Zëdhënës të paqes apo të terrorit?

"Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”.

(Ungjilli, Dhiata e Re, Mateu, 10:34)

 

Në fe nuk ka dhunë”. (Kur’an, el-Bekare, 256)

Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t'i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t'i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?

(Kur’an, Junus, 99)

 

Mosnjohja e së vërtetës shkakton lindjen e stereotipave të formave të ndryshme. Po qe se vështrojmë në historinë e terrorizmit si taktikë dhe strategji e luftës politike, do të bindemi se e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe nga ajo se çfarë na ofrohet sot në media. S’do mend se gjatë disa dekadave të fundit gjithnjë e më shumë trumbetohet për “rrezikun nga terrorizmi islamik”, ndërsa islami gjithnjë e më shpesh ndërlidhet me terrorizmin! Nocioni “terrorizëm” vjen nga shprehja franceze terrorisme, dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror, siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794. Shprehja franceze terrorisme rrjedh nga folja latine terreō që do të thotë “frikësoj”. Pas humbjes së pushtetit nga Jakobinët - gjatë Revolucionit Francez - shprehja “terrorist” u bë një term i abuzimit. Edhe pse “terrorizmi” fillimisht i referohej akteve të kryera nga një qeveri, ai zakonisht i referohej vrasjes së njerëzve të pafajshëm për qëllime politike në mënyrë të tillë që të krijojë një spektakël mediatik. Ky kuptim të çon shumë kohë përpara tek Sergej Neçajev i cili e përshkronte veten si një “terrorist”, madje ky në vitin 1869 e themeloi edhe grupin terrorist “Hakmarrja e Popullit[1]. Sikurse edhe shumica e shfaqjeve të tjera negative të cilat iu vishen myslimanëve, islamit, Orientit, si monopol i tyre ekskluziv dhe shprehje e “planave të tyre të zjarrta”, edhe terrorizmi në fakt është monopol historik i Evropës Perëndimore, gjë që është zgjeruar edhe në Rusi. Pothuajse të gjitha studimet bashkëkohore të kushtuara terrorizmit, praktikisht pa përjashtim, e trajtojnë terrorizmin pikërisht si shfaqje të viteve të fundit gjatë të cilave si pikë më e shpeshtë referimi është lidhur me aktin e rrënimit të kullave binjake në Nju Jork.

Vërtetë, miti për gjoja “terrorizmin islamik” paraqet një frikësim mjaft efikas për evroperëndimorët, edhe atë duke fabrikuar stereotipa të llojeve të ndryshme kundër islamit dhe kulturës islame në përgjithësi. Në më shumë media islami akuzohet si element bazë për nxitjen e së keqes dhe terrorizmit, duke harruar për nxitësit e vërtetë të së keqes. Nëse nuk mund të pajtohemi me konstatimet se ku në të vërtetë qëndron etnocentrizmi i këtillë dhe djepi i stereotipave për të a.q “terrorizëm islamik”, atëherë do të parashtronim vetëm disa pyetje: Kush në të vërtetë i nxiti dhjetë kryqëzatat kundër Orientit? Kush i inicioi luftërat ballkanike? Kush ishte iniciues i dy luftërave të deritashme botërore? Kush e inicioi Hitlerin e devotshëm të krishterë që të ndërmerr një aktivitet të atillë luftarak? Pse në një letër përgëzimi me rastin e postit presidencial të Hitlerit në vitin 1933, kardinali romankatolik Faulhaber i kishte shkruar Hitlerit: “Le ta ruaj Zoti kancelarin Reich (Hitler)”? Kush i pushtoi vendet e Lindjes së Afërt dhe asaj të Mesme me qëllime të përfitimit dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore? Pse rusët asnjëherë nuk u akuzuan për terrorizëm të organizuar shtetëror kur dihet se shekuj me radhë terrorizojnë popujt dhe vendet e Azisë Qendrore, si dhe për dhjetë vite që kryen masakra dhe krime në Afganistanin e viteve të 80’ta?

Atëherë kur policia hutu (e krishterë) filloi të sulmojë pakicën tutci (7% myslimanë) në vitin 1994 në Ruandë, për t’i shpëtuar masakrave ata ia mësynë kishave për strehim. Pikërisht aty popullata e pafajshme civile ra në duart e vrastarëve të tmerrshëm priftërinj, pastorë e murgj, iniciues të terrorit të 50.000 viktimave ruandezë. Për këto krime Gjykata e Hagës akuzoi një numër të konsiderueshëm të liderëve kishtar katolik, protestantë, adventistë e evangjelistë, por nuk u quajtën terroristë të krishterë? Organizata e famshme raciste Kju Kluks Klan kishte një agjendë biblike në përndjekjen, masakrimin, vrasjen, djegien dhe maltretimin e qindra mijëra zezakëve amerikanë. Ata pretendonin se udhëzoheshin nga Bibla dhe se kryenin vullnetin e Jezu Krishtit, por as ata nuk u quajtën asnjëherë terroristë kristijanë! Robëria zezake ishte iniciuar nga grupe të bardhësh amerikanë të cilët midis tyre kishin edhe misionarë biblikë të cilët nën pretekstin e shpëtimit të zezakëve krijuan absurdin më të madh duke themeluar kisha në bazë të ngjyrës e racës. Veç kësaj, shumica e këtyre zezakëve ishin myslimanë, që nën terrorin e paparë u detyruan të konvertohen në të krishterë. Por, prapëseprapë këta asnjëherë nuk u etiketuan me damkën e terrorizmit e të fundamentalizmit të krishterë. Për vrasësin Jigal Amir - i cili në nëntor të vitit 1995 kreu atentat kundër kryeministrit izraelit Jitzak Rabin - ishte detyrë fetare për ta likuiduar kryeministrin e tij, sepse sipas tij, procesi paqësor paraqiste tërheqje nga toka e premtuar, që në të ardhmen do të shkaktonte shkatërrim të ri të popullit hebre. Gjatë seancës gjyqësore Jigal Amiri tha: “Unë atë e kam bërë për shkak të Zotit dhe për shkak të popullit izraelit”. Në pyetjen se për çfarë arsye nuk është orvatur që të veprojë në kuadër të sistemit demokratik, ai u përgjigj: “Çfarë do të thotë e gjithë ajo kotësi për demokracinë. Nuk ekziston demokraci, prandaj ekziston judaizmi. Për disa vite do të më falënderoni për këtë që e kam bërë[2]. Me gjithë deklaratat e tij, prapëseprapë Jigal Amir asnjëherë nuk u karakterizua e as që u quajt terrorist judaist. Bomba që eksplodoi në prill të vitit 1995 në Oklahoma City deri më tani ishte kulmi i dhunës dhe terrorit me zërat religjioze në SHBA. Atentati kundër Alfred P. Murrah Federal Building kushtoi 168 jetë njerëzish, ndër ta edhe 19 fëmijë të kopshtit për fëmijë i cili gjendej po në atë ndërtesë. Realizuesi i këtij akti terrorist Timothy McVeigh ishte veteran i luftës së Gjirit dhe i takonte organizatës paramilitare Michigan Militias, organizatë kjo e cila numëron rreth 12.000 ithtarë dhe e cila me seriozitet beson se qeveria amerikane sot disponon me një program politik me qëllim të kontrollit të plotë ndaj çdo qytetari amerikan. Sipas Timothy McVeigh, Oklahoma City ishte qendra e atij konspiracioni[3]. Megjithatë, intelektuali dhe publicisti Dan Barker (ashtu si edhe ne) me të drejtë do të shtrojë pyetjen: “Përse Timothy Mc Veigh nuk quhet terrorist i krishterë[4]? As sulmuesit sikhë të Indisë nuk u quajtën terroristë sikhë atëherë kur e shkatërruan avionin e Air India dhe vranë 328 njerëz të pafajshëm! Nga viti 1994, e deri në vitin 2013 në Evropë janë kryer pak më tepër se 4 mijë akte terroriste. Në periudhën kohore 1994 -2013 në Francë janë kryer 225 atentate. Grupi më aktiv terrorist është Fronti Nacional Korsikan, ndërsa grupet më aktive në Itali janë Federata Anarkiste Informale, Brigadat e Kuqe dhe grupet neonaziste, të cilave u shtohen firmat e huaja të Celulave Luftarake Komuniste dhe Ujqit Gri[5]. Megjithatë, asnjëra nga këto nuk është klasifikuar si grup terrorist i krishterë ose të etiketohen si fundamentalistë të krishterë!

Po ashtu, krimet masive të cilat ndodhin veçanërisht këto dhjetë vitet e fundit në SHBA dhe në Evropë, si nëpër shkolla, kolegje dhe Universitete, nuk janë karakterizuar si akte terroriste krishtere. Rast mjaft tronditës është edhe ai që ndodhi në Oslo të Norvegjisë më 22 korrik të vitit 2011, përkatësisht kur ekstremisti katolik norvegjez Anders Behring Breivik vendosi një bombë në një makinë para selisë së Partisë Laburiste në Oslo. Në këtë akt terrorist u mbytën nëntë njerëz dhe shumë të tjerë u plagosën. Pas disa çasteve ai arriti në ishullin Utøja jashtë qytetit, ku të rinjtë e Partisë Laburiste po festonin. Këtu Breivik nxori armën e tij automatike dhe shtiu ndaj të rinjve ku la të vrarë 69 prej tyre, ndërsa 121 të plagosur rëndë[6]. Për të qenë habia edhe më e madhe - edhe pse Breivik e quante veten “kristijan fundamentalist” dhe pohoi se është një përkrahës i një “Europe monokulturore kristijane[7] - prapëseprapë, Breivik në media nuk karakterizohej dhe nuk quhej terrorist kristijan, madje në gjykatë paraqitej edhe me kostume dhe kollare të shtrenjtë!

Sidoqoftë, shprehja “terrorizëm islamik” në zhargonin e përditshëm politik përbën një të vërtetë të rëndomtë, ngjitjen e pashkëputshme të islamit dhe terrorizmit, dhe në këtë formë funksionon si sintagmë klasike[8]. Të etiketosh islamin dhe myslimanët si “xhihadistë” dhe “terroristë islamikë” do të ishte e barabartë me terrorizmin e vërtetë, me që vet urrejtja e një etniteti fetar paraqet krim dhe terror në vete[9].

 

Domethënia e nocionit xhihad dhe çfarë është ai?

 

Nocioni xhihad i cili thjesht është përkthyer si “luftë e shenjtë”, megjithatë shekuj me radhë ka shkaktuar diskutime në Evropë dhe është kuptuar si argument i dukshëm për fanatizmin fetar islam. Perceptimi negativ të nocionit xhihad në një masë të gjerë është shkaktuar nga paragjykimet evropiane, gjoja se “bota islame përmes ndonjë mënyre të domosdoshme e kishte patjetër që pakicat fetare t’i trajtojë me një mizori dhe fanatizëm”... Po qe se vështrojmë në shkrimet e shenjta religjioze parakuranore (para se gjithash në Bibël), do të kuptojmë se gjendja në këtë drejtim nuk është ashtu siç shumëkush e di. Besoj se nuk është bërë ndonjë analizë më e hollësishme ose krahasim ndërmjet teksteve biblike dhe etikës hebreje dhe të asaj kristijane... Në të vërtetë, Dhiata e Vjetër në tre vende parasheh një politikë përfundimisht drastike në lidhje me banorët e Kananit; si p.sh. në Librin e Pestë të Mojsiut (Libri i përtërirë) 20:16-17 thuhet: “Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt”. (Dhiata e Vjetër, Libri i Pestë i Mojsiut, 20:16-17).

Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë”. (Dhiata e Vjetër, Libri i Parë i Shëmuelit, 15,3).

Ndërsa në Ungjillin sipas Mateut lexojmë: “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”. (Mateu, 10:34).

Megjithatë, në islam Zoti çdo herë është Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe të gjitha 114 kaptinat kuranore, përveç njërës, fillojnë me shprehjen err-Rrahman, err-Rrahim (Mëshiruesi, Mëshirëbërësi). Nocioni islam vjen nga rrënja e njëjtë si edhe fjala selam, paqe, ashtu që edhe sipas definicionit islami është religjion i paqes. Në Kur’an dhe në Praktikën Pofetike nocioni i paqes është kushtëzuar me pranimin e të kuptuarit të Zotit, ndërsa të kuptuarit e islamit nga bota joislame ishte karakterizuar por edhe më tej vazhdon të jetë ashtu, me idenë se një të pranuar i atillë është imponuar me “luftën e shenjtë”. Në disa qarqe të caktuara ende ekziston bindja se nocioni xhihad manifeston fanatizmin, ashpërsinë dhe jo tolerancën islame! Megjithatë, me domethënie thelbësore është fakti se këtu nuk ka kurrfarë të vërtete, e as ndonjë lidhshmëri me terrorin dhe luftën, që do të thotë se domethënia esenciale e shprehjes xhihad nuk ka asgjë të përbashkët me krimin dhe luftën, gjë të cilën e pranojnë edhe më shumë intelektualë dhe mendimtarë botërorë[10].

Nocioni xhihad përbëhet nga bashkëtingëlloret xh, h, d, të cilat kanë domethënien e përpjekjes, orvatjes mundimplote për të arritur një gjë të mirë, mësim, punë... Në të vërtetë çdo përpjekje e realizuar në përcjelljen e rrugës së Zotit është xhihad. Kjo assesi nuk duhet të ndërlidhet me veprimtaritë luftarake, me kidnapimet, terrorin ose me çfarëdo të keqeje. Në gjuhën arabe ekzistojnë nocione dhe fjalë të tjera të cilat e karakterizojnë luftën, siç janë harb/luftë ose qital/konflikt i armatosur prej ku rezultojnë mbytje, kifsh/luftë e armatosur, mukatala/konflikt i armatosur, sira’a,/luftë, betejë dhe mea’areke/betejë, luftë/...

Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi se Abdullah ibn Omeri ka thënë: “Erdhi një njeri te Profeti Muhammed (s.a.v.s.) dhe kërkoi leje që të shkojë në xhihad, andaj i tha: “A i ke prindërit gjallë”? “Po”. I tha njeriu. Muhammedi (s.a.v.s.) i tha: “Shko te ata dhe ai është xhihadi yt”. Në Kur’anin Fisnik nocioni xhihad është përmendur 24 herë[11].

Qysh në shikim të parë mund të vërtetohet se tradicionalisht, kuptimi burimor i xhihadit, siç është përdorur në kontekstin e disa citateve të Kur’anit (dhe të haditheve), assesi nuk përmban kurrfarë kushtëzimesh konceptuale që drejtpërdrejtë do të shpinin në të a.q. “luftë të shenjtë” apo në konflikt të armatosur[12]. Pra, xhihadi nuk është domosdoshmërish luftë pushtuese me parashenjë religjioze, e më pak luftë e shenjtë. Ai, para së gjithash, është një obligim i myslimanit për ta ndjekur rrugën e Zotit.

Në lidhje me xhihadin e përmendur në Kur’an sjellim disa ajete:

- “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur”. (Tevbe, 24).

- “Po ti mos i dëgjo jobesimtarët e luftoi ata me të (me Kur’an) me një luftë të madhe”. (el-Furkan,  52).

- “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni All-llahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që e keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon ashtu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë”. (el-Mumtehine, 1).

Definicioni bazë i xhihadit është “përpjekja në shërbim të Zotit, fesë islame ose të bashkësisë së myslimanëve”. Citati 29 i kaptinës Tevbe (Pendimi) në Kur’an: “Luftoni ata që nuk besojnë All-llahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur”, është ndër pjesët më të zjarrta të Kur’anit, prandaj duket se nxit myslimanët për luftë islamike kundër të krishterëve dhe hebrenjve, kundër pjesëtarëve të popujve të librit. Të kuptuarit e tillë mund së paku të relativizohet, nëse jo edhe të përgënjeshtrohet në dy mënyra, edhe atë retorika radikale-militante e përshkruar e porosive të drejtpërdrejta është tepër e rrallë në Kur’an, i cili - sikurse dhe të gjitha shkrimet religjioze (të shenjta) të religjioneve abrahamike - nuk është kurrfarë dokumenti juridik, por e ruan shkallën e tretë të dykuptimësisë së domosdoshme metaforike dhe njëkohësisht, thirrja për nevojën për luftë shfaqet në një kontekst shumë të zbutur të vetëmbrojtjes dhe të vetëdisiplinës, siç tregon bukur fragmenti i cili në Kur’an vijon pas ftesës paraprake “Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave)”. (Tevbe, 36).

Pra, të krishterët dhe hebrenjtë, si pjesëtarë të popullit të librit, nën dominimin politik islam nuk kanë qenë të detyruar që të zgjedhin mes “islamit dhe shpatës”, sikurse që me kokëfortësi thekson përcjellja popullore e paragjykimeve perëndimore, ata në bashkësinë myslimane tradicional­isht kanë gëzuar mbrojtjen juridike, ekonomike dhe politike”[13]. Në tekstin e Kur’anit dhe në Traditë ekzistojnë një varg rregullash (luftarake), ndër të cilat edhe këto në vijim:

- ata të cilët nuk luftojnë, duhet të mbrohen, ndërsa lufta ekonomike destruktive, si p.sh. taktika e ndezjes së tokës, assesi nuk është e lejuar;

- nëse armiku dëshiron paqe, atëherë duhet pranuar atë: “Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di”. (8:61);

- lufta mbrojtëse është e arsyetuar me qëllim që të eliminohet sulmi ose planet për sulm;

- prapëseprapë, lufta nuk mund të jetë mjet për konvertimin e dhunshëm në islam, pasi që Kur’ani urdhëron: “Në fe nuk ka dhunë”. (2:256), “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t'i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t'i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë? Nuk është e mundur për asnjë njeri të besojë (ndryshe), pos me ndihmën e All-llahut. E dënimin u jep atyre që nuk mendojnë”. (10:99-100); “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit. Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (16:125-126); “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: ‘Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij”. (29:46), etj.

Dijetarët islam janë orvatur t’i shpjegojnë urdhrat që kanë të bëjnë me këto çështje, edhe atë me ndihmën e esbab en-nuzul (shkaqet e shpalljes së ajeteve kuranore) dhe e citojnë ajetin 106 të kaptinës el-Bekare ku thuhet: “Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me te. A nuk e ke ditur se All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send”? (el-Bekare, 106).

Shpallja i pasqyron rrethanat e ndryshme për udhëheqje të luftës. Përderisa Muhammedi qëndronte në Mekkë dhe përderisa bashkësia e tij ishte e dobët dhe e ndjeshme, ajetet e shpallura kryesisht flitnin për mënyrën e shmangies nga konflikti i armatosur. Beteja e parë në historinë e islamit e njohur si beteja e Bedrit, assesi nuk ishte luftë me karakter tipik fetar, por para se gjithash përpjekje për ruajtjen e pasurisë së plaçkitur.

 

 

Bellum justum 

 

Është e vërtetë se edhe pas shpërnguljes së myslimanëve në Medinë intrigat e paganëve mekkas nuk pushuan. Ata vazhdimisht përmes kërcënimeve i frikësonin myslimanët. Në të vërtetë, te banorët vendas të Mekës  - të cilët nuk e pranuan Shpalljen nga Zoti dhe të cilët ua kishin plaçkitur pasurinë myslimanëve të persekutuar - profeti Muhammed vërejti armiqtë e tij dhe të bashkësisë së re, ndaj të cilëve u detyrua që të reagojë. Historianët myslimanë transmetojnë rrëfimet e dëshmitarëve të asaj kohe, siç transmetohet se Ubej b. Ka'bi ka thënë: “Kur erdhi Profeti Muhammed me shokët e tij (si dhe një numër i madh i familjeve myslimane mekase) në Medinë, dhe kur e ndien rrezikun nga jomys­limanët, nuk guxonin të flinin pa armë në shtëpi, e me to edhe gdhinin”. Në një rast paganët ua kishin dërguar një shkresë myslimanëve në Medinë ku kërcënoheshin duke thënë: “Mos u dalldisni se keni ikur prej nesh në Jethrib (Medinë), do të vijmë atje dhe do t’ju çrrënjosim ju dhe do t’ua shkulim perimet në oborret tuaja”.

Lëvizjet e para ushtarake u ngjasonin ekspeditave vëzhguese, qëlli­mi i të cilave ka qenë hulumtimi dhe njohja me terrenin e gjerë rreth Medinës, si dhe i të gjitha rrugëve që shpinin kah Meka. Është me rëndësi të theksojmë se disa javë para se të ndodhte beteja e Bedrit, një grup paganësh mekas nën udhëheqjen e njëfarë Ibn Xhabirit kishin sulmuar një paralagje në jug të Medinës ku kishin kryer plaçkitje dhe shkatërrime ndaj popullatës myslimane të asaj lagjeje. Bashkësia e re myslimane në Medinë, në krye me profetin Muhammed (s.a.v.s.), vazhdimisht përcillte gjendjen aktuale strategjike në terren. Ekspedita e quajtur Nahla u organizua në muajin rexheb të vitit 2 h., ose në muajin janar të vitit 624. Profeti Muhammed (s.a.v.s.) e dërgoi Abdullah bin Xhahsh el-Esedij në Nahla dhe disa shokë të tij me qëllim që të vëzhgojnë lidhjet rrugore për në Mekë. Aty pari do të kalojë një karvan duke bartur nga Shami erëza dhe mallra të tjera tregtare. Karvanin e udhëhiqnin disa njerëz të njohur mekkas. Grupi mysliman u konsultuan ndërmjet vete dhe thanë: “Ne gjendemi në ditën e fundit të muajit Rexheb (viti i dytë hixhrijj), muajit në të cilin është e ndaluar gjakderdhja, sepse është njëri nga muajt e shenjtë. Nëse i sulmojmë, do të lëndojmë shenjtërinë e muajit, nëse i lëshojmë, sonte do të hyjnë në Mekë”. Atëherë vendosën të sulmojnë, ku njërin e mbytën ndërsa dy të tjerë i zunë rob. Karvanin dhe njerëzit i dërguan në Medinë. Profeti Muhammed nuk e pranoi këtë gjest të tyre, andaj tha: “Nuk ju kam thënë të sulmoni dikë në këtë muaj të shenjtë”. Kjo ngjarje ua mundësoi paganëve të Mekës për të akuzuar myslimanët se i kanë lejuar vetës atë që ka ndaluar Zoti, dhe rreth kësaj u thurën shumë tregime dhe thashetheme. Atëherë, Allahu shpall ajetet me të cilat ndërpriten supozimet e ndryshme, dhe se paganët kanë bërë vepra shumë më të këqija se kjo që kanë bërë myslimanët. Allahu shpallë: “Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Luftimi në të është mëkat i madh, - por pengimi prej udhës së All-llahut, të mohuarit e Zotit, heqja dorë nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve nga ajo, është mëkat më i madh te All-llahu. E, torturimi është mëkat më i madh se vrasja”. (el-Bekare, 217).

Shpallja tërësisht sqaron se mizoritë që i kanë bërë paganët për të mbjellë frikën në zemrat e luftëtarëve myslimanë, janë shumë më të rënda. Të gjitha shenjtëritë janë rrënuar dhe nuk janë respektuar kur ishte në pyetje rrënimi i Islamit, vrasja e myslimanëve dhe persekutimi i anëtarëve të familjeve të tyre. A thua myslimanët nuk kanë qenë duke banuar në vendin e shenjtë atëherë kur u mor vendimi për tu konfiskuar pasuria e tyre dhe të vritet Profeti i tyre? Çka ndodhi tani me ta që përnjëherë shenjtërive ua kthejnë statusin e tyre, ndërsa çdo përdhosje përnjëherë të paraqet mëkat dhe krim!? Të tëra këto akuza dhe shpifje që i përhapnin kundër myslimanëve ishin vetëm propagandë e mbështetur në paturpësi dhe amoralitet. Pastaj, Profeti Muhammed i liroi këta dy robër dhe trashëgimtarëve të të vrarit ua dha dëmshpërblimin për vrasje[14]. Pra, Allahu urdhëroi myslimanët që të luftojnë pas ekspeditës së Abdullah b. Xhahshit në muajin shaban të vitit të II-të sipas hixhrit (viti 624). Në lidhje me këtë janë shpallur ajetet: “Dhe luftoni në rrugën e All-llahut - kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos e teproni! - Vërtet, All-llahu nuk i do ata që e teprojnë. Dhe vrisni ata kudo që t'i gjeni dhe dëboni prej vendeve ashtu siç ju dëbuan ata juve, sepse torturimi është më i rëndë se vrasja. Dhe mos luftoni kundër tyre në Xhaminë e Shenjtë e as afër saj, vetëm nëse ju sul­mojnë. E nëse ata luftojnë me ju (aty), atëherë edhe ju luftoni kundër tyre. I këtillë duhet të jetë ndëshkimi për jobesimtarët. Por, në qoftë se ata heqin dorë (nga të këqijat), atëherë All-llahu është Mëshirues dhe Falës. Luftoni ata derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet besimi vetëm për All-llahun. E në qoftë se ata heqin dorë (nga propaganda dhe lufta) atëherë s'ka armiqësi, përveç atyre që e kanë tepruar”. (El-Bekare, 190-193).

Me këtë kuptohet se sa do që bashkësia zgjerohej dhe bëhej më e fuqishme, ashtu zgjeroheshin edhe kushtet dhe përkufizoheshin restrikcionet për mënyrën e zhvillimit të luftës kundër jobesimtarëve. Pra, atëherë kur persekutimet dhe dëbimet rezultuan me hixhret (ikje-shpërngulje në Medinë) dhe kur pas vendosjes në Medinë situata dhe rrethanat ndryshuan plotësisht, myslimanët morën leje nga Zoti për luftë vetëmbrojtëse. Si veprim i parë për një konflikt të parë ndërmjet paganëve mekas dhe besimtarëve myslimanë të Medines historianët shënojnë ndodhinë me karvanin e Ebu Sufjanit i cili shkonte prej Mekës për në Sham. Kur u afrua koha e kthimit të këtij karvani prej Shamit për në Mekë, profeti Muhammed dërgoi Talha b. Ubejdullahun dhe Se'id b. Zejdin të vëzhgojnë në veri. Ata vajtën në Havër dhe aty qëndruan derisa e panë se karvani po kthehej me Ebu Sufjanin, i mblodhën të dhënat dhe u kthyen në Medinë për ta informuar Profetin Muhammed. Karvani ishte i madh. Një mijë deve të ngarkuara me gjithfarë mallrash për të cilat ishte shpenzuar pasuri e madhe e kurejshitëve me vlerë prej pesëdhjetë mijë dinarësh të artë dhe me sigurim minimal prej dyzet njerëzish. Ndodhia në Bedër ishte akt i pengesës së ndonjë masakre eventuale ndaj tyre, pasi që karvani i cili kthehej me një mijë deve nga Damasku për në Mekë mbante pasuri të ndryshme, ndër tjerave edhe armë. E gjitha kjo pasuri ishte fituar edhe përmes tregtimit me pasurinë e plaçkitur të myslimanëve që e kishin lënë në Mekkë.

Ebu Sufjani, si prijës i karvanit, ishte tejet i matur dhe i kujdes­shëm. E dinte mirë se rruga për në Mekë është shumë e rrezikshme ku mund të ndodhin befasi, andaj i dërgoi dy spiunë të vëzhgojnë secilin që kalonte asaj rruge dhe ta lajmërojnë atë. Së shpejti i erdhi lajmi se Muhammedi kishte ngritur ushtrinë për t’a penguar karvanin. Ebu Sufjani e dërgoi Damdam b. Amër el-Gaffarin në Mekë me lajme alar­muese dhe kërkoi që të vijnë njerëzit për ta mbrojtur karvanin nga Muhammedi dhe shokët e tij. Me të mbërritur në Mekë, Damdami i informoi mekasit se ata duhet ta shpëtonin pasurinë që është duke e përcjellë Ebu Sufjani... Kurejshitët me një numër të madh ushtarësh mirë të armatosur u nisën me shpejtësi të madhe kah veriu në drejtim të Bedrit. Në Xhuhfe e morën një porosi të re nga Ebu Sufjani në të cilën thuhej: “Ju u nisët për të shpëtuar karvanin, njerëzit dhe pasurinë, por këtë e bëri Zoti. Kthehuni në Mekë”. Edhe pse ky karvan i kishte shpëtuar konfliktit me myslimanët, paganët mekas (afër një mijë vetash) prapëseprapë nuk u tërhoqën, pasi që paraprakisht edhe kishin vendosur të qëndrojnë për t’i luftuar myslimanët në vendin ku kryqëzoheshin rrugët, vend ky që quhej Bedër. Historianët theksojnë se nuk është shënua asnjë sulm i myslimanëve kundër ndonjë karvani tjetër që nuk ishte nga Mekka, gjë që kuptohet se konflikt kishin vetëm me mekasit, me që edhe pasurinë e kishin lënë në atë qytet. Pra, beteja e Bedrit ishte mënyrë për sigurimin e të mirave ekonomike dhe preventivë e domosdoshme për të mbijetuar bashkësia e re, e jo mjet për konvertimin e njerëzve në islam[15]. Qëllimi defi­nitiv ishte që myslimanët të fitojnë lirinë, e që pastaj lirisht të shpre­hin dhe ta predikojnë fenë në mbarë Gadishullin Arabik.

Në kaptinat tjera të Kur’anit thuhet se lufta e vetme legjitime është lufta për vetëmbrojtje, siç vijon:

Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)...”. (el-Bekare, 191-192).

“…kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…”. (el-Maide, 32).

“Dhe, nëse ti e zgjatë te unë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur; unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve”! (El-Maide, 28).

“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejt, e All-llahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve)”. (el-Haxhxh, 39).

E qartë është se lufta është e urdhëruar kundër atyre të cilët sulmojnë. Do të thotë se luftë mund të ketë vetëm në rast mbrojtjeje dhe është urdhëruar nga situatat dhe arsyet e jashtëzakonshme, pra atëherë kur mundimet dhe vuajtjet e myslimanëve ishin bërë të padurueshme... Nuk ekziston asnjë ajet në Kur’an që e lejon luftën vetëm me qëllim të përhapjes së fesë. Ajo që flitet se Kur’ani e lejon luftën me qëllim të përhapjes së fesë, janë fjalë boshe propagandistike nga ata të cilët nuk janë mirë të njohur me frymën e mësimeve kuranore. Nga kjo është e qartë se islami vërtet është armik i konflikteve dhe luftës, meqë një gjë e tillë lejohet vetëm në rast të nevojës ekstreme, d.t.th. atëherë kur besimtarit pa kurrfarë faji i kanoset rreziku për jetë.

Në nenin 61 të Kushtetutës së Medinës, Kushtetutë kjo e përpiluar gjatë themelimit të shtetit të parë, përkatësisht të qytet-shtetit të parë në Medinë në vitin 622, thuhet:

Nëse nga ata (hebrenjtë) kërkohet paqe me ta - armikun - dhe ajo të respektohet, ata do ta pranojnë atë”. (Në kuptimin më të gjerë do të thotë: “Nëse udhëheqësi thërret në lidhje të paqes me armikun, atëherë anëtarët tjerë të shoqërisë duhet të pajtohen me atë vendim”).

Sipas parimeve të lartpërmendura luftën medoemos t’a mbështesë sunduesi, sepse lufta nuk mund të jetë në kompetenca të individit. Për luftë medoemos të ekzistojnë arsye të mjaftueshme. Një numër i madh i fetvave (decizioneve) që kanë të bëjnë me luftën, janë dhënë nga shkaqe të pastra politike. Gjatë historisë shpeshherë ndodh që dy shtete myslimane të zhvillojnë luftë njëra me tjetrën, ndërsa grupe të dijetarëve apo juristët të të dy palëve në konflikt ato luftëra i shpallnin si lufta të shenjta kundër renegatëve. Në kontekst me këtë do theksonim se vetëm 25 vite pasi që kishte ndërruar jetë profeti Muhammed (s.a.v.s.), një sekt fetar mysliman i quajtur harixhitë, shpallën luftë kundër kalifit të atëhershëm, pasi që sipas tyre, kalifi ishte larguar nga mësimi burimor islam.

 

Korrektësia dhe toleranca në luftë

 

Gjatë shekujve XVIII dhe XIX do të paraqiten lëvizje të ndryshme radikale të cilat kishin për qëllim “pastrimin e shoqërisë islame”, edhe atë duke shpallur “luftë të shenjtë” kundër armiqve të tyre, si ndaj myslimanëve, ashtu edhe ndaj jomyslimanëve. Në kohën e sundimit të hershëm të abbasitëve (fundi i shek. VIII-të dhe fillimi i shek. IX-të) juristët filluan të zhvillojnë teori për organizimin e shoqërisë islame, për udhëheqjen korrekte dhe për raportet e bashkësisë me botën jomyslimane. Atëherë u vendos për dy nocione qendrore: dar ul-islam (shtëpia e islamit) dhe dar ul-harb (shtëpia e luftës)...

Reformistët myslimanë si Muhammed Abduhu (1849-1905) dhe Muhammed Rida (1865-1935) mendojnë se lufta kundër jobesimtarëve varej nga sjellja e tyre ndaj bashkësisë myslimane. Ata pohonin se bashkëjetesa e qetë ishte raport normal ndërmjet dar el-islam-it dhe dar ul-harb-it, dhe se xhihadi ishte i lejuar vetëm si luftë mbrojtëse. Prapëseprapë, kjo e mundësoi luftën e shenjtë kundër kolonizatorëve, sepse ata ishin agresorë. Pra, xhihadi konsiderohej si luftë korrekte, bellum justum. Njëri nga mendimtarët më të dalluar mysliman, Sejjid Hysein Nasër thotë se “ata që bëjnë terrorizëm në Perëndim ose gjetkë në emër të xhihadit, janë duke e përdhosur këtë fjalë të shenjtë. Veprimet e tyre nuk janë pranuar nga autoritetet fetare si xhihad[16]. Numri më i madh i juristëve myslimanë mbajnë qëndrimin se xhihadi është i ligjshëm vetëm atëherë kur shërben për t’u mbrojtur nga agresioni. Një grup i caktuar, parti ose organizatë assesi nuk ka autoritet legjitim të ngrejë armët në emër të xhihadit, përndryshe do të ketë trazira dhe anarki[17].

Gjatë Luftës së tetorit në vitin 1973, rektori i Universitetit al-Az’har në Kajro deklaroi se xhihadi është detyrim i çdo egjiptasi, si për myslimanët, ashtu edhe për të krishterët. Vdekja për atdhe në atë luftë, si myslimanët, ashtu edhe koptët do t’i shpinte drejtpërdrejtë në xhennet. Në nëntor të vitit 1977 Kongresi Hulumtues Islam publikoi një fetva/decizion/ku vërtetohej se xhihadi kundër Izraelit nuk kishte për qëllim shkatërrimin e shtetit hebre, por çlirimin e territoreve të okupuara nga viti 1967 dhe rivendosje të shtetit palestinez e cila do t’a përfshinte edhe Jerusalemin lindor. Me këtë akt, Kongresi e përkrahu linjën të cilën kryetari Sadat pikërisht e kishte përfshirë në Camp David me motivimin se udhëheqësi i shtetit mysliman sipas Kur’anit mund të vendos armëpushim me armikun po qe se një gjë e atillë do t’iu shërbente interesave të bashkësisë. Mund të thuhet se rezistenca ndaj okupimit sovjetik në Afganistan ishte xhihad në kuptimin fillestar të asaj fjale, sepse regjimi komunist i Moskës e ndaloi të praktikuarit e fesë, ndërsa synimi i politikës sovjetike ishte shkatërrimi i fesë. Prandaj, luftëtarët në rezistencë ishin muxhahidë (luftëtarë)[18].

Myslimanët edhe në çastet më të vështira të luftës me jomyslimanët kanë ditur t’iu përmbahen rregullave islame dhe kodeksit moral njerëzor, e assesi të shkaktojnë dhunë dhe të keqtrajtojnë të tjerët. Muhammedi (s.a.v.s.) ka thënë:

“Kush e shqetëson një dhimmij, unë do të jem paditës, e kundër kujt të jem unë paditës, ai do ta humb gjykimin kundër meje në Ditën e Gjykimit”.

“Kush e shqetëson jomyslimanin, ai më ka shqetësuar mua, e kush më shqetëson mua, e ka shqetësuar Allahun e Lartmadhëruar”. (Taberani në El-Evsat).

Marrëveshja e dytë të cilën Profeti Muhammed (s.a.v.s.) e lidhi me të krishterët ishte ajo me të krishterët e Nexhranit të cilët erdhën te Muhammedi (s.a.v.s.) nga manastiri i kodrave të Sinait, udhëheqës i të cilëve ishte një prift me emrin Mesih. Ata erdhën që t’i rregullojnë raportet me të krishterët në Arabi dhe t’a pranojnë Muhammedin (s.a.v.s.) si sundues[19]. Biseda në këtë temë kishte zgjatur një kohë mjaft të gjatë, ndërsa ishte biseduar për çështje dhe nevoja të ndryshme të krishterëve. Marrëveshja ishte siç vijon:

1. Të krishterët të cilët jetojnë në qytete dhe në fshatra, e që u gjetën nën qeverisjen islame, do të jenë plotësisht të mbrojtur. Po qe se iu ndodh ndonjë padrejtësi, qoftë nga myslimanët, hebrenjtë apo nga ateistët, kryerësi i aktit të shëmtuar ashpër do të ndëshkohet;

2. Kishat dhe vendqëndrimet e priftërinjve do të jenë nën mbrojtjen myslimane në rast të çdo sulmi;

3. Kurrfarë tatimesh të jashtëzakonshme nuk do të kërkohen nga të krishterët, e as të atilla që do ta rrezikonin furnizimin e tyre dhe të familjeve të tyre;

4. Asnjë prift nuk mund të largohet nga banesa e tij, përveç nëse shkel ligjin fetar, moral apo në rast të ndonjë krimi;

5. Nga asnjë të krishteri nuk do të kërkohet që më dhunë të konvertojë në ndonjë fe tjetër;

6. Nuk mund të rrënohet kisha me qëllim të ndërtimit të xhamisë ose shtëpisë;

7. Në ndërtimin ose meremetimin e manastireve edhe myslimanët do të ofrojnë ndihmën e tyre;

8. Femra krishtere e cila martohet për një mysliman do ta mbaj fenë e saj;

9. Të krishterët mund lirshëm t’i kryejnë ritualet e tyre fetare në shtëpitë e tyre. Në kohët kur kryhet lutja në kishe ose në ditët festive, për të krishterët është e lirë vizita e tempujve dhe kryerja e ritualeve fetare.

Me këtë marrëveshje janë informuar të gjithë kryetarët e qyteteve dhe vendbanimeve, të gjithë eprorët dhe kryetarët e fiseve dhe janë të urdhëruar që të veprojnë në mënyrë të saktë dhe të rreptë[20].

Pas çlirimit të Egjiptit në vitin 641 nën komandën e kalifit Omer ibn Hatabit (r.a.) - i cili në krye të shtetit islam erdhi në vitin 635 - ia dërgoi një letër mëkëmbësit dhe udhëheqësit ushtarak (Amr ibn el-Asit r.a.) që udhëhoqi dhe menaxhoi me komandën me rastin e çlirimit të Egjiptit, duke ia tërhequr vërejtjen: “Me ty në Egjipt gjenden edhe të mbrojturit nën shtetin islam (dhimmij), ndërsa Muhamedi (s.a.v.s.) ka porositur sjellje të butë ndaj tyre. Ndër fjalët e të Dërguarit të Allahut janë edhe këto: “Kush shkakton dhunë ndaj të krishterëve dhe hebrenjve ose i ngarkon me atë që nuk mund ta bartin dhe ta durojnë, unë do t’i bëhem kundërshtar në Ditën e Gjykimit”. O Amër, ruaju që Muhammedi (s.a.v.s.) mos të të bëhet kundërshtar në Ditën e Gjykimit, sepse atë të cilin e akuzon i Dërguari i Allahut, ai do ta humb gjykimin”.

Në analet e historisë së luftërave janë shënuar me shkronja të arta fjalët e kalifit të parë mysliman Ebu Bekër es-Sidikut (r.a.), i cili komandantit dhe ushtarëve të tij para se të drejtohen në një ekspeditë ushtarake kundër bizantinasve, i porositi: “Të urdhëroj ty që t’iu përmbahesh këtyre urdhrave: Mos mbyt gra, fëmijë dhe pleq, mos pre palma dhe druaj tjerë nga pemët, mos i digj të mbjellat, mos e tepro as në luftë e as si fitimtar. Do të takosh njerëz që vullnetarisht janë mbyllur në manastire, mos i shqetëso, por lëri të qetë...”!

Me rastin e çlirimit të Jerusalemit nga ana e Salahudin el-Ejubit dhe armatës së tij, ai si komandant tregoi mirëkuptimin e tij të sinqertë ndaj të gjithë atyre që ishin zënë rob, ndër ta ishte edhe mbreti anglez Riçard Zemërluani. Salahudini i liroi të gjithë ata[21]. Në betejën më të tmerrshme për Jerusalemin, përkatësisht gjatë kryqëzatës së Tretë (tetor, 1187), aleatët e mbretit anglez Riçard Zemërluani - Fridrih Barbarosa dhe Filipi III Augusti - u orvatën që ta helmojnë Salahudinin. Mirëpo, atëherë kur Salahudin el-Ejubi kuptoi për këtë gjë, menjëherë e dërgoi mjekun e tij personal dhe vëllain e tij Adilin, për ta shëruar mbretin Riçard. Me të mbërritur mjeku te Riçardi, njerëzit e tij u frikësuan se ky ndoshta ka ardhur me qëllim që ta mbysë përfundimisht. Mirëpo, mjeku u përgjigj dhe tha: “Nuk ekziston ndonjë arsye për t’u frikësuar, sepse myslimanët asnjëherë nuk sulmojnë pas shpine e as që shërbehen me tradhti. Vdekja e mbretit tuaj përmes helmimit nga ana jonë, assesi nuk do të jetë në dobi të Salahudinit e as që do t’i sjell lavd atij. Ajo që arrihet përmes tradhtisë ose në ndonjë mënyrë tjetër të pandershme, assesi nuk mund të konsiderohet si sukses dhe fitore. Nuk do të ishte aspak kalorësiake që i sëmuri të mbytet përmes helmit! Të sëmurit duhet ndihmuar, madje cilido që të jetë ai”!

Toleranca dhe liria fetare nuk mund të mos përmendet edhe në Baladën Spanjole të Lion Fojhtvangerit i cili thekson se “zotërinjtë e ri me vete sollën kulturën e lartë, kurse Andaluzinë ata e shndërruan në vend më të bukur, më të rregulluar dhe më të banuar në Evropë”[22], ndërsa Volteri do të vlerësojë se “modeli islamik i renditjes së jetës i cili ishte prezent në periudhën e Pe­ran­dorisë Osmane paraqet shembullin më të mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare, në lirinë e plotë të anëtarëve të feve të ndryshme, kurse sipas kishës, çdonjëri duhej të bëhej i krishterë”[23].

Historiani serb Vlladimir Çoroviç në librin e tij “Istorija Srba”, në lidhje për pozitën e kristijanëve (dhe të jomyslimanëve në përgjithësi) nën administrimin osman thotë: “Turqit që nga fillimi assesi nuk i detyronin njerëzit tanë ta pranojnë islamin. Atë ua lanë njerëzve që vet të përcaktohen, duke marrë parasysh përparësinë që ofronte feja e re...[24]. Gjithsesi, në Ballkanin otoman hebrenjtë gjetën strehim dhe atyre iu mundësua që - përkundër identitetit tjetër fetar - të përparojnë në hierarkinë administrative të Perandorisë Osmane[25]. Pas fitores ndaj persianëve dhe me çlirimin e Irakut,  Sulltan Selimi I (1512-1520) vendosi që t’i nënshtrojë edhe provincat tjera të Lindjes së Afërt që ishin nën sundimin e dinastisë së memelukëve, me këtë edhe Palestinën. Sulltan Selimi e dërgoi ushtrinë e tij në Siri, e cila më 24 gusht të vitit 1516 u konfrontua me ushtrinë memeluke në Marxh Debek. Më vonë, i biri i Sulltan Selimit I, Sulltan Sulejman Kanuni (1520-1566), arriti t’a ndajë Shamin në tre pashallëqe, edhe atë në pashallëkun e Damaskut, Halepit dhe Tripolit. Të gjitha këto tre pashallëqe ndërmjet vete ndaheshin në njësi administrative, sanxhaqe, ndër të cilat më të rëndësishëm ishin ai i Bejrutit dhe i Jerusalemit. Me këtë, Palestina dhe disa territore tjera arabe të Orientit ranë nën sundimin dhe administrimin osman. Me bashkimin e pjesëve mesdhetare të vilajetit të Bejrutit me sanxhakun e Jerusalemit, Palestina arriti të bëhet një rajon i veçantë administra­tiv, gjë që më parë nuk ishte. Në rajonin e Judesë, Samarisë dhe Galilesë, gjegjësisht të Palestinës, shekuj me radhë jetuan myslimanë dhe të krishterë arabë të cilët kishin raporte të mira me ata pak hebrenj që jetonin aty. Në kuadër të Perandorisë Osmane ata i gëzonin të drejtat e barabarta, ndërsa në Jerusalem - si në një qytet më të madh të vendit - përveç arabëve, jetonin edhe francezë, anglezë, ermenë, hebrenj etj. Çdokush mund të lëvizte lirshëm në të gjitha kuartet e qytetit, ndërsa hyrja në tempujt e shenjtë ishte e lirë për të gjithë...[26].

Në lidhje me qëndrimet tolerante islame d-r. Ismail Faruki përmend se hebrenjve dhe të krishterëve iu është ndarë, siç thotë ai, “privilegji i tretë i dinjitetit, në të vërtetë, ajo e bashkëndarjes në traditën e vet islamit. Ky privilegj i tretë iu është dhënë drejtpërdrejtë nga Zoti (përmes Kur’anit) hebrenjve, të krishterëve dhe sabejëve, ndërsa nga ana e myslimanëve është zgjeruar edhe ndaj zoroastrianëve, hindusëve, budistëve dhe ndaj ithtarëve të religjioneve të tjera... ndërsa parimi islam “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota...”, është sistem përmes së cilit qytetërimi dhe kultura islame u ngritën në piedestalin më të lartë të skenës botërore”[27]. Nga historia mësojmë se të gjitha konfliktet më të mëdha botërore nuk ishin shkaktuar nga myslimanët, e as që ishin zhvilluar në botën islame. Vetëm gjatë shekullit të kaluar (shek. XX) janë zhvilluar katër luftëra të mëdha në të cilat jetën e kanë humbur rreth njëqind milionë njerëz. Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) jetën e kanë humbur rreth dhjetë milionë njerëz, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) jetën e humbën mbi pesëdhjetë milionë njerëz. Duhet theksuar se një nga krimet më të mëdha luftarake dhe një e keqe shkatërrimtare me përmasa të mëdha do të ndodh pikërisht nga ana e botës jo-myslimane: kur do të hedhet bomba e parë atomike dhe ku u mbytën qindra mijëra njerëz të pafajshëm, ndërsa miliona të tjerë mbetën me invaliditet afatgjatë. Po ashtu, lufta e Koresë e cila zgjati nga viti 1950 e deri në vitin 1953 mori diç më tepër se nëntë milionë viktima, ndërsa në Luftën e Vietnamit që zgjati ndërmjet viteve 1961-1975, jetën e humbën rreth tre milionë njerëz. Skena e viktimave nga Lufta e Parë Botërore (1914-1918) e deri te lufta e Vietnamit (1961-1975), dukshëm është ndryshuar, edhe atë në dëm të civilëve. Historia është libër i mirë për të mësuar, e në veçanti për t’i kuptuar se kush në të vërtetë janë zëdhënës të vërtetë të paqes, e kush të tjerët!

 

Disa nga grupet më të njohura terroriste në botë

 

Ndër grupet e akuzuara si terroriste konsiderohen: Organizata Abu Nidal “ANO” (palestineze); Grupi Abu Sajjaf “ASG” (filipinase); Grupi i armatosur Islamik “GIA” (algjeriane); Aum Shinrikyo “AUM” (japoneze); Euzkadi ta Askatasuna “ETA” (baske); Fronti Demokratik për çlirimin e Palestinës (palestineze); Xhema’a el-Islamijje (egjiptiane); Armata e Kuqe Japoneze “JRA” (japoneze); Kach (izraelite); Khamer Rouge (kamboxhiane); Khane Chai (izraelite); Liga Hebreje e Mbrojtjes; Rezistenca e Armatosur Hebreje; Lëvizja Hebreje për Veprim; Hebrenjtë e Bashkuar; Gjëmimi i Sionit; Partia e punës kurdistane “PKK” (kurdistanët turq); Tigrat çlirimtar të Tamil Ealamit “LTTE” (Sri Lanka); Fronti i papajtueshëm patriotik i Manuel Rodriguezit “FPMR/D” (Kili); Armata Nacional Çlirimtare “ELN” (kolumbiane); Xhihadi Islamik Palestinez (palestineze); Fronti Çlirimtar Palestinez “PLF” (palestineze); Forcat e Armatosura revolucionare të Kolumbisë “FARC” (kolumbiane); Organizata Revolucionare “17 Nëntori” (greke); Partia popullore revolucionare për çlirim “DHKP/C” (turke); Përpjekja revolucionare popullore “ELA” (greke); Rruga e shkëlqyeshme “SL” (peruane); Lëvizja Revolucionare Tupac Amru “MRTA” (peruane); Ushtria Republikane Irlandeze; Grupi Anti-Kastro; Ekstremistët mormonë; Organizata Vietnameze për Shfarosjen e Komunistëve dhe Rivendosjen e Kombit; Urdhri Komunist i 19 Majit; Lëvizja e Indianëve të Amerikës; Kombi Arjan; Fronti Kombëtar për Çlirimin e Kubës, etj.

 

 

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimet:

 

 

BULAÇ, Ali,  “Islam i demokracija, teokracija i totali­ta­ri­zam”, Ljiljan, Sarajevo-Lubljana, 1995.

DEBELJAK, Alesh, “Fundamentalizmi bashkëkohor dhe lufta e shenjtë”, fq. 91, Logos-A, Shkup, 2011.

GHAZI bin Muhammad, Ibrahim Kalın, Mohammad Hashim Kamali, “Lufta dhe paqja në islam – përdorimet dhe abuzimet me xhihadin”, Logos-A, Shkup, 2015.

MUHIQ, Ferid, “Identiteti islam i Europës”, Logos-A, 2013, Shkup.

KARLSSON, Ingmar, “Vjera teror i tolerancija”, Tuzla, 2005.

SERDAR, Ziauddin, “Përtej Dogmës - Islami në kohët postmoderne”, Logos-A, Shkup, 2010.

Seyyed Hossein Nasr, “The Heart of Islam - Enduring Values for Humanity”, HarperCollins Publishers Inc. 10 East 53rd Street, New York, NY 10022, 263.

SCHWARTZ, S. “Dva lica islama”, Tugra, Sarajevo, 2005.

SINADINOVSKI, Branislav, “Palestinsko nacionalno pitanje i bliskoistočna kriza”, Studentski Zbor, Skopje, 1988.

ŠUKRIČ, Mr. Nijaz, “Dva kraka Islama u Evropi”, Islamska misao, nr. 144/1990-Sarajevо.

ЕЛ-ФАРУКИ, Исмаил Раџи, “Исламот и другите вери”, МЦМС, Скопје, 2006.

http://www.zeriamerikes.com/content/a-30-2006-04-06-voa5-85555222/417257.html

http://www.javanews.al/20-vitet-e-fundit-statistikat-e-pabesueshme-te-terrorit-mesatarisht-10-akte-ne-dite/

http://time.ikub.al/879abfae34/c0fbf45b9de8ce1c1e91feb7282fe0d7/Lajm_Breivik-Kohe-e-pamjaftueshme-do-vrisja-dhe-tre-politikane.aspx

http://www.fandresen.com/tag/fundamentalist-christian/

www.yurope.com/zines/republika/arhiva/98/202/INDEX.HTM

www.harunyahya.com/albanian/liber/terrorizmin/terrorizmin06.php

http://www.rastko.rs/rastko-bl/istorija/corovic/istorija/5_1_l.html.

 

 

 

 

 

 



[2] KARLSSON, Ingmar, “Vjera teror i tolerancija”, Tuzla, 2005, fq. 290.

[3] KARLSSON, Ingmar, fq. 295-296.

[4] Dan Barker në “Christian Terrorism In Oklahoma City”, Freethought Today May, 1995.

[8] MUHIQ, Ferid, “Identiteti islam i Europës”, Logos-A, 2013, Shkup, fq. 163. Po ashtu shih: Nikkie R. Kiddie, “The Revolt of Islam – 1700 to 1993”, te Bryan S. Turner, ed. Islam: Critical Concepts in Sociology (Oxford: Routledge, 2003), vëll. 2. fq. 89. Situar sipas: Ghazi bin Muhammad, Ibrahim Kalın, Mohammad Hashim Kamali, “Lufta dhe paqja në islam – përdorimet dhe abuzimet me xhihadin”, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 24.

[9] Më gjerësisht shih: SERDAR, Ziauddin, “Përtej Dogmës - Islami në kohët postmoderne”, Logos-A, Shkup, 2010, f. 141-145.

[10] Shih edhe: KARLSSON, Ingmar, fq. 263-264.

[11] Ghazi bin Muhammad, Ibrahim Kalın, Mohammad Hashim Kamali, “Lufta dhe paqja në islam – përdorimet dhe abuzimet me xhihadin”, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 20.

[12] DEBELJAK, Alesh, “Fundamentalizmi bashkëkohor dhe lufta e shenjtë”, fq. 91, Logos-A, Shkup, 2011, fq. 91.

[13] DEBELJAK, Alesh, fq. 102-103.

[14] Shënimet për të gjitha këto patrullime dhe ekspedita janë nga vepra Zadu-l-Me'ad: II/83-85; Ibni Hisham: I/561-605; Rahmetun li-l-Alemin: I/115, 116. II/215, 216, 468-470).

[15] el-Beladur, Ibn Hisham, Ibn Is’hak, Salih Soruç.

[16] Seyyed Hossein Nasr, “The Heart of Islam - Enduring Values for Humanity”, HarperCollins Publishers Inc. 10 East 53rd Street, New York, NY 10022, 263.

[17] Ghazi bin Muhammad, Ibrahim Kalın, Mohammad Hashim Kamali, “Lufta dhe paqja në islam – përdorimet dhe abuzimet me xhihadin”, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 21.

[18] KARLSSON, Ingmar, fq. 268, 271-272.

[19] Bjelavac, A. H., “Muhammed”, Zagreb, fq. 239-240.

[20] Omerbašič, G., “Muhammed, hriščani i jevreji”, www.yurope.com/zines/republika/arhiva/98/202/INDEX.HTM

[21] ARMSTRONG, Karen, “Holy War - The crusades and their impact on today's world”, fq. 185, cituar sipas Harun Jahja, www.harunyahya.com/albanian/liber/terrorizmin/terrorizmin06.php.

[22] ŠUKRIČ, Mr. Nijaz, “Dva kraka Islama u Evropi”, Islamska misao, nr. 144/1990-Sarajevо.

[23] BULAÇ, Ali,  “Islam i demokracija, teokracija i totali­ta­ri­zam”, Ljiljan, Sarajevo-Lubljana, 1995, fq. 95.

[24] ČOROVIČ, Vladimir, “Istorija Srba”, marrë nga: http://www.rastko.rs/rastko-bl/istorija/corovic/istorija/5_1_l.html

[25] DEBELJAK, Alesh, fq. 91. Po ashtu shih: SCHWARTZ, S. “Dva lica islama”, Tugra, Sarajevo, 2005, f. 28.

[26] SINADINOVSKI, Branislav, “Palestinsko nacionalno pitanje i bliskoistočna kriza”, Studentski Zbor, Skopje, 1988, fq. 20.

[27] ЕЛ-ФАРУКИ, Исмаил Раџи, “Исламот и другите вери”, МЦМС, Скопје, 2006, fq. 238-243.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme