Diskutim i detajuar rreth vitrit, sipas fikhut Hanefij

 

 

Do isha shumë mirënjohës nëse do të mundnit të ofroni me disa hadithe/referenca mbështetje për qëndrimin e tre rekateve të vitrit sipas medhhebit Hanefij.

Përgjigja:

Në artikullin që ju (pyetësi) ma keni dërguar mua, shkruesi ka pranuar që dikush mund ta fal tre rekate të namazit të Vitrit. Mirëpo, mesa duket ai imponon qëndrimin që duhet të kryhet në mënyrën si ai e ka kuptuar, dmth, dy rekate me një selam dhe pas kësaj një rekat. Ndonëse kjo mënyrë mund të jetë korrekte për disa medhhebe, ta imponosh këtë për pasuesit e medhhebit tjetër, nuk do të ishte me vend.

Prandaj, unë do të përmend këtu ato argumente që mbështesin qëndrimin Hanefij në këtë çështje.

Sipas medhhebit Hanefij, namazi i Vitrit duhet të falet tre rekate me vetëm një selam në fund. Ky qëndrim është i bazuar në argumentet në vijim:

  1. Aisha (Radiallahu Anha) transmeton që Resulullahu (Sal Allahu alejhi we selem) asnjëherë nuk jepte selam  pas dy rekateve të vitrit.’ (el-Hakim, Mustedrek, vëll. 1, fq. 304; Imam Hakimi e klasifikon këtë hadith ‘Sahih’ sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Dhehebiu poashtu e pranon (konfirmon) këtë klasifikim). Imam Hakimi pastaj thotë, “Ka transmetime tjera të ndryshme që mbështesin këtë, prej tyre janë këto në vijim.’
  2. Aisha (r.a.) transmeton që Resulullahu (s.a.v.s.) falte tre rekate vitr dhe ai asnjëherë nuk jepte selam përpos në rekatin e tretë.’ (Ibid)
  3. Imam Nesaiu (r.a.) ka shënuar (hadithin në vijim) në autoritetin e Ubejj ibn Ka’b (r.a.) që Resulullahu (s.a.v.s.) recitonte suren ‘Sebbihisme rabbikel a’ala’ (Sureja 87, el-A’la) në rekatin e parë të Vitrit, Suren el-Kafirun (Sureja 109) në rekatin e dytë dhe suren ‘Kul huwallahu Ehad’ në rekatin e tretë, dhe që ai (s.a.v.s.) nuk jepte selam pos në fund të gjithë këtyre rekateve. (Hafiz el-Iraki e ka klasifikuar këtë transmetim Sahih – autentik) – shih Nejlul Ewtar vëll. 1; poashtu shih Atharus-sunen, fq. 203; I’la-us-sunen vëll. 6, fq. 42
  4. Thabit el-Bunani (r.a.), studenti i famshëm i Enesit (r.a.) thotë që Enesi (r.a.) na priu në namaz të vitrit (dhe) ai fali 3 rekate dhe nuk dha selam deri në rekatin e fundit. (Tahaviu, vëll. 1, fq. 206 – Hafiz Ibn Haxheri (r.a.) e ka klasifikuar këtë transmetim si Sahih (autentik) – shih el-Dirajah; I’la-us-sunen, vëll. 6, fq. 44.
  5. Ebu-Zinad (ra) – një Tabi’i – thotë që unë kam gjetur shumicën e fukahave dhe njerëzit e dijes të thonë që vitri është tre rekate me vetëm një selam në fund.’ (Tahaviu, vëll. 1, fq. 207). Muhadithi Nimeviu e ka klasifikuar këtë hadith ‘Hasen’ (të vërtetë); shih Atharus-sunen fq. 204.
  6. Ebu Zinad (ra) poashtu deklaron që Halifi Umer ibn Abdul-Aziz (r.a.) e kishte vendosur përmes verdikteve të fukahave që namazi i Vitrit është 3 rekate, pa asnjë selam (tjetër) pos në rekatin e fundit.’ (Tahaviu, vëll. 1 fq. 207  – Muhadithi Nimewi e deklaron këtë transmetim Sahih (autentik) – shih Atharus-sunen, fq. 204)
  7. Umer ibn el-Hattabi (r.a.) poashtu është transmetuar të ketë falur tre rekate Vitr me vetëm një selam. (Mustedrek el-Hakim vëll. 1, fq. 304; Tahaviu, vëll. 1, fq. 205-206)

Të gjitha transmetimet autentike të mësipërme vërtetojnë pa asnjë dyshim që namazi i Vitrit duhet të jetë tre rekate pa selam ndërmjet. Transmetimet 5 dhe 6 kanë vërtetuar që kjo ishte praktika e shumicës së fukahave gjatë kohës së Tabi’inëve poashtu. Prej sahabëve, kjo është transmetuar të ketë qenë praktika e Umer ibn el-Hattabit, Ali ibn Ebi Talibit, Sejidina Abdullah ibn Mes’udit, Ubejj ibn Ka’b, Zejd ibn Thabit, Enas ibn Malikut dhe Ebu Umameh (Radiallahu Anhum). (Shih et-Temhid nga ibn Abdul-Berr, vëll. 4, fq. 174)

Transmetimet në vijim vërtetojnë që duhet patjetër të ulet në Teshehud pas dy rekateve, dhe pastaj të ngritët për të tretin:

  1. Aisha (r.a.) transmeton nga Resulullahu (s.a.v.s.) – pjesë nga një hadith më i gjatë – që ai poashtu ka thënë, ‘Pas çdo dy rekateve, ka ‘Ettehijjat’.’ (Sahih Muslim). Ky hadith është i përgjithshëm dhe përfshin të gjitha salavatet, të vitrit poashtu. (I’la-us-sunen vëll. 6, fq. 51)
  2. Sejidina Abdullah ibn Mes’ud (r.a.) është transmetuar të ketë thënë, ‘Vitri është 3 Rekate, sikurse vitri i ditës, dmth namazi Akshamit.’ (Tahaviu, vëll. 1, fq. 206). Muhaddith Nimeviu (ra) e ka deklaruar këtë transmetim Sahih (autentik). (Atharus-sunen, fq. 204). Ky transmetim poashtu vërteton që njësoj siç ulet dikush pas dy rekateve në namazin e akshamit, ngjashëm, kështu duhet të veproj edhe në namazin e vitrit. (I’la-us-sunen, vëll. 6, fq. 43-44)
  3. Ebu’l-Alijah (r.a.) – një Tabi’i – deklaron se sahabët e Muhammedit (s.a.v.s.) na kanë mësuar që vitri është sikurse namazi akshamit. I vetmi dallim është që ne lexojmë (Kur’an) në vitr, e jo në aksham, dmth, në rekatin e tretë. (Tahaviu, vëll. 1, fq. 206). Muhaddith Nimeviu (ra) e ka deklaruar këtë Sahih (autentik)

Ky është një argument i qartë për medhhebin Hanefij që namazi akshamit dhe vitri do të jenë identik në të gjitha aspektet, përpos në lexim (Kiraat) në rekatin e tretë. Kështu që, Teshehudi në rekatin e tretë poashtu është i mbështetur/përkrahur nga ky transmetim.

Tani, sa i përket transmetimeve të cekura nga shkruesi në atë artikull, së pari duhet ditur që Resulullahu (s.a.v.s.) gjithmonë ka inkurajuar që njeriu duhet të fal ca namaze nafile para namazit të Vitrit dhe që Vitri nuk duhet të jetë i vetmi namaz që falet pas Jacisë. Kjo poashtu ishte praktika konstante e Resulullahut (s.a.v.s.). Hafiz ibn Abdul-Berr el-Maliki (ra) deklaron që Vitri sipas tyre (malikijve) është vetëm pas ndonjë namazi tjetër që i paraprinë.’ (et-Temhid, vëll. 4, fq. 177)

Është pikërisht për këtë arsye që në disa transmetime – siç janë cituar nga shkruesi – janë përmendur poashtu 5 rekate vitr dhe 7 rekate vitr, që në fakt i referohet asaj që ne sapo kemi përmendur, d.m.th  prej 5 ose 7 Rekateve, tre të fundit janë në të vërtetë Vitr dhe 2 apo 4 (rekate) të mbetura janë (namaz) Nafile që do duhej t’i paraprinin (vitrit).

E njëjta përgjigje do të adresoj transmetimin e parë që, ‘Mos falni tre rekate Vitr, falni pesë ose shtatë rekate vitr, por mos i bëni ngjashmëri me akshamin’.

Arsyeja që pengon vitrin të qenit i ngjashëm me namazin e akshamit është e dukshme, e kjo është sepse nuk ka namaz nafile që i paraprinë akshamit. (shih el-Nukatu Tarifeh nga Alameh el-Kewtheri, fq. 186)

Sa për transmetimin e Abdullah ibn Umerit (r.a.) që përmend që duhet dhënë selam pas dy rekateve dhe pastaj të fal një vetëm rekat, kjo praktikë është dobësuar më tej nga një transmetim në Mustedrek el-Haakim ku është transmetuar që Hasan el-Basriu (r.a.) është pyetur rreth këtij transmetimi. I është thënë atij, ‘Me të vërtetë, Abdullah ibn Umeri (ra) jepte selam pas dy rekateve vitri?’ Ai u përgjigj, ‘(Babi i tij) Umer el-Hattab (ra) ishte më i ditur se ky, dhe ai (nuk jipte selam dhe) ngrihej për rekatin e tretë.’ (Mustedrek, vëll. 1, fq. 304)

Kjo është përveç faktit që Resulullahu (s.a.v.s.) është transmetuar të ketë ndaluar faljen e vetëm një rekati. (shih et-Temhid, vëll. 4, fq. 177; el-Nukatu Tarifeh, fq. 182-183)

Për fund, jam i sigurt se të dhënat e mësipërme janë më se të mjaftueshme për të çrrënjosur çdo lloj dyshimi në lidhje me pikëpamjen hanefite për këtë çështje,

Dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri.

 

Ml. Muhammed ibn Mewlana Harun Abasomar
Fakulteti i specializimit në shkencat e hadithit
Kontrolloi dhe aprovoi: Mufti Ibrahim Desai (Departamenti i Fetvave)

 

Përktheu: Fatih Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme