ALSAR, Tirane

“ALSAR” dënon aktin provokues të ambasadorit kosovar në Francë ndaj ndjenjave fetare të popullit të tij

 


Qëndrim Gashi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, i ka provokuar masivisht në brendinë e tyre religjioze qytetarët muslimanë të Kosovës, ashtu si dhe çdo besimtar tjetër shqiptar apo me origjinë shqiptare të fesë islame, me postimin në faqen e tij në Twitter të një shkrimi në një të përditshme franceze të shoqëruar me karikaturat e Profetit Muhammed.
Ambasadori ka kaluar çdo cak të detyrës së tij me këtë veprim absurd, provokues, fyes, të patakt, krejt të pahijshëm, fund e krye të dënueshëm!
Ai ka nëpërkëmbur sigurisht postin, por më së pari ka nëpërkëmbur ndjenjat e popullit të tij mbizotërueshmërisht musliman në besim. Përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Francë përfaqëson shtetin kosovar dhe asgjë tjetër, assesi pikëpamjet dhe qëndrimet e tij personale, të cilat mund t’i bëjë të njohura dhe t’i mbrojë kur të mos jetë më në atë detyrë.
E palejueshme është për të përfshirja kësisoj në një çështje jashtë funksionit, me një ripostim të një artikulli me ballinë të turpshme. Është e pamundur që ambasadori Gashi të mos e dijë vendin e veçantë që zë Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, në zemrat dhe mendjet e muslimanëve. Si për çdo musliman në botë, dhe për atë kosovar, cenimi i figurës së Profetit Muhammed është i papranueshëm.
Fryma e tolerancës fetare, bashkëjetesa në harmoni në mesin e shqiptarëve e besimeve dhe ndjekësve të tyre, janë cilësi për t’u krenuar, por nuk nënkuptojnë liri për t’i ngacmuar ligësisht ndjenjat besimore të qytetarëve, përkatësisht, këtu, të muslimanëve kosovarë dhe shqiptarë në përgjithësi.
E turpshme është dhe këmbëngulja e ambasadorit Gashi për të mos e fshirë, më e pakta, atë postim pas reagimeve pasuese, gjë që na çon të mendojmë me të drejtë se bëhet fjalë për një veprim të mirëmenduar.
E pakuptueshme është gjithashtu mungesa e një reagimi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, funksionari i së cilës ka dalë krejtësisht jashtë detyrës së tij dhe, për më tepër, i ka dhënë zë një materiali përdhosës dhe denigrues, qoftë dhe të justifikuar me lirinë e shprehjes. Kjo ministri duhet ta kuptojë se nuk është me vend, as e moralshme, që ta mbajë atë funksionar më në atë post pas kësaj që ka ndodhur.
Fondacioni “ALSAR” e dënon ashpër këtë veprim të ambasadorit kosovar në Francë, pasi ai i provokon hapur ndjenjat fetare të muslimanëve kosovarë, shqiptarë në tërësi, dhe e kërcënon qëndrueshmërinë e brishtë të shoqërisë sonë.
Për “ALSAR”-in është i papranueshëm çdo akt dhune, çdo akt terrori, por, në të njëjtën kohë, dhe çdo akt që cenon besimin e kujtdo dhe i nëpërkëmb krijesat më të dashura për të.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme