Mospajtimet në mes esh’aritëve dhe maturiditëve[2]

Duhet të dini që shejh Ebu Hasan El-Esh’ariu është imami i Ehli Sunetit dhe i pari i tyre, i ndjekur nga shejh Ebu Mensur El-Maturidi.[3] Dije, po ashtu, që - siç na kanë përmendur disa dijetarë, Zoti i pastë mëshiruar - që shoqëruesit e Shafiut dhe pasuesit e tij e ndjekin atë (Ebu Hasanin) në çështjet e doktrinës, dhe ndjekin Shafiun në çështjet juridike. Shoqëruesit e Ebu Hanifes ndjekin shejh Ebu Mensurin në doktrinë dhe ndjekin Ebu Hanifen në çështjet juridike. Kjo është ajo që mësuesit tanë na kanë përcjellë neve. Dhe ne i kërkojmë Allahut të lartësuar, që këtyre dy imamëve fisnikë t’u jep një shpërblim bujar për këshillat e tyre të sinqerta ndaj muslimanëve. Ne i kërkojmë Allahut të lartësuar që të na përfshijë në mesin e atyre që bëjnë veprat e atyre që u është dhënë suksesi hyjnor: ata që ecin shtegut të të udhëzuarve dhe njohësve; për bujarinë e tij, mirësinë dhe fisnikërinë e tij - Amin! Nuk ka mospajtim në mes dy dijetarëve dhe pasuesve të tyre përveç në dymbëdhjetë çështje.[4]

1. Maturidiu thotë që Tekwin (sjellja në ekzistencë) është cilësi e përhershme në Qenien e Allahut, siç janë gjithë Cilësitë e Tij, dhe që është tjetër prej asaj që sillet në ekzistencë (mukawwen), dhe që është e lidhur me atë që sillet në ekzistencë në botë dhe çdo pjesë të saj (botës) prej kohës së zanafillës së saj. Sikurse që Vullneti i Allahut është i përhershëm dhe i lidhur me atë që është dëshiruar në kohën e ekzistencës së saj, kështu edhe Plotfuqishmëria e Tij [lidhet] me atë që përcaktohet.[5]

Esh’ariu thotë që ajo është cilësi kontingjente që nuk është në Qenien e Allahut, dhe sipas tij, është prej cilësive të veprimit dhe nuk është prej cilësive të përhershme. Sipas tij, cilësitë e veprimet janë të gjitha kontingjente, sikurse  Tekwin dhe sjellja në ekzistencë dhe krijimi i botës me urdhrin “Bëhu(2:117)”.[6]

2. Maturidiu thotë që fjala e Allahut të lartësuar, nuk dëgjohet, por ajo që dëgjohet është diçka që tregon drejt saj.[7] Esh’ariu thotë që mund të dëgjohet - siç është e njohur në tregimin e Musait a.s. Ibn Furaku thotë: “Dy gjëra dëgjohen gjatë recitimit të lexuesit: zëri i lexuesit, dhe fjala e Allahut të lartësuar.” Kadi (Ebu Bekr) El-Bakil-lani thotë: “Të Folurit e Allahut nuk dëgjohet në kuptimin e zakonshëm [të fjalës], por, është e mundshme për Allahun që të lejojë ndonjë prej krijesave të Tij që Ai dëshiron që të dëgjojë atë ndryshe prej mënyrës së zakonshme dhe [ të ndryshme prej] mediumit të shkronjave dhe tingujve. Ebu Is’hak El-Isferajini dhe ata që e ndoqën atë thanë: “Të Folurit e Allahut nuk dëgjohet fare.” Ky është qëndrimi i zgjedhur i shejh Ebu Mensur El-Maturidi - siç gjendet në El-Bidaje.

3. Maturidiu thotë që Krijuesi i universit përshkruhet me urtësi (hikmeh), pavarësisht se a e merr kjo kuptimin e dijes (ilm) ose kuptimin e përkryeshmërisë/zotësisë (ihkam).[8] Esh’ariu thotë që nëse urtësia merr kuptimin e dijes atëherë është cilësi e përhershme në Qenien e Allahut të lartësuar, dhe nëse është në kuptim të përkryeshmërisë atëherë është cilësi kontingjente sikurse Tekwin dhe Qenia e Krijuesit nuk përshkruhet me të.

4. Maturidiu thotë që edhe nënshtrimi edhe mosnënshtrimi janë nën vullnetin e Allahut për të gjitha qeniet, qofshin ato esenca ose aksidenca, mirëpo, nënshtrimi ndodh me vullnetin dhe dekretin e Allahut dhe paracaktimin dhe përcaktimin, kënaqësinë, dashurinë, urdhrin. E mosnënshtrimi ndodh me vullnetin dhe dekretin e Allahut dhe paracaktimin dhe përcaktimin, jo me kënaqësinë, dashurinë apo urdhrin e tij. Esh’ariu thotë që dashuria dhe kënaqësia e Allahut është përfshirëse e të gjitha gjërave, sikurse vullneti i Tij.[9]

5. Sipas Maturidiut, të qenit ligjërisht i urdhëruar me diçka për të cilën nuk ka kapacitet për të duruar është e palejuar, ndërsa të qenit i ngarkuar me atë që s’mund të përballohet,[10] është e lejuar. Sipas Esh’ariut, të dyja janë të lejuara.

6. Maturidiu thotë që disa rregulla që kanë të bëjnë me përgjegjësinë ligjore (teklif) janë të njohura përmes intelektit, sepse intelekti është mjet përmes të cilit mirësia dhe ligësia e disa gjërave mund të kuptohet, dhe (është mjet) përmes të cilit obligimi i të besuarit kuptohet, si dhe (obligimi) i falënderimit të Dhënësit të mirësive. Ai i cili e bën të ditur dhe të obliguar është Allahu i lartësuar, mirëpo, është përmes mediumit të intelektit, sikurse që Pejgamberi i bënë të ditura obligimet, e Ai që i bëri gjërat obligueshme në realitet është Allahu i lartësuar, por përmes mediumit të Pejgamberit s.a.v.s. Ai (Maturidiu) thotë: “Askush nuk është i shfajësuar përmes injorancës së krijuesit, për shkak të asaj që ai sheh në krijimin e qiejve dhe tokës”, dhe: “Sikur Allahu të mos kishte dërguar pejgamber, [prapë] do të kishte qenë e obligueshme që krijesat ta njohin Atë përmes intelektit të tyre.”

Esh’ariu thotë që asgjë nuk bëhet obligim ose ndalim përveç përmes Sheriatit - dhe jo intelektit, edhe nëse intelekti është i aftë të kuptoj mirësinë dhe ligësinë e disa gjërave. Sipas Esh’ariut, të gjitha rregullat që kanë të bëjnë me përgjegjësinë ligjore merren përmes shpalljes.

7. Maturidiu thotë që një personi fatkeq mund të bëhet i lumtur dhe i lumturi fatkeq. Esh’ariu thotë që nuk i jepet konsideratë as lumturisë as fatkeqësisë përveç në fund (d.m.th. në vdekje) dhe shpagim.[11]

8. Maturidiu thotë që është racionalisht e palejuar që mosbesimi të falet. Esh’ariu thotë që është racionalisht e lejuar por tekstualisht e palejuar.[12]

9. Maturidiu thotë që është racionalisht dhe tekstualisht e palejuar që besimtarët të qëndrojnë përgjithmonë në Zjarr dhe jobesimtarët të qëndrojnë në Parajsë. Esh’ariu thotë që është racionalisht e lejuar, por tekstualisht e palejuar.

10. Disa prej maturiditëve thonë që emri dhe gjëja e emëruar (el-ism we el-musemme) janë një. Esh’ariu beson që ka dallim në mes dyjave dhe “aktit të emërimit” (tesmije). Disa prej tyre i ndanë këto në tre kategori: veten, tjetër nga vetja, dhe një kategori të tretë që s’është as vetja as tjetër nga vetja. Ka pajtim që akti i emërimit (tesmije) është tjetër nga to (emri dhe gjëja e emëruar), dhe është ajo që vendoset me atë që emërohet. Kjo është marrë nga Bidajet ‘ul-kelam.

11. Maturidiu thotë që të qenit mashkull është kusht i pejgamberisë, dhe si pasojë, është e palejuar për femrën të jetë pejgambere. Esh’ariu thotë që të qenit mashkull nuk është kusht dhe që të qenit femër nuk e anulon atë. Kjo është marrë nga Bidajet’ ul-kelam.

12. Maturidiu thotë që veprat e robit quhen përvetësim dhe jo krijim, dhe që veprimi i të Vërtetit (Allahut) quhet krijim dhe jo përvetësim - dhe të dija janë përfshirëse të veprimit. Esh’ariu thotë që “akti” tregon një sjellje reale në ekzistencë dhe përvetësimi i robit quhet “akt” vetëm figurativisht. Është thënë: “Ajo që është e lejuar për të Plotfuqishmin që vetëm ai [të  përshkruhet] me të quhet krijim, dhe ajo që është e ndaluar për të plotfuqishmin të përshkruhet me të quhet përvetësim.”[13]

 

 

Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi

 

 



[1] Ibn Kemal Pasha (vd. 940H) ishte një prej dijetarëve të mëdhenj dhe polimat të perandorisë Osmane. Ai ishte bashkëkohës i hafiz Xhelaluddin es-Sujutiut dhe të dy ishin të famshëm për dijen e gjerë.

[2] Burimi: Marifah.net (Përkthyesi në anglisht është anonim)

[3] Ky është përfundim i gabuar i Ibn Kemalit, sepse Maturidiu ka lindur më herët dhe ka vdekur më vonë se Esh’ariu. E dyta, Esh’ariu kaloi në ehli sunet dhe xhemat në vitin 300 hixhri, kurse Maturidiu në këtë kohë kishe mbi 60 vjet në traditën e ehli sunetit dhe xhematit, E treta, Esh’ariu ka pasur luhatje në çështjen e besimit, nga një mu’tezilist i skajshëm në tradicionalist të skajshëm, që vetëm pastaj të afrohet kah Ebu Hanife dhe Maturidiu etj. etj. (Vërejtje e NI)

[4] “Nuk është e fshehtë për lexuesin që dijetarët kanë përmend më shumë se këto çështje mbi të cilat ka mospajtim. Me sa duket autori ka zgjedhur që të limitoj numrin e tyre për shkak të natyrës së tyre të dukshme.” (sh. Sa’id Foudah: Sherh Risale el-Ihtilaf bejn el-Asha’ira we’l-Maturidijje, 12)

[5] “Me fjalë të tjera, Tekwin është një cilësi e përhershme që është në Qenien e Allahut dhe ka një bashkëveprim efektiv me atë që sillet në ekzistencë në kohën kur sillet në ekzistencë. Për këtë arsye dijetarët thonë që Tekwin është tjetër nga ajo që sillet në ekzistencë (el-mukawwen) për shkak se Tekwin është cilësi e përhershme ndërsa ajo që sillet në ekzistencë është kontingjente. Për këtë arsye, pretendimi i disa llumave hashevij që Maturiditët pajtohen me ta që kontingjencat qëndrojnë në Qenien e Allahut është jo-korrekte... kjo është e gabuar për shkak se sipas Maturidijve, Tekwin është i përhershëm dhe jo kontingjent. Nuk duhet të quhet cilësi në kuptim të pakufizuar, por është cilësi prej të cilës rrjedhin veprimet. (Ibid)

[6] Prandaj, sipas Esh’ariut, Tekwin është përshkrimi për të njëjtën lidhje të fuqisë duke cilësuar efektin e saj, ndërsa sipas Maturidiu, është cilësia e përhershme prej të cilës vijnë krijesat dhe ato që sillen në ekzistencë...” (Ibid, 13)

[7] “Për Maturidiun, “ajo që dëgjohet (el-mesmu)” i aplikohet vetëm asaj që lidhjet me shqisën e dëgjimit... sipas tij, ajo që lidhet me të janë tingujt që tregojnë kah cilësia e përhershme. Sa për vet cilësinë e përhershme, edhe Maturidiu edhe Esh’ariu mbajnë qëndrimin që ajo nuk ka lidhje me shqisat dhe që shqisat nuk kanë lidhje me të. Mospajtimi është në lidhje me atë se një cilësi e përhershme a dëgjohet a jo. Për Maturidiun, të dëgjuarit është i lidhur me shqisat, dhe për këtë arsye ai mohoi që të Folurit e Brendshëm (Kelam Nefsi) mund të dëgjohet...” (Ibid, 18)

[8] Imam Maturidiu thotë që Allahu i lartësuar përshkruhet me urtësi dhe që urtësia është përshkrim i Qenies së Allahut. Kjo i referohet ose diturisë së veprimeve precize/perfekte ose i referohet cilësisë së përhershme të Tekwin-it të cilën Maturidiu e afirmon. Kjo domethënë që perfeksioni/zotësia janë prej implikimeve të Tekwin-it. (Ibid, 19)

[9] “Sa për Imam Esh’ariun, Ustadh (Pasha) transmeton që ai besonte që dashuria e Allahut është përfshirëse e çdo aksidence, qoftë akt nënshtrimi ose akt mosnënshtrimi. Kjo deklaratë e përgjithshme sugjeron që Allahu i lartësuar, e do mosnënshtrimin. Mirëpo, qëndrimi korrekt është që kjo nuk është doktrina e Esh’ariut. Përkundrazi, ai thotë që Allahu e do mosnënshtrimin aq sa ai ndëshkon për të, siç Ai e do nënshtrimin sa që ai shpërblen për të. Ka një dallim në mes të kësaj dhe asaj që Ustadh Ibn Kemal Pasha dhe tjerët përmendin dhe i përshkruajnë Esh’ariut.” (Ibid., 29)

[10] Maturidiu bën dallimin në mes të qenit ligjërisht i urdhëruar dhe të qenit i ngarkuar.

[11] Sipas Maturidiut, lumturia definohet si Islam ndërsa fatkeqësia si mosbesim. Sipas Esh’ariut lumturia është të vdekurit në islam dhe fatkeqësia është të vdekurit në mosbesim.

[12] Qëndrimi i Esh’ariut  është i bazuar vetëm në vlerësim racional, ndërsa qëndrimi i Maturidiut është i bazuar në observimin e Vullnetit të Allahut.

[13] Thelbi i këtij mospajtimi është që Esh’ariu mbante qëndrimin që fjala “akt” (veprim) është e fjalëpërfjalshme kur i aplikohet Allahut (dhe që Ai është bërësi) dhe është figurative për robin. Maturidiu në anën tjetër, mbante qëndrimin që “akti” po ashtu është e fjalëpërfjalshme kur i aplikohet robit.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme