Nexhat Ibrahimi - Jeta dhe vepra

Nexhat Ibrahimi u lind në fshatin Zgatar të Opojës, rrethi i Prizrenit, më 10.06.1959, në një familje autoritative hoxhallarësh me ndjenja fetare dhe atdhetare. Shkollën fillore e kreu në Opojë e Prizren, kurse Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë gjatë viteve 1974-1979. Gjatë viteve 1980-1984 i kreu studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë.

Krahas mësimeve angazhohej edhe me aktivitete politike ilegale, kështu që më 03. 12. 1981 u burgos në Sarajevë, por Shërbimi Sekret Jugosllav nuk arriti të tubojë prova të duhura, kështu që pas 60 e disa ditëve në Burgun Qendror të Sarajevës u lirua nga dënimi i mëtutjeshëm. Akuzohej për pesë vepra klero-nacionaliste e irredentiste. Si pasojë e burgosjes ishte çregjistrimi nga Fakulteti i Orientalistikës në Prishtinë, ku ishte regjistruar me korrespondencë. Edhe disa herë të tjera është marrë në biseda informative nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, sikur më 1983 me rastin e arrestimit të grupit të Alija Izetbegoviqit në Sarajevë, pastaj disa herë gjatë viteve 1987-2002 etj.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak të Kroaci, në vitin 1987 u punësua si sekretar në Bashkësinë Islame në Prizren. Më vonë u delegua në Kuvendin e Bashkësisë Islame të Kosovës, u zgjodh anëtar i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë në Sarajevë dhe u zgjodh për kryetar të Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës në Prishtinë. Në këto funksione edhe u arrestua më 14. 12. 1992 nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, për t’u dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren me tetë vjet burg. Këtë dënim Gjykata Supreme në Beograd ia zbriti në shtatë vjet. Dënimin e vuajti në burgun e Prizrenit, të Dubravës së Istogut dhe atë të Zajeçarit në Serbi. Më 15. 12. 1999 u kthye në gjirin familjar.

Sërish punon në Bashkësinë Islame të Prizrenit. Merret edhe me shkrime dhe përkthime. Ka përkthyer mbi 70 vepra islame të zhanreve të ndryshme dhe ka shkruar mbi 20 vepra autoriale islame, ka shkruar dhe përkthyer disa qindra artikuj në dhjetëra gazeta e revista në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje, ka marrë pjesë në disa simpoziume e tribuna shkencore, ka shkruar disa dhjetëra recensione kritike.

Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, fq. 102; Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, Shkup, 1998, fq. 162; Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998 fq. 300; Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shek. IX-XIV), Shkup, 2003/1424, 145 faqe; Dimensione kur’anore, Shkup, 1424/2003, fq. 75; Islami dhe kriza e identitetit, mbi 200 fq., Islami si provokim global, etj.
(Shih bibliografinë)

Nexhat Ibrahimi jeton në Prizren. Është i martuar dhe prind i tre fëmijëve. 

 

- Kërkoj të mirën!

- Një letër nga burgu: Ishte ky dimri i madh

Poezi nga Mehas Alija,(Kushtuar Nexhat Ibrahimit)

Islam e kam fenë
Islam e kam edhe dhénë
Islam e kam fatin
Islam e kam edhe hapin
Islam e kam mallin
Islam e kam edhe varrin
Islam e kam qiellin
Islam e kam edhe diellin
Islam e kam djersën
Islam e kam edhe qesen
Islam e kam qëllimin
Islam e kam edhe shërbimin
Islam edhe shpirtin e kam