O NJERI I MIRË!

O njeri i mirë
Nuk do të jesh i mirë për të gjithë
Ashtu si mjalti që nuk do jetë i ëmbël për të sëmurët
Edhe nëse je pafundësisht i mirë
Nuk do të jesh i mirë për ata që s’e besojnë pafundësinë
 
Edhe po u ngjite në majen më të lartë
Edhe po u zhyte në detin më të thellë
Prapë se prapë s’do të jesh i mirë për të gjithë
Zogjtë e malit e peshqit e detit do të tremben nga ti
Edhe pse ti nuk jeton për ta trembur askë
 
Edhe nëse për të gjithë bëhesh dritë
Dije se ata që lakmojnë jetën e hutinit
Do të dëshpërohen nga prania jote
Edhe nëse vetmohesh në shpellën më të errët
për të mos e lënduar asnjë zemër në botë
Sërish nuk do të jesh i mirë për të gjithë
Sepse ata që ndjekin gjurmët e mirësisë
do të kenë nevojë për dritën tënde
 
Ti shembëllehesh me pemën që u bën hije të gjithëve njëlloj:
Si atyre që të ujisin, ashtu edhe atyre që të gjuajnë me gurë
për t’i këputur frytet nga dega atëherë kur nuk arrijnë t’i kapin dot me dorë.
Ti nuk mashtrohesh me hijen tënde
Sepse sado e madhe apo e vogël të shfaqet ajo në takim me dritën
Ti e njeh veten dhe njerëzit i peshon me cilësitë e tyre
 
O njeri i mirë
Edhe nëse e ushqen me nektar gjithë njerëzimin
Prapë se prapë nuk do jesh i mirë për ziliqarin
që pranon të jetojë vetë i uritur
Vetëm e vetëm që ti të mos jesh i ngopur
Edhe ty të shijon ushqimi i këndshëm
Por kur sheh se mizat kanë filluar të bien në ushqim
Ti e braktis atë fare dhe largohesh
Sepse ti je për të gjithë, por nuk je si asnjëri
 
Ti nuk grindesh me ata që janë veshur me qefinin e paditurisë
Sepse zemra jote e di se diçka që ata e kanë përqafuar pa arsye
Ti s’mund t’ua heqësh me arsye
Por mirësia jote është mbi arsyen tënde dhe paarsyen e tyre
Sepse e mira ekziston para arsyes dhe arsyeja ekziston për ta zgjedhur të mirën
Meqë ti nuk mund ta zgjedhësh ardhjen apo mosardhjen tënde në botë
Ti ke zgjedhur të mirën e botës që të mos zgjidhesh nga e keqja e saj
Atëherë, si mund të jesh i mirë për të gjithë kur ti nuk e do të keqen?
 
O njeri i mirë!
Ti ke pranuar të durosh dhimbjen që vjen nga e vërteta
Prandaj nuk i merr për ilaç gënjeshtrat
Ti ke vdekur para se të vdesësh, prandaj je më i gjallë se të gjallët
Ti ke shkruar në epitafin tënd një fjalë të urtë si gjithë njerëzit e dlirë:
“Është mirë të jesh i rëndësishëm, por më e rëndësishme është të jesh i mirë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme