Alija Izetbegoviqi flet shqip!

image

 Ka një diskutim të vazhdueshëm lidhur me rolin e individëve në bërjen e epokave nga njëra anë, përkatësisht lidhur me frymën e epokave në nxjerrjen në pah të individëve të dalluar, me të cilët jo rrallë identifikohen zhvillimet e përgjithshme, nga ana tjetër. Besoj se ka një ndikim të ndërsjellë, ndërsa pohimi kategorik se individi e bën epokën ose se epoka e bën individin, nuk e ofron gjithë të vërtetën dhe nuk mund të merret si i mirëqenë për të gjitha rastet. Megjithatë, roli i individit të dalluar, i prijësit – të themi më mirë, në kohët e kthesave të mëdha shoqërore, ka peshë përcaktuese për orientimet dhe rrugët që do të ndjekë akëcila shoqëri. Alija Izetbegoviqi ka pasur fatin (mund të lexosh edhe fatkeqësinë) që të jetë në krye të Bosnjë-Hercegovinës në një moment përcaktues për të ardhmen e saj dhe, veçmas, për të ardhmen e boshnjakëve myslimanë, si popullsi më e madhe e këtij shteti heterogjen në planin kombëtar, fetar dhe social. Si rrallë ndonjë politikan tjetër, me zemër të hapur, ka pranuar se ai u ndodh në situatën “të zgjidhte” ndërmjet dy rreziqeve, i bindur se rreziku i madh nuk mund të mposhtet pa ndërmarrë veprime të rrezikshme: “Ne u gjetëm në udhëkryqin historik: ta ulim kokën dhe të mbesim në Jugosllavinë e cunguar, më saktësisht në "Serbinë e madhe", apo me kokën lart të nisemi drejt lirisë, me të gjitha rreziqet që mund t’i sillte një zgjedhje e tillë? Zgjodhëm rrugën e fundit. Them – zgjodhëm edhe pse nuk jam i sigurt se kjo është fjala e vërtetë... Ne s'kemi mundur ta përdorim ndryshe lirinë tonë. Sepse, ne s'do të ishim ata që jemi sikur atëherë, në emër të sigurisë së dyshimtë, ta kishim zgjedhur nënshtrimin. Natyrisht, kjo pyetje është me vend: çfarë sigurie do të ishte ajo? E shohim qartë atë në pozitën e Malit të Zi, në pozitën e popujve të Kosovës dhe Sanxhakut.

Është e vërtetë se vuajmë dhe vdesim, por këtë e bëjmë për lirinë e Bosnjës. Përndryshe, do të vdisnim për llogaritë e të tjerëve, në ndonjë front kundër Kroacisë, Sanxhakut, Kosovës, ndërsa për nam dhe madhësi të "Serbisë së madhe". 

Konteksti jetësor i veprës shkrimore

Konteksti rreptësisht kufizues sa i përket zgjedhjes së rrugës drejt të ardhmes, në të cilin u ndodh Bosnjë-Hercegovina, si rezultat i shpërbërjes dramatike e të dhunshme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, me çka u prishën balancat e brishta, nuk i linte Alija Izetbegoviqit shumë mundësi zgjedhjesh të mira e të favorshme, por ia linte mundësinë e bërjes së gabimeve të mëdha, përkatësisht të gabimit fatal të mbetjes së boshnjakëve myslimanë nën Jugosllavinë e cunguar, në të cilën e ardhmja e tyre mund të identifikohej vetëm me robërinë dhe, përfundimisht, zhbërjen e tyre identitare. Prandaj, themi se Alija Izetbegoviqi, me aq sa ishte në dorën dhe mendjen e tij, e drejtoi Bosnjën në rrugën e vështirë të pavarësisë, si e vetmja zgjidhje që ia garantonte një mbijetesë, e cila do të kalonte pastaj nëpërmjet vuajtjesh golgotiane dhe pësimesh holokaustiane. Në rend të parë, si disenjator në hall i Bosnjës së pavarur, është me interes të veçantë të njohim trashëgiminë e tij shkrimore. Në të del në pah vlera intelektuale e Izetbegoviqit, si shpërfaqje e përcaktimit jetësor në rrugën e dijes shkencore për t’u marrë me probleme të ndryshme fetare, kombëtare, identitare, politike e shoqërore të kohës, por edhe angazhimi praktik në politikë, pikëpamjet e tij mbi zhvillimet në të cilat ishte aktor dhe ndonjëherë edhe faktor i rëndësishëm i tyre. Prandaj, themi se njohja e plotë e veprës dhe e veprimtarisë së tij është njëkohshëm edhe njohje e kohës kur jetoi e veproi, e konteksteve, faktorëve dhe e rezultateve të zhvillimeve. 

Botimi i trashëgimisë shkrimore të Alija Izetbegoviqit ofron një dimension interesant të angazhimeve të tij shumëplanëshe, ndërsa vlerësimi i tyre gjithsesi është çështje e pashtershme, e cila do të preokupojë vazhdimisht mendjet e studiuesve, sidomos të atyre që synojnë të merren me aspekte të ndërtimit shtetit në një kontekst pothuajse të pamundshëm. Vepra e Alija Izetbegoviqit, duke trajtuar aspekte të përbotshme të shoqërisë, është me interes edhe për kulturat dhe dijet kombëtare të të tjerëve. Mbase, ne shqiptarët, e kuptojmë më së miri këtë vepër, duke identifikuar në të aspiratën kombëtare për liri, për prosperitet, parimësinë për të mbrojtur veten nga të tjerët dhe të tjerët nga vetja etj. Një dimension tjetër përafrues ndërmjet këtij autori dhe shqiptarëve ka të bëjë me përjetimet, pak a shumë, të njëjta të të dy popujve që u ndodhën në të njëjtën shënjestër të politikës gjenocidiale serbe, të proklamuar në aspektin programor në disa nga elaboratet e dijetarëve më të shquar serbë.

Pasi e ka filluar guximshëm rrugën e tij jetësore, pasi e ka vijuar atë me përkushtim e parimësi dhe pasi e ka përfunduar me dinjitetin e rrallë të një politikani në hapësirën ballkanase, një udhëheqësi që, për arsye shëndetësore, jep dorëheqjen pothuajse në fillim të mandatit, Alija Izetbegoviqi më 2003 largohet kjo jetë, duke lënë pas vetes një thesar të çmueshëm të përvojës së tij intelektuale e veprimtare. Ai, me veprën e tij, është bërë dëshmitar e kronist i zhvillimeve të gjysmës së dytë të shek. XX dhe të fillimit të shek. XXI. Duke e njohur punën dhe veprën e tij në këtë format publikimi, lexuesi do ta njohë shumë më mirë epokën e madhe të ndryshimeve në Evropë, të pësimeve, të vizioneve intelektuale, të zhgënjimeve e të tronditjeve të shekullit. 

Struktura e botimit Vepra të zgjedhura

Versioni i kompletit, i përkthyer në gjuhën shqipe, në pesë vëllime, vjen në një format prej rreth 2300 faqesh, me një përgatitje të shkëlqyeshme e botim të jashtëzakonshëm për rrethanat tona kulturore e të përgatitjes së librit. Sikundër ishte një model si individ i shquar, edhe vepra e tij, kriteret e përgatitjes dhe të realizimit mund të thuhet, me plot gojë, se shndërrohen në një model që zbaton standarde të larta, të cilat ndër ne domosdo do të jenë të lakmueshme edhe për një kohë të gjatë. Përveç fjalës së botuesit, në të cilën arsyetohet rëndësia e kësaj ndërmarrjeje, kompletit i prijnë edhe një numër tekstesh të autorëve të ndryshëm, të njohur të Alija Izetbegoviqit, ose njohës të veprës së tij, sikundër janë: Nexhat Ibrahimi, Ismail Bardhi, Edison Çeraj dhe Akif Emre. Këto tekste janë qasje të ndryshme e nga anë të ndryshme lidhur me personalitetin e Alija Izetbegoviqit ose rëndësinë e veprës së tij dhe, në njëfarë mënyre, përbëjnë shenjën identifikuese të këtij botimi në gjuhën shqipe. Përtej faktit se edhe si vëllim është i përmasës kolosale, duhet thënë se të jashtëzakonshme këtë vepër e bëjnë çështjet që i trajton autori, parimësia e tij, akribia shkencore në disa sosh dhe sinqeriteti i të rrëfyerit të përjetimeve në disa të tjera, gjuha e qartë, saktësia e të shprehurit, shpërfaqja e një bote të dyzuar intelektuale dhe morale. 

Vëllimi i parë përmban shkrime të ndryshme biografike dhe vlerësuese për Alija Izetbegoviqin, që marrin në shqyrtim të gjithanshëm jetën, veprën dhe veprimtarinë e tij. Pa dyshim ndër to janë edhe shkrimet e personaliteteve drejtuese të kohës, burrave të shtetit e përfaqësuesve të ndryshëm diplomatikë e institucionalë, sikundër janë ato të Stjepan Mesiqit, Taip Erdoganit, Kiro Gligirovit, Mohamad Mahathirit, Haris Sillajxhiqit, Miro Llazoviqit, Thomas Millerit, Ejup Ganiqit etj., ku del në pah figura e tij, e kundruar nga prizmi i bashkëkohësve, të cilët, ose punuan me të ose patën rastin që ta njihnin. Një dorë shkrimesh lidhet edhe me vlerësimin që iu bë figurës së kryetarit Izetbegoviq me rastin e vdekjes së tij. Kështu, do të shtonim me këtë rast edhe deklarimet e personaliteteve të shquara botërore e të vendit, sikundër janë: Kofi Anan, Kolin Pauell, Medlin Ollbrajt, Zhak Shirak, Tomas Klestil, Havier Solana, Pedi Eshdaun, Xhorxh Robertson, Millo Gjukanoviq etj., në të cilat shprehen vlerësime dhe konsiderata për jetën dhe veprën e tij. Ky vëllim përmban edhe një numër të konsiderueshëm recensionesh e vështrimesh kritike të personaliteteve diturore të kohës, që marrin në shqyrtim veprat e Alija Izetbegoviqit dhe veprimtarinë e tij të gjithmbarshme. Librit ia shtojnë vlerën informative edhe një bibliografi e shkrimeve të Alija Izetbegoviqit dhe e shkrimeve për të, sikurse edhe një fotodokumentacion që shërben si një galeri e kronologjisë së tij jetësore. 

Vëllimi i dytë përmbledh kontributet e Alija Izetbegoviqit në fushën e islamologjisë. Islami nuk bëhet temë e trajtuar në një kontekst kompleks a në një kontekst dytësor, por ai mban vendin e temës kryesore në shqyrtimet e tij. Kam bindjen se përgjithësisht është vështirë të kuptohet cilado pjesë e veprës së tij pa islamin dhe jashtë islamit. Jeta dhe vepra e tij frymojnë në kufijtë e moralit islam. Kapaciteti i tij dituror, në mënyrë më të plotë, del në pah pikërisht në veprat e tij të përmbajtjes islame. Nëse do të duhej të veçonim majën e veprës shkrimore e diturore të Alija Izetbegoviqit, atëherë pa dyshim do të përcaktoheshim për veprat: Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, Problemet e Rilindjes islame dhe Deklarata islame, që të tria të përfshira në këtë vëllim. Dija akademike e autorit, në asnjë rast, nuk është qëllim i vetvetes, nuk shfaqet si dije teorizuese dhe nuk qëndron e ftohtë në raport me rrjedhat konkrete të kohës. Madje, mund të thuhet se argumentimi shkencor është vënë në funksion të një roli të angazhuar brenda kontekstit të kohës, pa të cilin vepra shkrimore islame e Alija Izetbegoviqit nuk do të kishte asnjë kuptim. 

Vëllimi i tretë, i titulluar Ikja ime në liri, shpërfaq dimensionin e Alija Izetbegoviqit si mendimtar, si autor që përsiat në rrethana të burgosjes fizike, të hedhura në letër gjatë viteve 1983-1988, sepse, siç e pohon edhe vetë, “njeriu në burg ka pak vend e shumë kohë”. Konteksti i lindjes së kësaj vepre është më tepër një, si ta quajmë, kompensim për lirinë e munguar fizike, e cila shpëtimin e gjente në lirinë e mendimit. Se është i rëndësishëm konteksti i shkrimit të saj, na bind edhe vetë autori, i cili u jep përparësi rrethanave të shkrimit kundruall përmbajtjes së tyre: “Vlera e këtyre mendimeve nuk qëndron në vetë ato, por në rrethanat në të cilat ato janë shkruar”. Libri ka në vete historinë e të burgosurit, i cili shmang procedurat e kontrollimit me ndihmën e shokëve të autorit dhe rrezikun e deshifrimit nëpërmjet kodimit të një numri fjalësh kyçe në tekstin e tij. Alija Izetbegoviqi ishte një lexues i vëmendshëm, por edhe një kronist po aq i vëmendshëm i zhvillimeve të kohës, sidomos i ndryshimeve rrënjësore që po shfaqeshin me rënien e komunizmit. Prandaj, nga konteksti i leximit (i informimit) dhe nga konteksti i përjetimit buron pjesa më e madhe e shkrimeve të këtij libri, sidomos e sentencave domethënëse filozofike, si forma të përmbledhura të shprehjes. 

Vëllimi katërt përmban kujtimet e kryetarit Izetbegoviq. Vlerë domethënëse e kujtimeve të tij janë edhe elokuenca, saktësia e shprehjes dhe argumentimi shterues i çështjeve. Duke mos lënë mëdyshje, ai në shkrimet e tij evokuese mënjanon mundësitë e çdolloj interpretimi ambiguitiv, rrjedhimisht e orienton lexuesin drejt së vërtetës që lidhet personalisht me të, me popullin e tij dhe me vendin e tij. Duke e shkruar atë që e besonte, nuk e ka të vështirë për ta fituar besimin e tjetrit. Kujtimet, sikurse mund të vërehet, e kanë si titull sqarues togfjalëshin shënime autobiografike. Në të vërtetë, kujtimet edhe janë autobiografi. E veçanta e këtij libri memoaresh është se në të përmblidhet më parë se autobiografia e Alija Izetbegoviqit – historia e tragjike dhe e lavdishme e Bosnjë-Hercegovinës së re. Sikundër e kishte vënë tërë jetën në shërbim të kombit e të shtetit të tij, Alija Izetbegoviqi në këtë funksion i kishte konceptuar edhe kujtimet e jetës së tij, duke u bërë sinonim i shtetit të pavarur që e krijoi, i shtetit që po lindte teksa dielli i tij i jetës ngadalë po perëndonte.

Vëllimi i pestë i kompletit Vepra të zgjedhura të Alija Izetbegoviqit sajohet nga tre libra të veçantë, të cilët kanë si tematikë të përbashkët shkrimet e karakterit politik, që kryesisht lidhen me angazhimet e tij si lider i Bosnjës. Robër nuk do të bëhemi është libri me fjalimet e mbajtura gjatë viteve 1990-1995, përkatësisht në periudhën dramatike të paraluftës, të luftës, duke përfunduar me Dejtonin. Kuptohet përmbajtjet e saj ndërlidhen me mbrojtjen e Bosnjës nga agresioni, të drejtën e popujve të saj për të qenë të lirë, për Evropën, për gjenocidin mbi popullsinë e pambrojtur, për shtetin dhe rolin e tij, për paqen etj. Ditët e paqes së ftohtë është libri vijues që përmbledh fjalimet e Alija Izetbegoviqit nga viti 1996 deri më 2003. Këto fjalime janë adresim i çështjeve që e preokuponin popullsinë e Bosnjë-Hercegovinës në periudhën pas Dejtonit, sikurse janë: përforcimi i mëtejmë i institucioneve qendrore, sanimi i plagëve të luftës dhe dënimi i krimit e i kriminelëve. Tërheq vëmendjen sidomos një analizë sintetizuese, e konceptuar referat në Kongresin e SDA-së, mbajtur më 1997, e titulluar Çfarë kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë, që, për mendimin tim, është një model i gjykimit të drejtë e të paanshëm lidhur me zhvillimet në vend dhe rolin e strukturave qeverisëse në to. Libri i tretë i këtij vëllimi është titulluar Në kufij të botëve, që përmban deklarata, fjalime, porosi, letra, nëpërmjet të të cilave Alija Izetbegoviqi shfaq pikëpamjet, reagimet e tij lidhur me zhvillimet në Bosnjë, rreth Bosnjës, por edhe në hapësirën përtej saj në disa raste, duke shfaqur veçmas interesim për boshnjakët e Sanxhakut dhe sidomos për shqiptarët e Kosovës.

Në përmbyllje të këtij vështrimi dua të them diçka për rëndësinë e përgjithshme që ka botimi i veprës shkrimore të Alija Izetbegoviqit. Pa mohuar aspekte të tjera, në këtë rrafsh dalin në pah karakteri i përgjithshëm dokumentar dhe vlerat intelektuale të individit, sepse autori, përveçse pjesëmarrës tejet aktiv në zhvillimet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XX në Evropë, njihet gjithandej edhe si intelektual i profilit të lartë. Vepra e tij shkrimore dhe veprimtaria kombëtare e shoqërore, përveçse kanë qenë në një mision programor, duhet thënë se në mënyrë të ndërsjellë e kanë plotësuar njëra-tjetrën. Prandaj, është aq shumë e rëndësishme ta njohim totalitetin që sajohet nga dijetari dhe veprimtari. Pa dyshim, këtë e mundëson botimi i veprave të zgjedhura, një projekt madhor i shtëpisë botuese LOGOS A, që është kurorëzim i punës disavjeçare të grupit punues për ta sjellë në shqip, për ta bërë të flasë përgjithmonë në gjuhën e një kombi, për të cilin Alija Izetbegoviqi ndjente një afërsi të natyrshme dhe fati i të cilit shëmbëllente aq shumë me fatin e kombit të tij të shtypur. 

Liria nuk është vetëm kryefjala e veprës së Alija Izetbegoviqit. Ajo është programi i jetës dhe i veprimtarisë së tij të gjithmbarshme, qoftë si liri individuale (Ikja ime në liri), qoftë si liri kolektive (Robër nuk do të bëhemi). Liria është nocioni që e shpie autorin nga dimensioni individual në atë kombëtar dhe përtej tij në një konceptim universal të lirisë, si vlerë njerëzore dhe si vlerë hyjnore.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme