Prejardhja, vendosja dhe roli i peçenegëve në përhapjen e Islamit në trojet iliro-shqiptare e në Ballkan (shekulli IX-XIV)

Varësisht nga numri i tyre, varësisht nga shkalla e tyre arsimore e kulturore, popujt apo grupet e popujve në lëvizje e sipër, sillnin me vete besimin, kulturën, mënyrën e jetesës, besëtytnitë, kulturën e mirësjelljes, të ushqimit, të banimit e të punës, dhe ndikonin ndërsjelltazi tek njëri-tjetri, duke këmbyer vlera të ndryshme me kulturat në fërkim apo në koekzistencë. Me fjalë të tjera, me kalimin e kohës zhvillohej procesi i akulturimit reciprok.(1)

Ndër popujt e tillë, që lanë vrragë e gjurmë gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, krahas kazarëve, kumanëve, bullgarëve, ilirëve - janë edhe peçenegët, historia e të cilëve është fare pak e studiuar dhe tejet e errët.(2)


Prejardhja e peçenegëve dhe vendlindja e tyre e parë

Nuk e dimë saktë as domethënien e fjalës “peçeneg”, as vendlindjen e tyre të parë. Të dhënat nuk janë të dorës së parë, ndaj disa pohime që pasojnë duhet pranuar me rezervë.

Në Enciklopedinë Britanike lexojmë se “peçenegët (Petchenegs or Patzinaks (lat. Bisseni) janë popull në lindje të Evropës që në historinë mesjetare luajti rol të konsiderueshëm.”(3)

Historiani e filozofi anglez me famë botërore Th. W. Arnold, pohon se “Peçenegët janë shpërngulur nga brigjet e Uralit nga fundi i shekullit IX, për t’u vendosur në tokat që shtriheshin ndërmjet Danubit dhe Donës.”(4) Disa pohojnë se peçenegët janë popull me prejardhje turke,(5) të cilët rreth shekullit VIII jetuan rreth Detit Kaspik, kurse në shekullin IX depërtuan në Detin e Zi,(6), e sipas burimeve tjera jetuan në hapësirën ndërmjet Vollgës dhe Uralit.(7)

Udhëpërshkruesi i njohur mesjetar, hebraiku verioafrikan, Ibrahim ibn Ja’kubi, i cili më 965 vizitoi Pragën në Çeki, pohon se në vitin 965, fiset e mëdha veriore flasin sllavishten … me ç’rast përmend edhe badshnakët (dmth. peçenegët).(8)

Udhëpërshkruesi tjetër Ibn Dasta në veprën “Libri i thesarit të çmueshëm” në fillim të shekullit X pohon se “ndërmjet vendit të peçenegëve dhe të sllavëve janë dhjetë ditë ecje këmbë.”(9)

Sipas Laszlo Razinyo, peçenegët dhe kumanët nga viti 890 deri 1238 kanë jetuar në bashkësi me popullatën e Rumenit; ata njëkohësisht kanë qenë sundues të tyre.”(10)

J. G. Herder në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit” thekson se peçenegët, krahas popujve të tjerë si kazarët, avarët e të tjerë, kanë bërë mjaft në krijimin e Perandorisë Romake të Lindjes e pjesërisht dhe të Perëndimit,”(11) sigurisht duke menduar në kontributin e tyre usghtarak dhe aleancat e tyre herë lindore, herë perëndimore.

Sipas “Itinerarit” të Benjamin di Tudel në shekullin XII, në Konstantinopolin e atëhershëm tregtonin tregtarët e të gjitha llojeve nga Babilonia, Persia, India, Egjipti, Kanania, Rusia, Hungaria, nga vendi i peçenegëve dhe kazarëve etj.(12)

Kurse Aleks Komneni peçenegët dhe kumanët i konsideron kushërinj.(13)

Sipas shkencëtarit të madh boshnjak N. Smailagiq “Peçenegët qysh më 560 e. r. i hasim në siujdhesën e Krimesë, bashkë me kazarët dhe kumanët.”(14)

Kronistët e historianët arabë konsiderojnë se peçenegët kanë prejardhje arabe. Udhëpërshkruesi musliman nga Spanja / Andaluzia muslimane, Ebu Hamid El-Garnati, peçenegët i quan “El-Megarib” që d.m.th. “marokenë”.(15)



Vendosja historike e peçenegëve në trojet

iliro-shqiptare dhe në Ballkan


Rreth kohës së vendosjes së peçenegëve në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare, kemi edhe mendime kontraverse. Ky kontraversizëm mendoj se është rezultat i një mostudimi sistematik e konsistent të kësaj problematike, prandaj edhe ka mendime se peçenegët në Ballkan janë paraqitur në shekullin VIII, e disa të tjerë mendojnë se janë paraqitur nga fundi i shekullit IX. Disa të tjerë shkojnë edhe më tutje dhe paraqitjen e peçenegëve e shtyjnë në shekujt e mëvonshëm.

Në mbështetje të provave historike, konsiderojmë se hulumtuesit që paraqitjen e peçenegëve në Ballkan e vënë në shekullin VIII kanë më shumë të drejtë. Këtë e themi për arsye se formimi i themave (njësive administrative bizantine) filloi nga fundi i shekullit VIII, kurse peçenegët, po ashtu, i hasim në këtë kohë, pikërisht të kufizuar në jug me Themën e Maqedonisë, Strumës, në veriperëndim me sllavët, në lindje me Detin e Zi, në veri me Hungarezët e Bizantin e të tjera.(16) Të dhënat dëftojnë se peçenegët, por edhe popujt tjerë, pas ardhjes në Bullgari, Maqedoni dhe vende të tjera të Ballkanit kanë formuar qytetet dhe fshatrat e tyre.(17)

Në favor të pohimit se peçenegët u vendosën në Ballkan në shekullin VIII e IX, shkon edhe e dhëna që e shtroi G. Ostrogorski, i cili thotë se “Uçët, nën presionin e kumanëve në vitin 1064, sikur më herët peçenegët nën presionin e uçëve, kaluan në Ballkan,(18) që na jep të kuptojmë se ky kalim i peçenegëve do të ketë ndodhur nga fundi i shekullit VIII dhe gjatë shekullit IX.

Historiani e kulturologu - etnologu i njohur boshnjak M. Haxhijahiq, megjithatë paraqitjen e peçenegëve në Ballkan e vë nga gjysma e shekullit XI.(19) Po këtë e pohon edhe M. Spahiq, boshnjak duke thënë se “paraqitja e muslimanëve – peçenegëve, ismailitëve dhe agarenëve në gjysmën e shekullit XI në Ballkan, nga qyteti i bullgarëve në Vollgë, duke e popullëzuar Hungarinë dhe Sllavoninë.(20)

Disa hulumtues rusë mbajnë qëndrimin se “aradhat e para të peçenegëve janë paraqitur në Hungarinë fqinje në shekullin X” (21). Kjo, po ashtu, vërehet edhe nga fakti se cari bullgar, Simeoni, peçenegët i shfrytëzoi për mbrojtje kundër Hungarezëve, po në këtë kohë, në shekullin X.(22)

Pohimin e mësipërm e ndeshim edhe te G. Ostrogorski, i cili pohon se “Simeoni, i shtrënguar nga Bizanti dhe hungarezët, iu drejtua për ndihmë popullit luftarak nomad të peçenegëve të ultësirës së Rusisë jugore. Me ndihmë të peçenegëve arriti t’i mundte hungarezët … korri fitore kundër Bizantit në vitin 896.(23)

Të dhënat e tjera na dëshmojnë se “nën presionin e kazarëve dhe peçenegëve, hungarezët në vitet e gjashtëdhjetë të shekullit IX shkuan edhe më larg drejt Perëndimit.(24)

Peçenegët sipas hulumtuesve rusë, që në shekullin XI në numër të madh i lëshojnë stepet ruse dhe u vendosen në Hungari dhe në Bizant.(25) Sipas disa të dhënave të tjera, krahas peçenegëve në Ballkan u vendosen edhe muslimanë arabë e bullgarë.(26)

Gjeografi e shkencëtari musliman nga Spanja, El-Bekri (shek. XI), na sjellë të dhëna me rëndësi kapitale, duke i përshkruar peçenegët në Ballkan si etnitet me rëndësi dhe sjellë faktin ku shënohet kalimi i një misioni nëpër Kroaci për në Evropën Lindore, ku gjenden të dhëna se fqinjët e Sllavëve - gjermanët, peçenegët e slezianët i njo­hnin gjuhët sllave.(27)

Në anën tjetër, shkencëtari Lj. Hauptman thekson se ka sinjale qysh para vitit 948 që dëftojnë për fqinjësinë kroato-peçenege.(28)

Praninë e peçenegëve e hasim edhe nga të dhënat ono­mastike, antroponimike e toponimike, kur krahas emrave An­drea Saracenus, Cumanus, Sracino, Sarachinus, hasim edhe emrin Peçenegus nëpër vendet tona, që tregojnë, pos të tjerash, edhe lidhjet me arabët muslimanë.(29)



Aktiviteti ushtarak dhe lëvizjet e tjera peçenege në trojet iliro-shqiptare e në Ballkan



Rrethanat politike - shoqërore e kulturore - religjioze që nga koha e paraqitjes së popullit peçeneg e deri në fikjen (asimilimin) e tyre nga skena historike, ishin në shenjë të lëvizjeve, ngritjeve dhe rënieve të shumë popujve e perandorive. Iliria, Bullgaria, Maqedonia, Bizanti, Thrakia, Greqia e të tjera nga shekulli VII e deri në shekullin XIII, qoftë ndërmjet vetes, qoftë të atakuara nga sulmet e shpeshta e të furishme të fiseve sllave, avare, bullgare, vllahe, peçenege, oguze, kumane, - u shkretëruan në masë të konsiderueshme.(30)

Për ta paraqitur më qartë këtë gjendje, do të përpiqemi që peçenegët t’i vendosim në raport të drejtpërdrejtë me popujt kryesorë të asaj kohe, ndonëse një qasje e tillë ka rrezikun e përsëritjes së disa të dhënave.



Peçenegët dhe rusët



Kontaktet dhe lidhjet e para tregtare e ushtarake peçenego-ruse i hasim herët.(31) Nuk posedojmë datë të saktë, por historikisht duket se lidhjet e para ndodhën rreth shekullit VIII kur peçenegët jetuan rreth detit Kaspik, kurse në shekullin IX depërtuan rreth Detit të Zi.(32) Historiani i njohur kroat M. Brandt, njohës i mesjetës, pohon se në decenien e gjashtë të shekullit IX Rusia e Kievit ka luftuar me Bizantin, por edhe me peçenegët e me popuj të tjerë,(33) kurse nga fundi i shekullit IX stepet rusojugore nën pushtetin e tyre i mbanin peçenegët, të cilët deri në shekullin XI paraqitnin rrezikun kryesor për rusët e Kievit.(34) Nga gjysma e dytë e shekullit IX, në rrethana të pasqaruara, të mjegulluara, e mbase me nxitje të Bizantit, ndodhi sulmi i peçenegëve, që atëherë ishin në stepe ndërmjet Donjecit dhe Bugit jugor ndaj Kievit. Në këtë luftë peçenegët pësuan humbje.(35) Në këtë periudhë kemi luftëra të vazhdueshme. Kështu, më 867 knezi Askoldi luftoi kundër peçenegëve që në atë kohë vinin në trojet e Donës dhe Donjecit të mesëm.(36) Më 969 Svjatosllavi, që atë kohë luftonte në Bullgari, përkohësisht u kthye që të zbrapste sulmet peçenege ndaj Kievit.(37)

Luftërat e ndërsjella peçenego-ruse ishin të shpeshta me suksese relative herë për njërën palë herë për palën tjetër. Më 1019 peçenegët humbin nga Kievi.(38) Më 1036 peçenegët pësuan humbje në muret e Kievit nga princi i Kievit, Jarosllavi i Urtë. Në shenjë të kësaj fitoreje, Rusia ndërtoi Kishën e Shën Sofisë në Kiev, e në anën tjetër ndihmoi mjaft në zhvillimin e tregtisë së lirë.(39)

Është me vlerë të theksohet se peçenegët nuk ishin vetëm në armiqësi me rusët, por edhe në aleancë ushtrish apo një pjesë e peçenegëve atëbotë ishte në përbërje të shtetit rus. Kështu, më 943 princi rus Igor, në ushtrinë e vet kishte rusë e peçenegë.(40)



Peçenegët dhe bizantinët



E theksuam se nga shekulli VII e tutje Perandoria Bizantine ishte e rrezikuar nga disa anë dhe nga disa fise e popuj. Peçenegët janë ndër popujt më aktiv për disa shekuj në Ballkan, që kanë ndikuar në fatin e tij. Fillimisht, luftërat bizantino- peçenege u zhvilluan jashtë Ballkanit, e më vonë ato u zhvilluan edhe në vetë Ballkanin.(41) Nga shumë burime lexojmë se Bizanti nga Veriu ishte i shtrënguar nga peçenegët, dhe kjo do të vazhdonte për shumë shekuj.(42) Kështu, gjatë kohës së Teofilit (829-842), ndonëse Bizanti ishte forcuar ekonomikisht, bënte shpenzime në luftërat në Krime me bullgarët, pastaj në luftërat me peçenegët dhe rusët, të cilët i dëmtonin interesat bizantine dhe me abasinjtë nga Lindja.(43) Në vitin 969 kemi sulmin peçeneg mbi Bizantin.(44)

Konfliktet ushtarake bizantino-peçenege vazhduan me intenzitet të lartë edhe në shekullin XI. Kështu, më 1064, peçenegët hyn në koalicion me fiset e afërta të uçëve dhe rrezikuan Perandorinë Bizantine.(45) Më 1049, 1050 dhe 1051 gjejmë luftime të rrepta bizantino-peçenege, me fat luftarak relativ. Mirëpo, në këtë kohë peçenegët hynin në Maqedoni e Traki, e madje deri në Konstatinopol, pa frikë, sipas Franjo Raçkit “duke plaçkitur e shkretëruar.” (46) Pra, siç dëftojnë burimet historike, peçenegët janë ndër ata popuj që provuan, por nuk arritën ta pushtonin Kosntantinopolin.(47) Mirëpo, nga viti 1052 peçenegët i gjejmë më pasiv. Kjo nuk i mjaftoi mbretit Konstantin, i cili mblodhi ushtarë nga Lindja e Perëndimi për t’i sulmuar ata. Udhëheqjen e ushtrisë ia besoi patrikut Mihajlo dhe Vasiliut bullgar. Kagani Tyrak kuptoi për përgatitjet e Bizantit dhe filloi të përgatitet, duke zënë pozitat strategjike. Pavarësisht nga sulmet e rrepta dhe rrethimi që ua bënë, peçenegët nuk u dorëzuan. Në të kthyer, ushtria greke u sulmua anash dhe u shpartallua, Vasiliu vdiq, kurse Mihajlo mezi shpëtoi dhe iku. Pas kësaj lufte u lidh paqe trevjeçare.(48)

Sipas të dhënave që ofron P. Thëngjili, në vitin 1085 ndodhën konflikte të armatosura ndërmjet Bizantit, në një anë dhe normanëve e peçenegëve në anën tjetër.(49) Pasi e largoi rrezikun nga normanët, Bizanti filloi edhe një luftë kundër peçenegëve, të cilët me vite po i rrinin si shpata e Damokleut mbi qafë. Gjendja u acarua edhe më shumë pasi që hordhitë peçenege kishin gjetur përkrahjen e bogumilëve. Kriza ndërmjet Bizantit dhe peçenegëve arriti kulmin, kur pas luftimeve të shumta, më 1090, peçenegët iu afruan mureve të Konstantinopolit. Po atë kohë, në vitin 1090, me peçenegët lidhën aleancë edhe muslimanët e halifatit islam, të cilët iu afruan Konstantinopolit me flotë nga deti dhe e rrethuan atë.(50)

I shtrënguar nga luftërat e shpeshta me peçenegët, Bizanti, Aleks Komneni, i ftoi dhe i hodhi kumanët në luftë kundër peçenegëve, siç ceket në disa burime, pra, kundër kushërinjve të tyre.(51) Lufta ndodhi më 29. 04. 1091, dhe sipas G. Ostrogorskit, “Peçenegët u vranë deri tek i fundit.” (52) Ana Komnena këtë ngjarje e përshkruan në mënyrë dramatike: “Një popull i tërë, që llogaritej me dhjetëra mijëra njerëz, u shua në një ditë të vetme.”(53)

Pas tri dekadash, më 1122, një mori e re peçenegësh kaluan Danubin dhe u shtrinë në Maqedoni e Traki, duke plaçkitur e shkretëruar ngado që shkelnin. Mirëpo, në luftën e vitit 1122 peçenegët humbën luftën. Ka mendime se pas luftës së vitit 1122 peçenegët nuk ekzistonin më si tërësi etnike, po u tretën në fise të tjera mongolo-tatare, duke u shndërruar në robër.(54)

Siç shënohet në disa burime, kjo luftë ishte e fundit për peçenegët, sepse Jovani II, pasi ngadhënjeu ndaj peçenegëve, robërit i vendosi nëpër provinca si ushtarë.(55)



Peçenegët dhe hungarezët:



Burimet historike shënojnë se në shekullin e X e XI peçenegët, pos rusëve e bizantinëve, patën sulmuar edhe hungarezët. Hungarezët nga presioni i tyre u detyruan të iknin drejt Perëndimit dhe të vendoseshin ndërmjet Dnjeprit, Karpateve dhe Danubit të poshtëm,(56) përkatësisht u vendosën në hapësirat që, pak a shumë, i banojnë hungarezët edhe sot.(57)

Nga burimet e tjera lexojmë se hungarezët nëpër Karpate ikën drejt Panonisë në vitin 896, sepse u sulmuan dhe humbën luftën kundër Simeonit bullgar, Bizantit por edhe kundër peçenegëve.(58)

Madje, konsiderohet se një kohë peçenegët kanë qenë faktor politik edhe në Hungari, sepse me ta zyrtarisht në Hungari komunikonte edhe Bizanti.(59)

Shkencëtari boshnjak, që jeton e vepron në Holandë, Salih Haxhialiq, sjellë të dhëna se peçenegët në Hungari në shekullin X kryenin punë tregtie, të zejeve e bujqësie. Për ta thuhet se kanë ardhur nga Lindja dhe kanë pasur status të veçantë, të njohur e të mbrojtur me ligj si mysafir (hospites).(60)

Peçenegët ose beslenjevët, si njihen në disa burime, në Hungari i gjejmë si grupin e tretë muslimanë me rëndësi, që erdhën nga rrethi i Kievit të tanishëm. Gjeografi arab Ebu Ubejd el-Bekr në veprën “Libri i rrugëve dhe vendeve” shkruan se ndërmjet viteve 988 dhe 997 peçenegët qenë islamizuar nga predikuesit muslimanë në Hungari, Horezmianët,(61) të cilët në Hungari i kemi qysh më herët. Më vonë, në vitin 1036, Jarosllavi i Urtë, mbreti kijevas, i ngadhënjeu peçenegët në një betejë, të cilët pas kësaj lufte i kemi të ndarë: një pjesë menjëherë migroi në Hungari, kurse 13 fise të mbetura formuan shtetin e tyre në hapësirën e Bullgarisë së sotme. Mirëpo, ekzistimi i këtij shteti asësesi nuk ishte në harmoni me interesat e fqiut të madh, Perandorisë bizantine. Bizanti angazhoi forca të mëdha dhe e shkretëroi këtë shtet në vitin 1120. Pas kësaj humbjeje, thuasje të gjitha fiset peçenege u shpërngulën në Hungari. Se ky ishte grupacion tejet i madh i muslimanëve në Hungari, mbase edhe më i madhi, dëshmon e dhëna se kemi rreth 150 emërtime gjeografike në lidhje me peçenegët në Hungari.(62)



Peçenegët dhe bullgarët:



Kontaktet e para peçenego - bullgare në trojet iliro-shqiptare e në Ballkan i hasim qysh në shekullin IX e më pas, varësisht nga sukseset ushtarake të njërës apo të tjetrës palë. Qëndron konstatimi i F. Raçkit se në fatin e Ballkanit rol të rëndësishëm ka luajtur populli peçeneg. Këtë e pamë edhe në raport me popujt e tjerë të asaj kohe, por ngjashëm ishte edhe në raport me bullgarët, herë si palë rivale, e herë si palë aleate. Kështu, bullgarët për shkak të konflikteve të herëpashershme me Bizantin, kanë zhvilluar bisedime për paqë me hungarezët, peçenegët dhe me knjazin serb Petar Gojkinoviq(63).

Themat ballkanike të Bizantit në shekullit XI nuk ishin të qeta, pos të tjerash, edhe për shkak të aktiviteteve peçenege. Një vit pas vdekjes së carit bizantin Vasiliu II, më 1026, peçenegët kaluan Danubin në Bullgari, dhe sipas F. Raçkit, “shumë njerëz, vojvodë e çeta i mbytën dhe i robëruan.”(64) Arkoni i Sremit Konstantin Diogeni iu kundërvu këtij sulmi dhe vetëm pas disa betejave peçenegët u larguan përtej Danubit. Pas kësaj lufte, peçenegët disa vjet pushuan nga aktivitetet ushtarake, kurse robërit i kthyen me kompenzim.(65) Por, sërish, më 1032, peçenegët i gjejmë në Bullgari.(66)

Edhe gjatë viteve 1048 – 1054 populli bullgar përjetoi shumë tmerre nga peçenegët. Në këtë kohë bullgarët ishin në anën e Bizantit.(67)

Se çështja e Ballkanit nuk ishte problematike aktualisht, e tregon edhe fakti historik vijues: Tiraku dhe Kegeni ishin princër bullgarë. Për shkak të rivalitetit ekstrem në mes tyre. Kegeni u largua nga Bullgaria dhe hyri në shërbim të carit bizantinas, Konstantini IX. Ky së pari e kryqëzoi Kegenin dhe si kundërshpërblim ia dha në administrim dy qytete në bregun e Danubit dhe shumë toka të tjera, por edhe monakun Evthimi, që t’i kryqëzonte peçenegët që në numër të madh ishin aty. Pas shumë luftimeve që zhvilloi Kegeni me çetat e veta kundër peçenegëve, i theu dhe ngadhënjeu ndaj tyre.(68)



Peçenegët dhe serbët:



Në kohën bizantine peçenegët i hasim si element etnik edhe përgjatë kufirit të atëhershëm serb. Cari bizantinas Aleksije, pasi i mundi ushtarakisht peçenegët, i vendosi në të gjitha rrugët, duke i obliguar me shërbim ushtarak. K. Jireçeku konsideron se toponimet – emrat vendorë të fshatit Peçeneg në Gruzh dhe Peçenovci tek Leskovci në Serbi janë dëshmi të pranisë peçenege të asaj kohe.(69)

Në shekullin XIV, në kohën e car Dushanit, peçenegët përmendeshin ende aktivë, por inferiorë. Car Dushani vendosi në afërsi të Prizrenit 3000 peçenegë, kurse si dëshmi kemi toponimet – emrat e fshatrave Peçan në Suha Rekë dhe Peçenoviq në Prizren.(70) Në Fermanin e Stefan Dushanit lexojmë të dhënën se peçenegu – turku – tatari, me emrin Basaraba, është kryekomandanti i Kara-Tatarëve në betejën e Velbuzhdit, në vitin 1330,(71) që dëshmon se peçenegët kanë qenë aktivë deri vonë.

Se populli peçeneg ka luajtur rol me rëndësi edhe në shekullin XIV në Ballkan, tregojnë edhe të dhënat se “gjatë kohës së mbretit Stefanit II (peçenegët – N. I.) kishin pozita të privilegjuara në pallat.”(72)



Peçenegët dhe shqiptarët:



Ndonëse peçenegët aktivitetin e tyre ushtarak e kulturor në Ballkan e zhvilluan kryesisht në territoret iliro-shqiptare, ata i hasim fare pak në raporte të drejpërdrejta. Kjo është pasojë e faktit se shqiptarët me shekuj ishin të pushtuar nga popuj të ndryshëm. Dhe të gjitha marrëveshjet ushtarake, tregtare e kulturore, ndonëse në trojet iliro-shqiptare, lidheshin me pushtuesit e iliro-shqiptarëve e jo me vetë iliro-shqiptarët. Megjithatë, kemi ca fërkime, direkte dhe indirekte.

Shqiptari i parë në hierarkinë bizantine përmendet nga Skilices – Kedronosi, në vitin 1001, në kohën e sundimit arab mbi Kolesirinë. Në këtë dokument shkruhet: “Perandori do të kishte hequr Niqifor Uranasin nga qeverisja e Selanikut dhe do ta zëvendësonte atë me Patricin David Arjanitin.”(73)

Në vitin 1050 përmendet edhe një Arjanit i dytë në fushatë kundër peçenegëve.(74) Në dokumentet bizantine, kemi edhe një ushtarak shqiptar në rangjet e larta ushtarake bizantine me mbiemrin Komiskarti nga Arbanasi,(75) që konsiderohet të ketë vepruar kundër peçenegëve.

Duke e marrë parasysh shtrirjen gjeografike të peçenegëve dhe të iliro-shqiptarëve, mendojmë se kontaktet e ndërsjella kanë ekzistuar dhe atë në fushë të religjionit, kulturës, civilizimit, tregtisë, kontakte ushtarako-diplomatike, e jo vetëm në fushën ushtarake, ndonëse këto të fundit janë më të studiuarat dhe në pajtim me këtë realitet edhe më të theksuarat.

Perandori bizantinas më herët i theksuar, Konstantini IX, i shtrënguar nga rreziqet nga të huajt dhe veçanërisht nga turqit, angazhoi 15.000 peçenegë dhe i armatosi ata kundër turqve. Mirëpo, peçenegët këtë luftë nuk e shihnin si të veten dhe shfrytëzuan rastin e ikën në drejtim të Prizrenit, në Sredskë, te pjesa tjetër e peçenegëve, më herët të vendosur aty. Të unifikuar e të nxitur nga rreziku që u kanosej, ata kaluan në hakmarrje ndaj sunduesve dhe për një kohë sundonin në gjithë Ballkanin.(76)

Të dhënat vijuese argumentojnë edhe më shumë të dhënat e mësipërme. Me urdhërin e vojvodës bullgar Vasiliut, pas humbjeve të peçenegëve nga Bizanti dhe Bullgaria në shekullin e X e XI, peçenegët e mbetur u vendosën në zonat e Sredskës në Prizren, të Nishit dhe të Ovçepoljes në Serbi.(77)

Faktet e mësipërme do t’i ilustrojmë dhe argumentojmë edhe me disa emra, patronime që rrjedhin nga Mesjeta e re, nga periudha parasllave e sllave në Prizren e tjera që i kanë rezistuar kohës, me prejardhje peçenege, kumane e kipçake si: Ballabani dhe Bilibani, Tatari, Coplan, Gurban, Kara, Karaba, Kuman, Shishman, Tokman, Caqan, Babun etj.(78) Këto fakte tregojnë praninë peçenege në Prizren e Kosovë një kohë të gjatë.



Peçenegët dhe popujt tjerë:



Prania e peçenegëve në Ballkan e Evropë bëri që ata të ndesheshin si aleatë apo rivalë, si sundues apo të sunduar, me popuj të ndryshëm, pos tyre që cekëm më lart. Kështu, peçenegët i hasim nëpër tërë Ballkanin lindor, Sllavoni e Kroaci,(79) Traki e Maqedoni(80), Rumani(81) e madje edhe në Poloni.(82) Këto raporte mbesin të hulumtohen.



Peçenegët dhe besimi e kultura e tyre islame



Depërtimi i peçenegëve dhe i popujve të tjerë në Ballkan dhe prania e tyre me shekuj të tërë, solli edhe disa ndryshime të caktuara etnike, konkretisht në viset në veri të Nishit të sotëm, në Danub.(83) Këtë e thekson në njëfarë mënyre edhe K. Jireçek.(84)

Udhëpërshkruesit e shekullit XI e XII flasin se ato vise të pasura bujqësore ishin kryesisht të shkreta, ku si të vetmit banorë i gjejmë “cubat e popullit endacak”, duke shtuar se ata “bëhen synet (cirkumizohen).”(85) Krahas këtyre ndryshimeve të caktuara etnike, ardhja dhe vendosja e peçenegëve në Ballkan dhe Evropë gjatë mesjetës solli ndryshime të caktuara edhe në sferën e religjionit si botëkuptim jete, në sferën e traditave politiko-shoqërore, tregtare etj. Vilijem Tirski shprehimisht pohon se këta janë peçenegët.(86)

Historiani, kulturologu e etnologu i njohur boshnjak M. Haxhijahiq pohon se peçenegët ishin muslimanë, që provohet edhe nga burimet e tjera. Sipas tij, nga të tjerët, peçenegët janë quajtur edhe ismailitë, pastaj edhe agarenë.(87)

Ekzistojnë mendime se peçenegët duke e komprometuar islamin dhe muslimanët e mirëfilltë, në vitin 1048 e 1049 kanë vrarë e plaçkitur nëpër tërë Ballkanin lindor. Udhëpërshkruesit sllavë flasin me plot pezm për peçenegët si “tiranë”, “të paligjshëm” dhe “të pafe”.(88)

Orientalisti serb Rade Bozhoviq në disertacionin e tij, sikur edhe shumë studiues të tjerë botërorë, pohon: “Peçenegët muslimanë janë bartës të mundshëm të kulturës arabo-islame në Ballkan”, (89) që të vazhdojë e të pohojë se: “E duke e marrë parasysh arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm, që shumë historianë e theksojnë, gjithsesi se kanë qenë bartës adekuatë të kulturës dhe natyrës arabo-islame.(90)

K. Jireçeku dhe në mbështetje të tij M. Osi, thekson se me anë të peçenegëve në Ballkan është përhapur herezia e religjioneve të tjera aziatike – maniheizmi, paulicianizmi dhe mesalianizmi, së pari në Traki e Maqedoni e pastaj në Serbi e më gjerë.(91) Ndërsa Vikli kur përshkruan peçenegët dhe jetën e tyre endacake, pohon se “kanë jetuar nëpër tenda dhe kanë sulmuar herë këtë territor e herë atë territor të fqinjëve.” Sipas tij, hordhitë peçenege “derdheshin nëpër krahinat e afërta, duke marrë e shkatërruar çdo gjë që u vinte në dorë.” Më tej pohon se armikun “ose e vrisnin, pa marrë parasysh moshën, ose e robëronin dhe e torturonin,” të rriturit i mbytnin, gratë dhe fëmijët i burgosnin, digjnin dhe i shkretëronin.”(92) Mirëpo, këto pohime duhet shikuar në prizmën e kohës kur kanë jetuar e vepruar me tërë atë që nënkupton mesjeta.



Zhdukja e peçenegëve nga skena historike



A ekzistojnë sot peçenegët? Përgjigjja më e drejtë do të ishte se sot peçenegë nuk ka, por ekzistojnë gjurmët e tyre. Ardhja e Perandorisë osmane në Ballkan nuk e gjeti këtë popull si musliman masovisht, madje as gjurmë direkte, të dukshme të tyre, së paku jo sipas arritjeve shkencore të deritashme. Luftërat kundër Bizantit, hungarezëve, bullgarëve, serbëve dhe popujve të tjerë kanë qenë fatale për ta, kështu që peçenegët humbën nga skena historike ballkanike, duke u shfarosur, asimiluar apo duke u shpërnguluar në drejtime të tjera.

K. Jireçeku konsideron se “me ardhjen e Turqisë, pjesa më e madhe e peçenegëve kalon në Islam, e pjesa tjetër në kristianizëm.(93) Kurse Georges Castellano konsideron se “Gagauzët, pasardhës të peçenegëve, u konvertuan në kristianizëm dhe mund të ndeshen rreth Varnës.”(94)

Të panjohurat, pak të njohurat, por edhe të njohurat për ta duhet të hulumtohen edhe më tej, historikisht të valorizohen dhe opinionit shkencor dhe atij të përgjithshëm t’i prezentohen në të ardhmen.



Përfundimi



Paraqitja e peçenegëve në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare për disa shekuj, qoftë si forcë dominuese ushtarake, qoftë si të mundur nga të tjerët, si popull endacak si i quajnë disa nga paragjykimet, solli me vete edhe paraqitjen e Islamit në këto troje, në mënyrë masive, të qëndrueshme dhe, sipas shumicës dërrmuese të fakteve nga fundi i shekullit VIII e mbrapa, herë në ngritje e herë në rënie.

Sipas të dhënave nga burimet bizantine, serbe etj., peçenegët posedonin arsimim e kulturë të lartë islame dhe me të drejtë mund të quhen pishtarë të Islamit në këtë pjesë të Ballkanit dhe në trojet iliro-shqiptare veçanërisht. Këtë konstatim nuk e ulin as insinuatat e vlerësimet e kundërshtarëve të tyre kristianë e paganë se peçenegët janë “të pafe”, se “cirkumizohen”, se janë shkatërrues e shkretërues.

Aktiviteti ushtarak, por edhe fetar, kulturor e civilizues i peçenegëve duhet shikuar dhe valorizuar në aspekt të kohës dhe hapësirës kur dhe ku kanë jetuar.

Para shkencës përgjithësisht, kurse para shkencëtarëve shqiptarë veçanërisht, mbetet obligim që çështja peçenege të bëhet objekt hulumtimi e studimi në njërin nga projektet e shumta kërkimore – hulumtuese tek ne. Për këtë na obligon bashkëjetesa shumëshekullore iliro-shqiptare-peçenege në këto troje dhe sjellja e Islamit në trojet tona, e njëkohësisht do të ndriçohej e kuptohej drejt prania e Islamit në periudhën paraosmane, por edhe osmane në trojet ballkanike e iliro-shqiptare.



Summary

The origin, locations and role of the Pechenegs in spreading Islam in the Illyrian-Albanian and Balkan Territories



The presence of Pechenegs in the Balkans and the Illyrian-Albanian territories for some centuries, either as a dominating military force, or conquered by others, as a wandering folk – as some biased people called them – brought with them the presence of Islam in these territories in very large numbers, and they were unyielding in this religion according to the great majority of facts from the end of the VIII century and even earlier, sometimes on the increase and sometimes decreasing.

According to information from Byzantine and Serbian sources, etc., Pechenegs possessed a high level of Islamic education and culture and they may correctly be called ‘The Torch bearers of Islam’ in this part of the Balkans and especially in the Illyrian-Albanian territories. This ascertainment is not reduced in any way by insinuations and evaluations of their Christian and pagan adversaries that the Pechenegs are ‘atheists’, that they ‘circumcise’, and that they are destroyers and devastators.

The military and also the religious, cultural and civilizing activities of the Pechenegs should be examined and evaluated, taking into account the time when they lived and the places where they lived.





(1) Shih: Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999.

(2) Megjithë rezultatet në hulumtimin dhe ndriçimin e periudhës së Mesjetës, shumë çështje nga kjo periudhë ende janë të errëta, jo mjaft të hulumtuara dhe të prezentuara në mënyrë jorelevante. Një ndër to është edhe populli peçeneg: prejardhja e peçenegëve, shtrirja gjeografike, aktiviteti i tyre në kontekstin kohor e hapësinor, besimi dhe niveli i tyre kulturor etj. Me këtë punim të shkurtër nuk pretendojmë t’u përgjigjemi në të gjitha pyetjeve të mësipërme, sepse ky angazhim do t’i kapërcente mundësitë momentale, por do të përpiqemi që, në bazë të literaturës që disponojmë, çështjen e peçenegëve ta inicojmë për studime e hulumtime më të hollësishme. Një studim i mirëfilltë do t’i kontribuonte edhe ndriçimit të raporteve historiko-shoqërore të peçenegëve dhe popujve të tjerë të asaj kohe, si ilirët, bullgarët, pastaj sllavët e tjerë.

(3) Encyclopaedia Britannica, LTD, vol. XVII, op. cit., fq. 634.

(4) Karamasin, vol. I. p. 180-181, cituar sipas: Thomas W. Arnold, “Povijest islama - Historijski tokovi misije”, botimi III, Sarajevo, 1990, fq. 507.

(5) Encyclopaedia Britannica, vol. XVII, op. cit., fq. 634. Maliq Osi, Prizren drevni grad…, Prizren, 1996, fq. 66.

(6) Maliq Osi, Prizren …, fq. 66.

(7) Encyclopaedia Britannica, vol. XVII, op. cit., fq. 634.

(8) Marko Šunjić, Hrestomatija izvora za opštu istoriju srednjeg vijeka,Sarajevë, 1980, fq. 126, fusn. 18.

(9) Ibid., fq. 125.

(10) Tuna Kopruleri, fq. 132, 112, sipas: M. Osi, fq. 84.

(11) J. G. Herder, Ide për historinë e njerëzimit, Leipzig, 1868, vëll. III, fq. 90, sipas: Nelson Çabej (ed), Autoktonia e Shqiptarëve në studimet gjermane, Prishtinë, 1990, fq. 49.

(12) Shënim nga Itinerari, Dokumenti III, në: Marko Šunjić, Hrestomatija izvora za opštu istoriju srednjeg vijeka,Sarajevë, 1980, fq. 249.

(13) Georges Castellan, Histori e Ballkanit, Tiranë, (-), fq. 44. Sipas tij, Kumanët janë popull josllav, turk, nomad. Ibid., fq. 14.

(14) Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, fq. 600.

(15) Puti{estvie Abu Hamid al-Garnati, pub. D. Bol’{ahova dhe A. Mongajta, Moskë, 1971, fq. 27, cituar sipas: Rade Božović, “Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpskohrvatskom jezickom podrucju”, Beograd, 1977, fq. 183. (Disertacion doktorate i autorit).

(16) Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, botimi III, Prishtinë, 1979, fq. 148-149. Po aty shih kartën III, fq. 148. Krahaso: Miroslav Brandt, Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka, I, Zagreb, 1980, fq. 559.

(17) Shih: Maliq Osi, op. cit., fq. 84.

(18) Georges Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 1997, fq. 241.

(19) Muhamed Hadžijahić i drugi, Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini, Sarajevo, 1977, fq. 24 - 25.

(20) Mustafa Spahic, Povijest islama, vëll. IV, Sarajevë, 2000, fq. 136.

(21) Putisestvie Abu Hamid al-Garnati, op. cit., fq. 97; Gy. Szekely, Les contact entre Hongois et Musulmans aux IX-XII siceles, nga libri The Muslim East, Budapest, 1974, cituar sipas: R. Božović, op. cit., fq. 183.

(22) Ibid

(23) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 175.

(24) Miroslav Brandt, fq. 249.

(25) Putisestvie Abu Hamid al-Garnati, op. cit., fq. 97; Gy. Szekely, Les contact entre Hongois et Musulmans aux IX-XII siceles, nga libri The Muslim East, Budapest, 1974, cituar sipas: R. Božović, op. cit., fq. 183.

(26) V. Klaić, Slike iz slavenske povijesti, Zagreb, 1903, fq. 497, cituar sipas: Rade Božović, op. cit., fq. 183.

(27) Tadeusz, Zdrola arabskie do dziegow slowianszczyny, I, Wroclaw - Warszawa - Krakow, 1956, 1969, fq. 121, cituar sipas: R. Božović, op. cit. fq. 183.

(28) Lj. Hauptman, Seoba Hrvata i Srba, Jugoslovenski istoriski časopis, III, 1-4, 1937, fq. 35, cituar sipas: R. Božović, op. cit., fq. 183.

(29) Konstantin Jireček, Die Romanen in den Staden Dalmatiens des Muttelalters, 1, Teil Wien, 1902, cituar sipas: R. Božović, op. cit., fq. 183.

(30) Për luftërat peçenege lexo: Encyclopaedia Britannica, LYD, vol. XVII, fq. 692 – 693; Ibid., vol. VI, fq. 858 – 859. Shih: Skender Rizaj, Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, Prishtinë, 1991, fq. 10, 14; G. Ostrogorski, op. cit., , fq. 241.

(31) Shih: Marko Šunjić, op. cit.,fq. 249.

(32) Maliq Osi, op. cit., fq. 66.

(33) Miroslav Brandt, Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka, I, Zagreb, 1980, fq. 552.

(34) Ibid., fq. 567.

(35) Ibid., fq. 559.

(36) Ibid., fq. 552.

(37) Ibid., fq. 439.

(38) Ibid., fq. 564.

(39) Ibid., fq. 566; Maliq Osi, op. cit., fq. 66.

(40) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 187.

(41) Skender Rizaj, Shqiptarët dhe Serbët, op. cit., fq. 10 – 14.

(42) Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, botimi III, Prishtinë, 1979, fq. 161 dhe 169.

(43) M. Brandt, op. cit., fq. 337 – 338; Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, bot. III, fq. 161 dhe 169.

(44) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 195.

(45) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 241.

(46) Franjo Rački, Borba Južnih Slavena, fq. 132 – 133.

(47) M. Osi, op. cit., fq. 59.

(48) Franjo Rački, Borba Južnih Slavena, fq. 133.

(49) Petrika Thëngjilli, Historia e Popullit shqiptar ( - ), Tiranë, 1999, fq. 82.

(50) Shih: G. Ostrogorski, op. cit., fq. 256.

(51) Georges Catelan, op. cit., fq. 44.

(52) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 257.

(53) Ibid., fq. 257.

(54) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 267; M. Osi, op. cit., fq. 67 dhe 127.

(55) G. Ostrogorski, Istorija Vizantije, Beograd, 1959, fq. 355 – 367.

(56) M. Brandt, op. cit., fq. 428; G. Ostrogorski, op. cit., fq. 175.

(57) G. Ostrogorski, op. cit., fq. 175.

(58) M. Brandt, op. cit., fq. 428; G. Ostrogorski, op. cit., fq. 175.

(59) J. Ferluga, Vizantijsko carstvo i južnoslovenske države od sredine IX do sredine X veka, Zbornik radova Vizantološkog Instituta, knjiga XIII, Beograd, 1971, fq. 84, cituar sipas: Rade Bozović, op. cit. fq. `83.

(60) Peçenegët (lat. Bisseni, Bysseni ose Besseni; hung. Bessenyő pl. Bessenyők) në Hungari qenë të njohur e të mbrojtur me ligj, sikur edhe Hazarët, Bullgarët nga Vollga, Kumanët, Horezmianët (Hvalisët, Kalisët), Saracenët etj. Shih: Salih Hadzialic, Manihejska proslost srednjovjekovne Bosne, Islamska misao, nr. 143/1990, Sarajevë, fq. 10.

(61) Sipas: Islam u Madzarskoj, Islamka misao, nr. 143/ 1990, Sarajevë, fq. 57.

(62) Ibid.

(63) M. Brandt. Op. cit., fq. 429.

(64) Franjo Rački, op. cit., fq. 113.

(65) Ibid., fq. 114.

(66) Ibid., fq. 114.

(67) Ibid., fq. 133.

(68) Shih: Ibid., fq. 131.

(69) Konstantin Jireček, Istorija Srba, I, Beograd, fq. 124.

(70) M. Osi, op. cit., fq. 126.

(71) Konstantin Jireček, Istorija Srba, I, Beograd, fq. 110.

(72) Rade Božović, op. cit., fq. 183.

(73) Dokumente të periudhës bizantine për Historinë e Shqipërisë, Tiranë, 1978, fq. 87, sipas: Irakli Koçollari, Arvanitët, Tiranë, 1996, fq. 15.

(74) Irakli Koçollari, op. cit., fq. 15.

(75) Kostas Biri, Arvanitas-i tori tu neoteru elenizmu, Athina, 1967, sipas: Irakli Koçollari, op. cit., fq. 11.

(76) Franjo Rački, op. cit., fq. 131.

(77) Ibid.

(78) M. Osi, op. cit., fq. 86.

(79) M. Spahić, op. cit., fq. 136; M. Osi, op. cit., fq. 126.

(80) M. Osi, op. cit., fq. 67.

(81) M. Barndt, op. cit., fq. 567.

(82) Ibid., fq. 564.

(83) M. Hadžijahić, Islam i muslimani…, op. cit., fq. 26.

(84) K. Jireček, Istorija Srba, II, Beograd, 1952, fq. 154.

(85) M. Hadžijahić, Islam i muslimani…, op. cit., fq. 26.

(86) Sipas: Ibid., fq. 26.

(87) Sipas: Ibid., fq. 24 –25; M. Spahić, Povijest islama, IV, op. cit., fq. 136.

(88) M. Hadžijahić, Islam i muslimani…, op. cit., fq. 24 - 25.

(89) Rade Bozović, op. cit., fq. 183.

(90) Ibid., fq. 183.

(91) K. Jireček, op. cit., II, fq. 254; dhe M. Osi, op. cit., fq. 67.

(92) Franjo Rački, op. cit., fq. 133.

(93) K. Jireček, op. cit.,II, fq. 254.

(94) Georges Castellano, op. cit., fq. 23.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme