Bibliotekat: thesaret e pashfrytëzuara siç duhet të Stambollit

Fotoja hapese (ne balle) 

Stambolli, një qendër e qytetërimeve përgjatë historisë, është një strehë për të dhënët pas leximit, për të zbuluar miliona vepra letërsie në një udhëtim përmes kohës, falë bibliotekave të tij, që ofrojnë një atmosferë të paqtë, larg turmës trazuese.

Godinat e bibliotekave, të menduara për t’u bërë vend dokumenteve dhe punëve të shkruara, janë një prej shpikjeve më të hershme përqark. Ka qenë një mënyrë për t’u përcjellë brezave të ardhshëm atë çka përjetojmë tani. Bibliotekat janë përshkruar më së miri nga Ray Bradbury, i cili tha, “Çfarë kemi pa biblioteka? Nuk kemi as të shkuar, as të ardhme.”

Kur u shkatërrua një prej bibliotekave më të rëndësishme prej kohëve të lashta, Biblioteka e Aleksandrisë, ajo solli një humbje të pandreqshme të dijes publike, bashkë me një humbje të pallogaritshme të veprave të lashta. Biblioteka Perandorake e Konstandinopojës, Stambollit të sotëm, u kthye në një qendër për mendimin romak dhe grek. Kjo është mënyra si nisi rrëfenja madhështore e historisë dhe e librave të Stambollit.

I gjendur mes Azisë dhe Europës, Stambolli ka qëndruar për shekuj si një urë midis qytetërimeve. Kur endeni nëpër bibliotekat e qytetit, ju do të zbuloni si historia ju tregon rrëfenjën e saj. Kur qe hera e fundit që morët në duar nga raftet një libër shekullor, apo hera e fundit që u krodhët në një vepër të madhe nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë? Ne jemi në gjendje ta sigurojmë informacionin aty për aty, nëpërmjet rrjetit kompjuterik, në botën e sotme tejet të dixhitalizuar, veçse me një ndryshim të vogël: asnjë prej tyre nuk ka për t’ju dhënë aftësinë për të udhëtuar nëpër kohë, sepse bibliotekat funksionojnë gjithashtu si një rrugë për të ikur prej poteres së jetës së ngarkuar së qytetit në këto kohë moderne.

Veç bibliotekave në shkolla, në universitete e në institucione të tjera private, në Stambollin me një popullsi prej 14 milionë banorësh ka vetëm 59 biblioteka publike, sipas studimit të 2014-ës nga TURKSTAT-i. Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që shkojnë në biblioteka për të marrë libra është mjaft i vogël krahasuar me qytetet e tjera të mëdha rreth e qark botës. Arsyeja e mungesës së bibliotekave është ose një mungesë e interesit publik në botën e sotme për bibliotekat publike, ose një paaftësi për t’ua bërë të qartë njerëzve rëndësinë e bibliotekave në qytetet e mëdha, të tillë si Stambolli. Ndërsa të tërë kërkojmë më tepër transport publik për të arritur aty për ku jemi drejtuar, apo në kafenetë për t’u socializuar, ne stambollinjtë mund të mos kërkojmë kurrë më tepër biblioteka. Por bibliotekat nuk janë vetëm vende të qeta për të punuar për studime akademike, tregtare, apo krijuese, por gjithashtu një mënyrë për të zbuluar brendinë tuaj, larg prej turmës së ngarkuar.

Po qe se jeni të etur të zbuloni një prej thesareve më të pashfrytëzuara siç duhet të Stambollit dhe të trashëgimisë së qytetit mes mureve të arkitekturës historike, këtu janë disa prej bibliotekave publike dhe private të hapura për masën e gjerë.

Biblioteka Sulejmanije

Fotoja 1. Biblioteka Sulejmanije

Biblioteka Sulejmanije (Süleymaniye Kütüphanesi), e gjendur në kompleksin e Xhamisë Sulejmanije në lagjen Fatih të Stambollit, është biblioteka më e madhe e dorëshkrimeve në Turqi. Me një koleksion të gjerë dorëshkrimesh islame, biblioteka qëndron në gadishullin historik si një gjuhë nga kohët e qëmotshme. E dalë në dritë në vitin 1918, biblioteka është një vendet e pakta për ju për të gjetur shumë burime mbi periudhën islame dhe otomane. Edhe pse biblioteka ka ekzistuar që kur kompleksi i xhamisë u ngrit me medresetë, qe fillimi i shekullit të njëzetë kur ajo u hap për publikun. Kur institucionet tradicionale otomane për mësimin fetar u mbyllën më 1924, shumë prej veprave nga xhamitë dhe medresetë rrotull Stambollit u dërguan në Bibliotekën Sulejmanije. Edhe sot ka shumë dhurime private, duke përfshirë vepra në dorëshkrim, që vërshojnë në të. Si rrjedhojë e kohëve moderne, në sallat e saj të leximit mund t’i shihni në kompjuter burimet në dorëshkrim të bibliotekës, pasi ato u dixhitalizuan mes viteve 2002 dhe 2011. Mund të merrni dhe leje për t’i parë nga afër dorëshkrimet.Fotoja 2 Biblioteka Sulejmanije

Sot në Bibliotekën Sulejmanije ka afër 100.000 burime në dorëshkrim dhe 50.000 vepra të shtypura, andaj mund të thuhet se ajo është si një liman për kërkuesit. Klasifikimi tematik i librave në bibliotekë ngjan thuajse i pamundur për shkak të numrit të madh të tyre, që përgjithësisht prekin ligjin, retorikën dhe gramatikën, tekstet e moralitetit, dhe shumë më tepër. Çmohet se thuajse 60 për qind e shkrimeve u shkruan në arabisht, 30 për qind janë në turqisht, e 10 janë në persisht, ndërsa ca burime janë dhe në gjuhë europiane. Biblioteka është nga të parat në botë që i dixhitalizoi në mënyrë sistematike koleksionet e saj, kështu që mund të ndeshni probleme cilësie teksa kryeni kërkimin tuaj. Për të interesuarit për studimet islame dhe periudhën otomane, Biblioteka Sulejmanije është një thesar i vërtetë, ku ata do të humbasin brenda burimeve. Mundësia për të hyrë në të është një tjetër tipar që e bën një prej limaneve më të mira të infomacionit për hulumtuesit. Orët e saj të punës janë nga 09:00 e mëngjesit deri në 17:00 pasdite, prej të hënës në të premten, por kërkuesit janë në gjendje t’i shfrytëzojnë burimet e sallës së leximit të bibliotekës prej orës nëntë të mëngjesit e gjer në njëmbëdhjetë të natës për çdo ditë të vitit.

Biblioteka AtaturkFotoja 3 Biblioteka Ataturk

E vendosur në Taksim, në bregun europian të Stambollit, të njohur si zemra e qytetit, Biblioteka Ataturk (Atatürk Kitaplığı) është e vetmja bibliotekë publike e hapur në 24 orë të ditës, përgjatë gjithë javës, në Stamboll. Biblioteka është hapur që nga viti 1939, e funksionon si një prej bibliotekave publike më të shfrytëzuara në qytet, me rreth 600 njerëz që e vizitojnë çdo ditë. E përshkruar si e para bibliotekë bashkiake në Stamboll, ajo lëvizi në vitet 1960 për shkak të mungesës së hapësirës, pasi e zgjeroi koleksionin e vet. Arkitektura e bibliotekës është një tjetër veçori që e bën atë një vend interesant për hulumtuesit. Mbi një kodër të gjelbër me pemë, struktura prej betoni dhe xhami e bibliotekës ka gjashtë çati në formë tende rreth asaj qendrores, që ngjajnë me tendat e përdorura nga turkikët në Azinë Qendrore. Kati i sipërm i bibliotekës është i tëri me dritare, dhe ju jep një pamje të jashtëzakonshme të Bosforit. Biblioteka kishte në fillim rreth 170.000 botime, të dhuruara përgjithësisht nga disa prej intelektualëve më në zë të kohës. Sot ajo ka rreth 500.000 botime, duke përfshirë libra, shkrime antike, harta, kartolina, e një prej koleksioneve më të mëdha të gazetave dhe revistave në Turqi.

Biblioteka Shtetërore Bajazit

Fotoja 4 Biblioteka Shteterore Bajazit

E themeluar më 1884, Biblioteka Shtetërore Bajazit (Beyazıt Devlet Kütüphanesi) është një prej bibliotekave më të vjetra shtetërore në Stamboll. E ndodhur në sheshin Bajazit, në Fatih, ajo tërheq vëmendjen për shkak të koleksionit të pasur. Biblioteka ka një histori interesante, ndërsa thuhet se kryebibliotekari i bibliotekës mes viteve 1896 dhe 1939 ishte aq i dhënë pas maceve, sa i ushqente ato brenda ndërtesës dhe i lejonte të qëndronin aty, për t’u njohur sot si “kedili kütüphane”, që do të thotë, “biblioteka me mace”. Vendndodhja e bibliotekës e bën atë një ndalesë të detyruar për kërkuesit e interesuar për historinë. Në koleksionin e bibliotekës ka më shumë se një milionë punë, mes të cilave libra, gazeta, vepra të rralla, harta, një arkivë parash, e shumë gjëra të tjera. Biblioteka nuk është vetëm një vend për të bërë kërkim, por funksionon gjithashtu si një kompleks për hulumtuesit, për të çuar orë të tëra në sallat e leximit, në laboratorët e gjuhës, në sallat e muzikës dhe të pamjeve filmike, e në sallën e konferencave për aktivitete kulturore. Biblioteka prodhon dhe libra me zë për ata që kanë probleme me shikimin. Ajo është e hapur nga e hëna në të shtunën, prej orës 08:30 deri në 17:00. Duhet patur në mendje se të huajt kërkohet të marrin leje vetjake për ta përdorur bibliotekën. Nëse jeni të paduruar për ta vizituar, duhet t‘i shkruani për lejen Ministrisë së Kulturës.

Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com

 

http://tesheshi.com/bibliotekat-thesaret-e-pashfrytezuara-sic-duhet-te-stambollit/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme