|
Para vetëm pak ditësh u ktheva në Shqipëri për të qëndruar pak kohë pranë familjes, pas një viti të lodhshëm studimi/kërkimi. Por Shqipëria është një vend që të nxit të kërkosh, edhe kur këtë nuk e ke aspak ndërmend. Paradite më qëlloi të kaloja në qendër dhe ishte e pamundur të mos shihja një poster të madh sa vetë Pallati i Kulturës, ku thuhej se kryeministri i shqiptarëve të Shqipërisë e kishte shpallur 2010-tën vitin e Nënë Terezës. Ndërsa kisha kohë që ndiqja online se kthimi i Nënë Terezës në mit kombëtar dhe shenjtore të kombit nuk është kaluar pa reagime nga disa grupe njerëzish dhe disa intelektualë, mes të cilëve edhe Fatos Lubonja e Rexhep Qosja, asnjëherë nuk kisha pasur rastin të shoh apo përjetoj drejtpërdrejtë rituale të shenjtërimit kombëtarist, apo më mirë të them, mënyrën sesi ndërtohet një mit (pasi shumica e miteve kombëtare tonat janë trashëguar nga shekulli i 19të). Prandaj kur pashë njerëz të mbledhur para Teatrit të Operas dhe Baletit, mendova se kjo mund të kishte lidhje me posterin e stërmadh. Aty për aty vendosa të pyesja dhe të ndryshoja destinacionin e vendit për ku isha nisur. |
