Aktualiteti i të drejtës islame në kohë dhe në hapësirë

Shqyrtim hyrës

 

Brenda një shekulli Islami si fe e sistem jete u shtri prej Spanjës deri në Kinë dhe prej thellësisë së Af­ri­kës deri në pjesët kontinentale të Evropës e Azisë Pe­rë­n­dimore. Në këtë hapësirë të gjerë “muslimanët janë ba­llafaquar dhe fërkuar me zakonet, traditat dhe gojëdhënat e llojllojshme kundër­thë­nëse”, (Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraseti sh-sheri’ati-l-islamijjeh, bot. IV, El-Iskenderijje, (-), fq. 142.) apo si e thotë këtë dijetari El-Karadavi, “sheri’ati është ndeshur dhe është pranuar nga popuj të ndryshëm: me civilizim të lashtë, popuj mesatarisht të zhvilluar dhe me popuj mjaft primitivë. Do­me­thënë, Sheri’ati u ballafaqua me sis­temet e përparuara fi­nanciare, administrative, shoqërore-politike, sikur që është ballafaquar edhe me ngjarjet e pazakonshme dhe prob­lemet e reja që nuk kanë qenë të njohura në kohën e Pejgamberit a.s.” (Jusuf El-Karadavi, Islamsko pravo, Sarajevo, 1987, fq. 15.) Kështu, dijetarët e asaj kohe u ob­li­gu­an që kushtet e reja të jetesës t’i shqyrtojnë e t’i stu­dioj­në në dritën e frymës islame, respektivisht në frymën e burimeve të doktrinës islame. Këtë obligim ata edhe e kup­­tuan të cilën gjë më së miri na e argumenton vrojtimi i M. Ikballit, kur thotë: “... që nga gjysma e shekullit të parë e deri në fillim të shekullit IV, janë paraqitur nën­të­mbë­dhjetë shkolla dhe shkenca juridike në Islam. Vetë ky fakt është i mjaftueshëm të tregojë se sa kanë punuar ju­ristët tanë të parë që t’ju përgjigjen nevojave të një qy­te­tërimi në rritje.” (Muhamed Ikball, Përtëritja e men­dimit fetar në Islam, Shkup, 2006, kapitulli V.) Kurse autori i proveniencës kristiane G. Makdisi thotë se “veprimtarinë intensive në fushën e drej­tësisë e dëshmon e dhëna për ekzistimin e rreth 500 shko­llave të ndryshme të mendimit juridik”. (George Makdisi, Sunni Schools of Law in Islamic Religions History, “In­ternational Journal of Middle East Studies”, X/1979, fq. 3, cituar si­pas: Fikret Karcic, Opsti pogled na pravo u Islamu, “Zbornik ra­do­va Islamskog teolo{kog fakulteta u Sarajevu”, Sarajevo, 3/90, 1990, fq. 9. Sigurisht autori me këtë rast i numëron edhe shkollat më të vogla, që gjatë kohës janë shkrirë në shkollat më të mëdha ose janë zhdukur të­rë­sisht.)

Këtë zhvillim të paparë ideor e shkencor, B. Lewis e ko­menton kështu: “Ekzistimi i shkollave të shumta ideo­re në komentimin dhe aplikimin e sheri’atit është dësh­mia ... e to­lerancës dhe maturisë islame...”. (Bernard Lewis, El-Garbu ve-sh-sharku-l-evsat, fq. 83-84, sipas: Jusuf El-Karadavi, op. cit., fq. 50.)

Por, nëse shtrohet pyetja se cilët janë faktorët krye­so­rë për një degëzim apo ndarje të tillë, do t’i pre­zantojmë disa faktorë, që, sipas bindjes sonë, janë qe­nësorë. Ata janë faktori politik, fetar dhe shkencor por edhe ai etnik, ekonomik, social e kështu me radhë. (Shih: Miroslav Brandt, Srednjovjekovno doba povijesnog raz­vitka, I, Zagreb, 1980, fq. 371 e tutje.) Për ar­sye se do të zgjeroheshim tejmase ne vetëm shkur­ti­misht do të japim di­sa vrojtime për tre faktorët e parë.

 

 

A.     Faktori politik 

 

Përkundër problemeve që vazhdimisht dilnin në si­për­­faqe, gjatë jetës së Muhammedit a.s. nuk hasim në për­çar­je e mospajtime të dorës së parë. Mosmarrëveshjet Mu­­hammedi a.s. i zgjidhte shpejtë, në mënyrë efikase dhe au­toritative, si ato brendaislame ashtu edhe me gru­pa­cio­net tjera fetare e etnike në Medine. Një klimë e tillë deri diku vazhdoi edhe gjatë kohës së Ebu Bekrit r.a. dhe Ume­rit r.a., por jo edhe gjatë hilafetit të Osmanit r.a. dhe Aliut r.a., kur shteti islam u rrit edhe më shumë si në as­pek­tin territorial ashtu edhe në pikëpamje të et­ni­te­te­ve, gjuhëve, doktrinave dhe traditave të ndryshme. Në pe­riudhën pas Halifëve të drejtë, ndonëse u shtri në shumë vende të reja, mosmarrëveshjet rreth hilafetit, por edhe rreth shkaqeve të tjera, dolën në sipërfaqe, dhe shu­më individë, grupacione e fraksione të asaj kohe për­kun­dër motiveve fetare, morën ngjyra të ndryshme po­li­ti­ke. (Nerkez Smailagi?, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, shih zërat enciklopedikë: Ebu Bekri fq. 10-11; Umeri fq. 462-463; Osmani, fq. 465-467; Aliu, fq. 32-34; Halifat, fq. 229-231.)

 

 

B.  Faktori fetar

 

Funksioni i hilafetit gjatë kohës së Muhammedit a.s. ka qenë unik. Atë e kemi udhëheqës fetar, politik, edu­ka­tor e mësues. E kemi bashkëshort, baba, luftëtar, gjyqtar e shumë të tjera. Thjeshtë, aty nuk kemi funksione të nda­ra religjioze e shekullare. Më vonë, gjatë periudhës së Ha­lifëve të Drejtë, pasuesit e lëvizjeve dhe fraksioneve të cak­tuara filluan të manipulojnë në mënyrë perfide me bu­rimet islame për t’i kon­firmuar të drejtat e veta, gjoja le­gjitime, dhe për t’i realizuar synimet e tyre inferiore. Kështu, pikëpamjet e tyre në sytë e masës, por edhe të një numri intelektualësh, morën ka­rakter fetar. (Më gjerësisht mbi këtë: Kasim Dobra?a, Iz islamskog prava i njegove istorije, Glasnik VIS-a, Viti IV, nr. 4/1936, Beograd, fq. 167-168; Henri Laoust, Raskoli u Islamu, Zagreb, 1989.)

 

 

C. Faktori shkencor

 

Faktori shkencor, pa dyshim, është faktori më i rën­dë­­sishëm, prandaj edhe do të ketë vendin meritor. Shumë dije­tarë, e veçanërisht juristë islamë, kanë krijuar pikë­pamje të pavarura për çështjet e caktuara islame, që për motiv kanë pasur aspektin shkencor e jo skizmat e mo­tivuara politikisht me ngjyrime politike e fetare. Një ndër shkaqet e para dhe fundamentale për ndarjet që pa­su­an, është edhe teksti i shenjtë, Kur’ani.

1. Kur’ani nuk është as trajtesë teologjike e as filo­zo­­fike, ai nuk është as Përmbledhje e dispozitave të për­pu­nuara, por është Libër i parimeve dhe rregullativave të përgjithshme, përvojë e gjallë e Sovranit. (Nerkez Smailagi?, Uvod u Kur’an, Zagreb, 1975, fq. XXX; Krhs.: Ebu-l A’la El-Mewdudi, Muhammedi a.s. dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1989, fq. 118.)

Nëse i bëhet një shkoqitje mund të konfirmohet se “që­llimi më i rëndësishëm i Kur’anit është vënia e ba­za­ve religjioze, thirrja në monoteizëm, edukimi i shpirtit, vë­nia e parimeve morale. Qëllimi legjislativ është vetëm dy­tësor.” (Ahmed Emin, Fexhru-l-islam, cituar sipas: Georges G. Corm, Prilog prou?avanju multikonfesionalnih društva – drušveno pravne i politi?ke zajednice religioznog pluralizma, Sarajevo, 1977, fq. 178 e më tej.)

Prej mbi 6000 ajeteve në Kur’an, dijetarët islamë kon­­siderojnë se gjithsej janë rreth 200 ajete që u për­ka­sin nor­mave juridike. Disa juristë muslimanë i kanë ana­li­zuar të gjitha ajetet kur’anore dhe pohojnë se numri i aje­teve që drejtpërdrejt apo tërthorazi i përkasin të drej­tës (ajat’ul-ahkam) është rreth 500 deri më 600 sosh. (Ahmed Emin, Fexhru’l-islam, botimi XIII, Kajro 1982, fq. 228 e tutje; Gjith­ashtu: Mehmed Handži?, Kodificiranje šerijatskog prava kod raz­nih pravnih škola, Zagreb, 1944, fq. 3-4; Ebu Zehre, Ebu Hanife - ha­ja­tu­hu ve asruhu, ara’uhu ve fikhuhu, (Kajro), 1976, fq. 147 dhe Ibrahim Dža­nanovi?, Idžtihad u prva ?etiri stolje?a islama, Sarajevo, 1986, fq. 16.)

Njëri nga juristët që edhe më decidivisht i ka hyrë kësaj pune është autori egjiptian Abdulvehhab Hal-lafi, i cili po­hon se të drejtës familjare i përkasin 70 ajete, të drej­tës civile 70, të drejtës penale 30, gjyqësisë dhe pro­ce­du­rës gjyqësore 13, të drejtës kushtetuese 10, ma­rrë­dhë­nie­ve ndërkombëtare 25 dhe eko­nomisë dhe financave 10. (Fikret Karçiq, Historia e së drejtës së sheri’atit, Prizren, 1994, fq. 32, Shih: Muhammed Jusuf, Tarihu’l-fikhi’l Islami, Kajro, (-), I, fq. 6-7; Fet’hi Uthman, El-Fikru-l-kanuni el-islami bejne usuli-sh-sheri’ati ve turathihi-l-fikhi, Kajro, (-), fq. 65-66.)

Konsiderohet se edhe hadithe të karakterit juridik ka pak, edhe pse hadithet në krahasim me Kur’anin janë në nu­mër më të madh. (M. Handži?, Kodificiranje šerijatskog prava, op. cit. fq. 4.)

Zgjerimi territorial i Islamit solli kërkesa dhe nevoja të reja dhe, natyrisht, interesimin e dijetarëve kom­pe­ten­të që këto kërkesa e nevoja t’i trajtojnë cilësisht. Në këtë për­­pje­kje, gjatë zgjidhjes së çështjeve të ndryshme, e në mun­gesë të burimeve të dorës së parë, Kur’anit dhe Sunnetit, i janë qa­sur formimit të mendimeve (gjykimeve) personale, in­di­vi­duale, që, sipas Ibn Kethirit, janë të nxitura nga ana e Të Dërguarit të Zotit... (Ibn Kethir, Tefsiru’l-Kur’ani-l-adhim, I, botimi II, Bejrut, 1970, fq. 5-15.)

2. Si motiv thelbësor për ndarjen midis shken­cë­ta­rë­ve islamë, e sidomos midis juristëve islamë, numërohet edhe të kuptuarit e llojllojshëm të vetë gjuhës arabe, që, për shkak të veçorive të veta, ofron mundësi të tilla: ngjy­rat, nuancat, dinamika, fuqia, konciziteti, elokuenca, ka­rakteri universa­list, idealizmi metafizik, kiraetet (le­xi­met) e Kur’anit etj. (Shih: Osman Emin, Filozofija arapskog jezika, Islamska misao, viti VI, nr. 67/1984, fq. 2-21.)

3. Disa shkencëtarë në metodat e komentimit të çësh­­tjeve juridike në mënyrë rigoroze i janë përmbajtur shprehjes - tekstit të ligjit (el-lafdh), kurse disa shkencëtarë të tjerë, në rastet kur nuk ekzistonte norma eksplicite, më tepër e kanë hulum­tuar frymën dhe kuptimin e ligjit (el-ma’nâ’), dhe në bazë të kësaj kanë vendosur norma e rregullativa ju­ridike.

4. Në ndarjen e mendimeve ka ndikuar edhe të kup­tua­rit ndryshe të disa sjelljeve të Të Dërguarit të Alla­hut nga ana e bashkëkohësve - transmetuesve të tij. (Fikret Kar?i?, Pravna priroda, mjesto i zna?aj fetve u šerijatskom pravu, Glasnik VIS-a, Sarajevë, viti XLIV, nr. 5-6/1981, fq. 477.)

Këta faktorë dhe të tjerët si faktori etnik, gjeografik, so­cial, ekonomik, filozofik etj., këtu jo të analizuar, i kanë kontribuar krijimit të mospajtimeve e edhe pa­ra­qit­jes së specialistëve të devotshëm, më vonë juristëve (fa­ki­hëve), deri te lajmërimi i shkollave të veçanta juridike.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme