrojnë një ndryshim diskursiv në të kuptuarit dhe prishin kufijtë politikë tradicionalë. Kjo ka qenë e dëmshme për umetin musliman. Forca e modernitetit global, të homogjenizuar ka minuar normat islamike duke prishur lidhjen midis besimit dhe politikës, siç ishte parathënë në paralajmërimet e Muhamedit s.a.s. 1400 vjet më parë. Shpërthimi i modernizmit dhe pasmodernitetit pasues - forcuan ndikimin e kolonializmit, perandorisë dhe globalizimit. Në tërësi, ngritja e institucioneve perëndimore dhe ideologjia eurocentrike e zbatuar përmes teknologjisë, tregtisë dhe fuqisë ushtarake - zhvendosi vlerat tradicionale islamike. Ndërsa civilizimi perëndimor i ka hapur rrugën tepricës kapitaliste dhe çekuilibrit mjedisor, këto probleme mund të fillojnë të kundërshtohen nga një përqafim i eskatologjisë islamike dhe shpresës dhe paradijes që Islami ofron.
Përktheu[11]:
N. Ibrahimi
[1] Chebli, Sarah. 2019. “Climate Change & Islam: A Call To Act – ISAIAH”. ISAIAH. https://isaiahmn.org/2019/09/28/climate-change-islam-a-call-to-act/
[2] Gornall, Jonathan. 2020. “It Is A Myth That COVID-19 Will Save The World From Environmental Catastrophe”. Arab News. https://www.arabnews.com/node/1675326/
[3] Chebli, Sarah. 2019. “Climate Change & Islam: A Call To Act – ISAIAH”. ISAIAH. https://isaiahmn.org/2019/09/28/climate-change-islam-a-call-to-act/
[4] Haider Ali Qutbshahi Awan, Malik. 2010. “2012 End Of The World – Islamic View, 06/02/10, Malik Haider Ali Mehmud Qutbshahi Awan”. Blogs.Warwick.Ac.Uk. https://blogs.warwick.ac.uk/haidermehmud/entry/2012_end_of/
[5] Chebli, Sarah. 2019. “Climate Change & Islam: A Call To Act – ISAIAH”. ISAIAH. https://isaiahmn.org/2019/09/28/climate-change-islam-a-call-to-act/
[6] Ibn Muhammad Al-Qassem, Abdel-Muhsin. 2012. “Signs Of The Hour – Islamway”. En.Islamway.Net https://en.islamway.net/article/11971/signs-of-the-hour.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Mayblin, Lucy. 2015. “FANON, Frantz”. GLOBAL SOCIAL THEORY. https://globalsocialtheory.org/thinkers/franz-fanon/.
[10] Sagoe, Cecil. 2012. “The Neo-Colonialism Of Development Programs”. E-International Relations. https://www.e-ir.info/2012/08/12/the-neo-colonialism-of-development-programs/.
[11] Burimi: https://traversingtradition.com/2020/09/21/islamic-eschatology-and-postmodernity/.
